15.5 C
Prizren
E shtunë, 19 Prill, 2025

Rama u tregua burrështetas

Adem DemaciSimboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, në një intervistë për “Epokën e re”, e ka analizuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Serbi dhe në Luginë të Preshevës.

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, e ka vlerësuar lart vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi.

Ai ka thënë se kryeministri shqiptar në Beograd dhe në Preshevë është sjell në mënyrë dinjitoze dhe ashtu si i ka hije një burrështetasi të një vendi anëtar të NATO-s. Ai ka deklaruar se Rama nuk është treguar as nacionalit e as ekstremist. “Edi Rama është mbajtur ashtu siç i ka takuar. Ai është paraqitur pa kurrfarë vërejtjesh. Ai nuk është treguar as nacionalist, as i tepruar e as i skajshëm. Ka qenë tamam një burrë shteti, të cilit do të duhej t’ia ketë lakmi gjithë bota demokratike”, ka thënë Demaçi.
Simboli i rezistencës kombëtare ka vlerësuar se tash e tutje Serbia duhet ta kuptojë se ka fqinjë plotësisht të barabartë. “Kjo vizitë e ka tejkaluar inferioritetin e krerëve të shtetit shqiptar ndaj atyre serbë. Kësaj here, e përgjithmonë, Serbia mund ta ulë bishtin dhe duhet ta kuptojë se ka një fqinj të barabartë për gjithçka. Kështu që, kjo vizitë ishte fort e mirë dhe me një mesazh të fuqishëm për Evropën dhe shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë”, është shprehur Demaçi. Ai ka treguar se më së shumti përshtypje në këtë vizitë i ka bërë tallja e kryeministrit shqiptar me homologun e tij serb. Ndërsa reagimin e këtij të fundit e ka vlerësuar jocivilizues. “Më interesante ishte kur Edi Rama në konferencë filloi të tallej me kryeministrin serb, i cili, sikurse do fëmijë të vegjël, të lazdruar, që dinë të aktrojnë, u mundua vizitën e Ramës ta shndërrojë në një provokim. Por, kjo ishte një vizitë e menduar mirë nga z. Rama, i cili kreu detyrën shumë mirë dhe me përpikëri, ashtu siç i ka hije një lideri të një shteti anëtar të NATO-s”, ka deklaruar Demaçi, duke shtuar se kryeministri serb në konferencë për shtyp para botës demokratike ka treguar sjellje prej rrugaçi dhe ka turpëruar vendin e vet.
Sa i përket vizitës në Preshevë, Demaçi ka thënë se kjo ishte një kryevepër. Sipas tij, pa shkuarjen e Ramës në Luginë të Preshevës, vizita e tij do të ishte e mangët. Për mungesën e vizitave të ndërsjella të krerëve të dy shteteve, Demaçi e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se shteti serb ishte ai që nuk donte marrëdhënie miqësore me shqiptarët.

“Epoka e re”: Z. Demaçi, si e vlerësoni vizitën dyditore të Ramës në Serbi?
Demaçi: Kjo vizitë e ka tejkaluar inferioritetin e krerëve shqiptarë ndaj atyre serbë. Kësaj herë, e përgjithmonë, Serbia mund ta ulë bishtin dhe duhet të kuptojë se ka një fqinjë të barabartë për gjithçka. Kështu që, kjo vizitë ishte fort e mirë dhe me një mesazh të fuqishëm për Evropën dhe shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë. Pra, ata të cilët kanë qenë me dy mendje, se a do të duhej apo jo ta vizitojë Rama Serbinë, tani janë rehatuar, sepse përfundimisht e kanë parë se ai është një lider që ka ardhur me meritë dhe i cili është duke i drejtuar shtetin dhe kombin e vet ashtu si duhet.

“Epoka e re”: Çka ju ka bërë përshtypje më së shumti nga kjo vizitë?
Demaçi: Më interesante ishte kur Edi Rama në konferencë filloi të tallej me kryeministrin serb, i cili, sikur do fëmijë të vegjël, të lazdruar, që dinë të aktrojnë, u mundua vizitën e Ramës ta shndërrojë në një provokim. Por, kjo ishte një vizitë e menduar mirë nga z. Rama, i cili e kreu detyrën shumë mirë dhe me përpikëri, ashtu siç i ka hije një lideri të një shteti anëtar të NATO-s dhe që pretendon t’i bashkohet BE-së në mënyrën më të shkëlqyer.

“Epoka e re”: Mirëpo gjatë kësaj vizite u vërejtën disa shkelje të protokollit nga ana e shtetit të Serbisë, mungesa e flamurit shqiptar në disa ambiente dhe mosshtrëngimi i duarve në mes të dy kryeministrave në fund të konferencës.
Demaçi: Kryeministri serb në këtë konferencë para botës demokratike e ka treguar veten si një rrugaç dhe e ka turpëruar vendin e vet, sepse në këto situata nuk guxon të shprehet inati i rrugaçërisë. Kështu që, edhe këtu para syve të shqiptarëve, të Evropës, por edhe para syve të vet serbëve, Vuçiqi nuk u soll mirë. Populli serb e di çka janë mikpritja dhe burrëria. Pra, këtu Vuçiqi e luajti rolin si të jetë i ardhur nga malet, apo si me qenë një njëri i egër. Besoj se edhe këtu ai humbi shumë në sy të popullit të vet dhe në sy të Evropës.

“Epoka e re”: Ka pasur opinionistë të ndryshëm në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilët e kanë kritikuar paraqitjen e Ramës në Beograd.
Demaçi: Edi Rama është mbajtur ashtu siç i ka takuar. Ai është paraqitur pa kurrfarë vërejtjesh. Ai nuk është treguar as nacionalist, as i tepruar e as i skajshëm. Ka qenë tamam një burrë shteti, të cilit do të duhej t’ia ketë lakmi e gjithë bota demokratike. Ata të cilët bëjnë këso farë analizash po tregojnë se nuk janë kurrfarë analistësh, por janë do farë njerëzish që po mundohen të bëhen fort të mençur.

“Epoka e re”: Vizitën e Ramës në Luginë të Preshevës, e keni përcjell? Si ju është dukur?
Demaçi: Nuk kam mundur ta përcjell drejtpërdrejt këtë vizitë, por besoj se ka dalë mirë. Vizita e Ramës në Luginë të Preshevës ishte një kryevepër, një veprim i menduar shumë mirë nga ai. Nëse ai nuk do të shkonte në Preshevë, vizita do të mbetej shumë keq. Nuk do të ishte vizitë e plotë e një kryeministri të një vendi që dëshiron të jetë i barabartë me gjithë botën. Mendoj se Shqipëria e ka për detyrë të interesohet dhe të kujdeset për pakicat tona që i kemi gjithandej Ballkanit. Kështu që, pa shkuar në Preshevë, vizita e Ramës në Serbi do të mbetej me defekte. Vetëm me këtë vizitë në Preshevë, Edi Rama ka treguar se është ai i cili, jo vetëm që di të flasë si duhet, por edhe di ta mbrojë popullin e vet aty ku duhet dhe si duhet.

“Epoka e re”: Vizita e kryeministrit shqiptar në Serbi ka ndodhur pas 68 vjetësh. Mund të cilësohet e suksesshme kjo vizitë në raportet mes dy vendeve?
Demaçi: Kjo vizitë ka qenë fort e suksesshme. Sa i përket mungesës së vizitave të ndërsjella në mes të Shqipërisë dhe Serbisë, fajtore është Serbia – Jugosllavia, e jo Shqipëria. Shqipëria ka qenë e gatshme të zhvillojë marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet e botës, aq më parë me fqinjët e vet. Mirëpo, Serbia ka qenë një fqinj i keq, një shtet i cili është munduar që shqiptarët t’i shtypë, t’ua shkelë të drejtat. Kështu që, pikërisht është Serbia ajo që nuk ka lënë vend për të zhvilluar bisedime si duhet. Kësaj here u thyen të gjitha përpjekjet e Serbisë që ta sabotonte këtë vizitë. Serbia dëshironte që fajin t’ia lë Shqipërisë, pra të thotë para botës se ne po duam të kemi marrëdhënie miqësore, por Shqipëria nuk po do. Mendoj se kësaj here doli sheshazi në mënyrën më të dukshme se Serbia është ajo e cila i saboton marrëdhëniet fqinjësore, saboton vendosjen e një paqeje dhe një bashkëpunimi në frymën evropiane këtu në Ballkan.

Më Shumë

Seanca konstituive vazhdon nesër nga ora 12.00

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se seanca konstituive e radhës mbahet nesër në ora 12.00. Zhvillimi vie pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani...

Presidentja Osmani ia kthen letrën Kuvendit: Thirreni seancën jo më vonë se 48 orë nga kur u ndërpre

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ia ka kthyer letrën Kuvendit të Kosovës. Ajo iu ka thënë deputetëve, specifikisht kryesuesit Avni Dehari se seancën duhet...

Lajmet e Fundit