15.1 C
Prizren
E hënë, 12 Maj, 2025

Mbi 250 mijë tiketa të shqiptuara

Policia-StopGjatë nëntë muajve të këtij viti nga Policia e Kosovës (PK) janë shqiptuar 250 735 tiketa që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ky numër ka shënuar rritje për 21 512 tiketa të shqiptuara më shumë.

“Numri i tiketave të shqiptuara nga Policia e Kosovës për periudhën janar-shtator të këtij vitit është 250 735 tiketa. Ndërkaq, për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ky numër ishte 229 222 tiketa”, është bërë me dije për gazetën “Epoka e re” nga zyrtarë të Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës.

Sipas zyrtarëve të kësaj zyre, numri i tiketave të shqiptuara, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur për 9.38 për qind, ndërkaq numri i aksidenteve gjatë së njëjtës periudhë ka shënuar rënie për 2 926 raste, apo shprehur në përqindje 19.22 për qind. “Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë shënuar 12 300 aksidente, ndërkaq gjatë vitit të kaluar për të njëjtën periudhë ishin 15 226 aksidente”, është saktësuar nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Sa i përket çështjes së pagesës së tiketave dhe mjeteve të grumbulluara nga gjobat e shqiptuara, Zyra për Komunikim me Publikun në PK ka treguar se ato janë të rregulluara në bazë të Ligjit mbi Sigurinë në Komunikacionin Rrugor nr. 02/L-070. Sipas kësaj zyre, këto të hyra sipas ligjit në fjalë grumbullohen në buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, gjegjësisht komunës përkatëse në të cilën është shkaktuar kundërvajtja. “Policia e Kosovës nuk përfiton nga këto mjete, pasi nuk derdhen në buxhetin e PK-së”, është thënë nga Zyra për Informim e PK-së.

Inxhinieri i Komunikacionit, Gazmend Hoti, ka thënë se rritja e numrit të gjobave në trafik mund të jetë rrjedhojë e rritjes së importit të automjeteve. Sipas tij, indikator i rritjes së numrit të gjobave është dhe fushata për siguri e lansuar nga PK-ja. “Aktualisht gjatë një viti në Kosovë importohen rreth 23 mijë automjete apo rreth 6.1 për qind, kemi rritje të importit të automjeteve me vitet paraprake. Krahasuar me këtë, në rritjen e numrit të gjobave kanë ndikuar edhe javët e sigurisë të shpallura nga Policia e Kosovës, të cilat besoj se kanë qenë shumë të suksesshme në vetëdijesimin e ngasësve. Po gjatë këtij viti në rritjen e numrit të gjobave ka ndikuar edhe mobilizimi i Inspektoratit Rrugor, sidomos të automjeteve transportuese për moslejimin e tejkalimit të ngarkesave në automjete, si dhe shqiptimi i gjobave nga ana e Policisë për shkak të gjendjes teknike jo të mirë të automjeteve në rrugë”, është shprehur Hoti, duke shtuar se në rënien e numrit të aksidenteve kanë ndikuar disa faktorë, por padyshim vetëdijesimi i ngasësve të automjeteve mbetet faktori kyç. “Faktorë të tjerë në rënien e aksidenteve janë edhe kushtet klimatike, pasi dihet se dimri i kaluar ka qenë pa të reshura të dendura të borës, andaj moti i mirë ka bërë të kemi aksidente më pak”, ka deklaruar ai.

Hoti ka shtuar se në rënien e aksidenteve të komunikacionit ka ndikuar edhe infrastruktura e mirë rrugore, mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor, ngritja e kritereve të kontrolleve teknike dhe vetëdijesimi në mirëmbajtjen e gjendjes teknike të automjeteve.

Më Shumë

Fermerët e Rahovecit kanë nxjerrë në treg prodhimin e ri të trangullit

Fermerët e komunës së Rahovecit kanë dalë në treg me trangujt, ndërsa e konsiderojnë një fillim të mbarë verën e këtij viti. Pikat grumbulluese...

Gjykata në Prizren i cakton një muaj paraburgim shtetasit turk që vrau vajzën

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me incialet M.G., shtetas...

Lajmet e Fundit