12.8 C
Prizren
E shtunë, 28 Shtator, 2024

Qeveritë komunale pengojnë raportet midis festivalit e qytetit

Dokufest-Press KonferencaEdicioni i fundit i festivali ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” e vendosi Kosovën në hartën kulturore botërore. “DokuFesti” ka dëshmuar që nuk sjell të hyra vetëm për Prizrenin, por edhe në nivel kombëtar.

Para 13 vjetësh, kur një grup shokësh morën iniciativën për organizuar këtë festival, qëllimi i tyre ishte mbrojtja e kinemasë “Lumëbardhi”. Por me të njëjtin problem ballafaqohen edhe tash, pas kaq vjetësh.

“Me gjithë dobitë që sjell ky festival, nuk ka arritur që të ketë mbështetje të plotë të Komunës së Prizrenit”, ka thënë drejtori ekzekutiv i “DokuFestit”, Eroll Bilibani, të dielën, në debatin me temën “Festivali dhe qyteti”, organizuar në kuadër të “Skenës UP”.

Pjesë e këtij debati ishin edhe drejtoresha e festivalit “Chopin Piano Fest Prishtina”, Besa Luzha, drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Ilir Bajri dhe Hana Qena, drejtoreshë e festivalit “Skena UP”. Ky ka qenë debati i dytë që ka sjellë edicioni i sivjetmë i këtij festivali.

Sipas Bilibanit, Komuna e Prizrenit është injoruese jo vetëm ndaj “DokuFestit”, por edhe ndaj ngjarjeve të tjera që organizohen gjatë verës në Prizren.

“Ne për Komunën jemi pengesë pasi që jemi të pavarur dhe nuk ndikohemi politikisht e nuk punojmë sipas agjendave të tyre. Çdo vit përsëritet e njëjta situatë. Na ndodh që duhet të bëjmë presion medial, apo çfarëdo lloji tjetër, në mënyrë që t’i marrim të hollat të cilat komuna i ka zotuar për festivalin”, ka thënë Bilibani.

Ndryshe nga Bilibani, Ilir Bajri ka dhënë ide krejt tjetër. Sipas tij, gjetja e një forme për ta rregulluar këtë situatë duke i afruar institucionet do të ishte një zgjidhje e mundshme. Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës kohëve të fundit i ka dhënë disa sinjale pozitive, por buxheti që ka për kulturë thotë se është qesharak. Por, sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm tek administrata.

“Më shumë kemi nevojë për përkrahje tjetër se për të holla. Na duhen logjistika, transporti, hapësira, informata, instrumente… probleme këto të cilat na shkaktojnë më shumë kokëçarje. Nëse vazhdimisht e kthejmë bisedën me konotacione negative, më së shumti na dëmton neve. Pasi buxheti për kulturë në Komunë është qesharak, e tash me u përla për ato para është e padobishme”, ka thënë Bajri.

Besa Luzha si problem kryesor në këtë raport e konsideron mungesën e infrastrukturës. Sipas saj, institucionet duhet të punojnë më shumë në gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për mbajtjen e koncerteve. Duke krahasuar buxhetin që posedojnë institucionet për kulturë, sipas Luzhës, përkrahja ka qenë modeste.

“Ajo çka na shqetëson neve, po flas për ne që organizojmë festivale të muzikës klasike, është mungesa e një salle të mirëfilltë, jo shumë e madhe, por një vend ku do të mund t’i organizonim koncertet”, ka thënë Luzha, drejtoreshë e “Chopin Festit”, i cili sivjet u organizua për të katërtën herë.

Në anën tjetër, drejtoresha e “Skena UP”, Hana Qena, ka thënë se Komunës së Prishtinës i duhet një strategji për ndarjen e buxhetit për festivale, që do t’i mundësonte edhe vlerësimin e tyre.

“Mendoj se Komuna duhet ta ketë një buxhet të caktuar për disa festivale dhe ta ndajë atë vetëm për festivale duke vlerësuar se cili i sjell të mira qytetit”, ka thënë Qena.

Për të dëgjuar kërkesat e këtyre organizatorëve të festivaleve nuk ishte i pranishëm askush nga institucionet. I ftuar në këtë debat ka qenë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, por nga zyra e tij kanë thënë se ai është në udhëtim jashtë vendit. Vullnet Krasniqi, i cili ka moderuar debatin, ka thënë se Komunës i kanë kërkuar që dikush tjetër ta zëvendësojë kryetarin Ahmeti, por s’kanë marrë përgjigje. /Koha.net/

Më Shumë

Bektashizmi dhe Shqipëria

Shkruan: Ben Blushi BEKTASHIZMI DHE SHQIPËRIA Nëse fetë e botës do mblidheshin në një Muze të Madh, aty Bektashizmi do zinte një dhomë të vogël. Kjo dhomë...

Vëllezërit shqiptarë thyejnë një tjetër rekord Guinness!

Vëllezërit shqiptarë Arnold dhe Artan Balla kanë vendosur një rekord të ri botëror në disiplinën rolla bolla. Ata arritën të kryejnë 11 pompa të...

Prizreni pa rivalë

Lajmet e Fundit