Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me projektligjin e ri për KPM-në i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), raporton Ekonomia Online.
Këtë Projektligj, ata e quajtën sulm të drejtpërdrejtë ndaj mediave dhe tendencë e pushtetit për t’i kontrolluar ato.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se këtë projektligj e konsideron si një përpjekje të Qeverisë Kurti për t’i kontrolluar mediat.
“Këto ndryshime ne i shohim si një përpjekje të re të qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe tendencë për t’i kontrolluar ato sepse parashihet që KPM-ja t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevoje mediat online që kanë përmbajtje të videove duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në një mënyrë të veçantë”, është shprehur Rexha.
“Këtë e shohin si një tjetër përpjekje dhe sulm të qeverisë ndaj lirisë së mediave sepse konsiderojmë se rregullimi i deritashëm duhet të vazhdojë dhe të merret parasysh konteksti lokal i zhvillimit të mediave”, ka shtuar kryetari i AGK-së.
Rexha i ka ftuar në dialog të gjithë të interesuarit duke përfshirë mediat dhe shoqërinë civile, në mënyrë që të jenë në gjendje që ta bëjnë punën e tyre pa presionin politik.
Juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, ka thënë se përmes këtij ligji Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet që t’i kontrolloj mediat.
“Projektligji për KPM është aprovuar në mbledhje të Qeverisë dhe është publikuar online në faqen e kryeministrit pas kërkesës sonë që ky dokument të bëhet publik. Për herë të parë në histori ndryshon radikalisht mënyrën e mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit. Duke i detyruar ato që për herë të parë t’i nënshtrohen licencimit shtetëror. Iniciativa ligjore është iniciativë e qeverise për t’i kontrollua mediat online. Kërkojmë nga qeveria që ta tërheq këtë projektligj nga procedimi i Kuvendit”, tha ajo.
Drejtori Ekzekutiv i KMShK-së, Imer Mushkolaj, tha se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, fillimisht ka sulmuar mediat dhe tani përmes këtij ligji po mundohet që t’i kontrolloj mediat online përmes KPM-së.
“Qëllimi i projektligjit është pikërisht dobësimi i mediave të shkruara. I bëjmë thirrje qeverisë që ta tërheq këtë projektligj”, tha ai.
Ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë:
1.Mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja;
2.Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit;
3.Mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja;
4.Mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%;
5.Mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro;
6.KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht;
7.Anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.