22.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Aktakuzat e dobëta shpëtojnë ‘peshqit e mëdhenj’

Shumica e aktakuzave të ngritura që nga paslufta, por edhe tani janë larg qëllimit të kapjes së të ashtuquajturve “peshqit e mëdhenj”, që kryesisht vijnë nga spektri politik. Në këtë drejtim njohësit e kësaj fushe thonë se një kontribut për të keq e ka dhënë edhe drejtësia ndërkombëtare, që ishte dhe vazhdon të jetë me mision në Kosovë. Ndaj, është shtuar dilema se përse këto aktakuza që po ngriten, rëndom janë të tilla që e pësojnë zakonisht peshqit e vegjël derisa ata të mëdhenjtë shpëtojnë, “pa therrë në këmbë”?.

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se aktakuzat e caktuara po ngriten, por, sipas tij, tek to shpeshherë mungojnë faktet, të cilat janë të vështira për t’u gjendur, pasi siç tha, të gjitha manipulimet dhe mashtrimet janë bërë në emra të të tjerëve.

“Andaj, në këtë aspekt është shumë e vështirë që Prokuroria të gjejë fakte, ani pse është e interesuar, por që të dhënat e tilla i posedon EULEX-i deri në një masë, si dhe disa ambasada në Kosovë”.

Oligarkët e zhytur

Burjani në këtë aspekt ka nënvizuar se deri më tani ka pasur probleme të theksuara për të gjetur prova për një numër të madh të zyrtarëve politikë, të cilët cilësohen si të ashtuquajturit ‘peshqit e mëdhenj’.

“Pra, përplot politikanë dyshohet se janë të zhytur në këto gjëra, por që vështirësitë qëndrojnë tek hulumtimi dhe gjetja e provave të sakta, përkundër asaj se EULEX-i i ka disa nga provat e mundshme, të cilat mund të shërbejnë”, është shprehur Burjani.

Analisti Shefqet Dibrani thotë se arrestimet e ditëve të fundit dhe marrja në pyetje e zyrtarëve politikë flasin për zhvillime pozitive dhe, sipas tij, janë shenja inkurajuese se Gjykata Speciale veçse ka nisur të veprojë, duke shtuar se pavarësisht asaj se kjo e fundit mund të hasë në pengesa nga oligarkët politikë të involvuar në krim dhe kriminalitet, madje ku disa prej tyre dyshohet se janë bosët e krimit ekonomik dhe atij politik, Dibrani shpreson se ajo nuk do të ndalet.

“Por, në këtë aspekt janë edhe mediet e shumta në Kosovë, pastaj shoqëria civile, si dhe njerëzit e ndërgjegjshëm, që duhet të ngrehin zërin e tyre në mbështetje të drejtësisë, e cila ka nevojë edhe për inkurajim qytetar”.

Më tej, Dibrani ka bërë një krahasim të krimeve ekonomike, që janë bërë me ato të luftës, duke thënë se krimi mbetet krim, sikurse vrasja me plumb ashtu edhe vrasja duke ia marrë kafshatën e gojës qytetarit, ngase, sipas tij, të dyja përfundimin e kanë të njëjtë, por siç thotë ai, i vetmi dallim është se e para kryhet shpejt, ndërsa e dyta zvarritet deri në pakufi, me ç’rast kjo shkakton edhe vuajtje dhe trauma tek qytetarët. /Kosova Sot

Më Shumë

‘Karabashi’ u shënua pa asnjë incident në Prizren

Shën Gjergji u shënua dje  me gëzim në qytetin e Prizrenit, njohur ndryshe si 'Karabashi'. Kjo festë tradicionale shënon përfundimin e dimrit dhe fillimin e...

Humb jetën një grua shtatzënë në Spitalin e Prizrenit

Të premten në Spitalin Rajonal të Prizrenit, më saktësisht në repartin e Gjinekologjisë ka ndërruar jetë një grua shtatzënë. Siç bëhet e ditur në raportin...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit