13.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Alban Selimi tërhiqet nga konkursi për Çmimin e Varfërisë – dyshon për kurdisje

Alban Selimi-gazetarGazetari i Zëri-t, Alban Selimi, ka vendosur të tërhiqet nga gara për çmimin e varfërisë të cilin do ta ndajë United Nation Kosovo Team (UNKT).

Me këtë rast, ai i ka shkruar një letër publike, shefit të kësaj zyre, Andrew Russell.

Lexojeni të plotë letrën e Selimit:

I nderuari z. Russell

Për Ju mund të mos ketë fare rëndësi kjo që iu shkruaj. Por, duke parë se gazetaria në Kosovë ka probleme shumë të mëdha dhe ne gazetarët harrojmë shpeshherë vetveten, duke iu referuar prolemeve të tjerëve, vendosa t’iu shkruaj publikisht, që këtë shkresë ta kuptoni vetëm si tendencë të zhdukjes së manipulimeve dhe ndalimin e keqpërdorimit të institucionit tuaj për qëllime të disa individëve.

Kjo që iu shkruaj ka të bëj kryekëput me çmimin e varfërisë për gazetari. Personalisht që sot, kam vendosur që të tërhiqem nga gara, ndonëse në adresën tuaj konsideroj që kam sjellë një tekst të trajtuar bukur mirë dhe mbi të gjitha mjaft etik.

Pra, harrojeni mundin tim për t’iu sjellë tekstin deri tek zyret tuaja dhe Ju lus që nëse merrni vesh që eventualisht artikulli im është përzgjedhur, kërkoni nga stafi Juaj që ta tërheq atë vendim. Kjo, pasi kësaj radhe, unë po e them publikisht, se edhe nëse zgjidhet artikulli im, do të refuzoj çfarëdo çmimi që mund të më jepet për këtë konkurs.

Arsyeja pse e bëj këtë ka të bëj kryekëput me parimin etik dhe dyshimeve për subjektivizëm gjatë vlerësimit.

Gazetarët si kritik të problemeve të shumëta në shoqëri dhe luftërarë të korrupsionit, duhet të jenë aq parimor sa t’ia pranojnë tjetrit kur një punë e bëjnë më mirë. Dhe të mos pranojnë as një mbivlerësim nëse ndodhë për ta.

Unë konsideroj se një shkrim i publikuar nga kolegia Anita Kadriu e që kishte aplikuar në konkursin Tuaj, kishte ndikim shumë më të madh se sa artikulli që unë e publikova. Unë kam shkruar për vdekjen e një fëmije të pa ushqyer, por suksesi i atrikullit tim do të matej nëse artikulli do të ndalonte vdekjen e atij fëmije.

Një gjë të tillë e bëri shkrimi “Gjashtë fëmijë po i vdesin për bukë”, i koleges Kadriu, i botuar në gazetën “Zëri”.

Ky artikull, bëri që të ndalohet një vetëvrasje. Ky artikull i bëri me bukë fëmijët e një familjeje nga Malisheva që vdisnin urie. Ky artikull ndikoi në masa të gjera dhe njerëzit e vlerësuan aq shumë, sa që receptori i telefonit të redaksisë së “Zërit” nuk ka ndalur as edhe një minut nga thirrjet e njerëzve që dëshironin t’i ndihmojnë familjes për të cilën ishte raportuar. Dhe ky është suksesi i një artikulli.

Ju mund të mos e merrni parasysh as edhe këtë fakt. Por, Ju lus që të keni kujdes, që organizatat që udhëhiqni mos të keqpërdoren nga njerëz të caktuar dhe për qëllime dhe përfitime krejtësisht personale.

Do të ishte lajm i keq për mua yashmë si një ish konkurrent, nëse znj. Sibel Halimi, që është bashkëshortja e një redaktori të një gazette në Kosovë, të jetë anëtare e jurisë në konkurset për storien më të mirë për gazetarë. Kjo automatikisht reflekton ndikime për monopol në ndarjen e çmimeve, pa paragjykuar rezultatin.

Kjo do të reflektoj pa dyshim edhe subjektivizëm, njejt sikurse reflektuan subjektivizëm çmimet që u ndanë nga GIZ, e ku anëtar jurie për përzgjedhjen e stories më të mirë në arsim gjatë vitit 2013 ishte z. Bekim Kupina, bashkëshorti i zonjës Halimi.

Mos lejoni që kur të mbaroj kjo garë, ata që fitojnë të mos ndjehen mirë me fitoren e tyre, dhe të njejtën ta quajnë një “kamuflazhë”, siç ndodhi edhe sivjet me çmimin që ndau GIZ.

Ndikoni për të mirë që sinqerisht të fitoj më i miri. Prapë Ju vlerësoni sipas politikave Tuaja. Por vlerësimi të bëhet në mënyrë objektive dhe nga njerëz tërësisht të pavarur.

Me respekt

Alban Selimi

(Fitues i dyishtë i çmimit për gazetari hulumtuese dhe luftë kundër korrupsionit që e ndanë AGPK dhe UNDP si dhe fitues i çmimit për raportim më të mirë për të drejtat e fëmijëve të ndarë nga KOMF)

Më Shumë

Paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, Nagavci kërkon maturi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga SBAShK-u të jenë të matur në deklarimet e tyre për protestë...

Policia në Prizren gjobit motoristët kundërvajtës, sekuestrohen disa motoçikleta

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me datë 2 dhe 3 maj 2024 patrullat policore të policisë në kuadër të Njësisë Rajonale...

Lajmet e Fundit