10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

E ardhmja plotë sfida

Jakupkrasniqi10-6Jakup Krasniqi
Data e 17 shkurtit 2008 do të mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës, si kurorë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe dinjitet njerëzor. Shpallja e Pavarësisë ishte akt historik, por të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi, me gjak e sakrifica të panumërta, i ka paraprirë një luftë titanike për jetë a vdekje, që simbolizohet me emrin emblemë të komandantit legjendar, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Sot Kosova përulet me pietet para kujtimit dhe veprave të pashlyeshme të brezave të tërë që u shkrinë për atdheun e tyre, për lirinë dhe përparimin e tij.
Drejtësia e çështjes së Kosovës, mbrojtja e vlerave demokratike botërore dhe e të drejtave njerëzore e bëri një forcën e bashkuar të miqve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian e të NATO-s, e cila iu gjet përkrah Kosovës së sfilitur nga luftërat dhe padrejtësitë e shumta në çastet më të rënda historike. Në këtë ditë solemne, ne u drejtojmë atyre mirënjohjen tonë të thellë, bashkë me zotimin e vendosur për miqësinë dhe bashkëpunimin tonë të përkushtuar.
Gjashtë vjet të pavarësisë, Kosovën e kanë konfirmuar si vend i transformimeve dhe zhvillimit, si atdhe të qytetarëve të barabartë, si faktor kredibil paqendërtues dhe bashkëpunues me demokracitë përreth dhe kudo në botë. Kosova e pavarur për gjashtë vjet rresht, nuk e ka rrezikuar as dëmtuar askënd, sepse ajo si projekt dhe realitet është mbështetur dhe themeluar mbi vlerat e larta të demokracisë moderne amerikane e europerëndimore. Në Kosovë është vendosur rend kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes e demokracisë.
Republika jonë e re ka moshën e një fëmije që sapo fillon shkollën dhe mësimin me plotë jetë e dashuri për ardhmëri. Para saj shpërfaqet në horizontin e kaltër e ardhmja plot sfida, por e sigurt në rrugën e demokracisë. Ne kemi nevojë të mësojmë nga shembujt e mirë, por edhe të këqij, të të tjerëve, kemi nevojë të mësojmë të kaluarën për të mos na u përsëritur historia, as si farsë as si tragjedi, kemi nevojë të mbajmë gjallë amanetin e themeluesve të pavarësisë së Kosovës, për lirinë, për nderin dhe begatinë e vendit e popullit që përfaqësojmë.
Vendi ynë, ka hyrë tashmë në projektin e madh dhe historik të integrimeve euroatlantike. Përcaktimi i vendosur i popullit të Kosovës për vlerat evropiane dhe euroatlantike është baza dhe garancia e këtij projekti. Kushdo nga armiqtë e vjetër apo të rinj, që përpiqet ta shkëpusin Kosovën dhe shqiptarët nga vlerat evropiane do të dështojnë me turp. Pasi vetëm ato vlera na kanë bërë me shtet si para 102 viteve ashtu edhe para gjashtë viteve. Procesi reformues, shpeshherë përcillet me dhembje dhe kosto të lartë, lufta e pa kompromis kundër krimit e korrupsionit dhe sigurimi i sundimit të ligjit e rendit, ngritja ekonomike dhe luftimi i varfërisë e papunësisë, janë padyshim, sfidat më të rënda të Kosovës në rrugën drejt së ardhmes së aspiruar. Dje kemi besuar fuqishëm për të sotshmen që e finalizuam se bashku dhe po e festojmë se bashku, sot duhet te angazhohemi fuqishëm, me guxim e vendosmëri, me dije e përkushtim për të ndryshuar kualitativisht përfaqësimin qytetarë, qeverisjen e vendit për një jetë më te dinjitetshme te njerëzve tanë. Qytetaret tanë e meritojnë një të ardhme më te mirë! Përfaqësuesit e tyre të zgjedhur e kanë për obligim t’ua garantojnë ketë.
Republika e Kosova do t’u qëndrojë besnike vlerave mbi të cilat është themeluar si shtet dhe demokraci, do t’i qëndrojë besnike vetvetes, por edhe miqve të saj, duke qenë në partneritet të plotë me ta në synimin për një shoqëri te hapur dhe një shtet të se drejtës, demokratik e paqësor, të anëtarësuar në OKB e në organizma tjerë ndërkombëtarë. Ky është Atdheu ynë që pret energjitë tuaja për zhvillim e përparim!

Më Shumë

Përfundon zgjedhja e kryetarëve dhe këshillave të bashkësive lokale në Prizren

Pas dy muajsh pune intensive dhe angazhimit të ekipit të kryesuar nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit, Edin Shehu, ka përfunduar me...

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Lajmet e Fundit