14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Arijon Ibrahimoviç debuton me Bayernin, njihuni me talentin me origjinë nga Prizreni

Nuk ka rëndësi nëse talenti rritet në shtëpi, apo evidentohet nga skautët, por vlen të theksohet se është gjithmonë i pranishëm te Bayerni i Mynihut. Ndodh kështu gjithmonë dhe kjo edhe për fakti nëse bavarezët u japin mundësinë të tregojnë veten në fushë.

Nga Jamal Musiala te Paul Wanner, pa harruar Mathyjs Tel, janë disa nga të rinjtë e talentuar që po tregojnë veten në organikën e Bayernit. Më i fundit që u shtohet, është padyshim Arijon Ibrahimovic. Ky i fundit ka tërhequr vëmendjen jo vetëm me mbiemrin, por edhe me atë që ka bërë në ekipet e moshave.

Kush është Arijon Ibrahimovic

Mbiemri shkakton kuriozitet, por Arijon nuk ka asnjë lidhje me Zlatan Ibrahimovic. I njohur edhe si Arijon Ibrahimi, 17-vjeçari është djali i dy prindërve nga Prizreni dhe ka lindur në Nuremberg. Pikërisht këtu ka nisur edhe futbollin me ekipet e moshave.

Më pas kaloi te moshat e Greuther Furth, ndërsa në 2018-ën, kur ishte vetëm 12-vjeç, iu bashkua Bayernit të Mynihut. Arijoni ka luajtur gjithmonë me më të mëdhenjtë, aq sa në moshën 15-vjeçare debutoi në ekipin U19 të Bayernit. Dhe çfarë debutimi, duke dominuar në kampionat, me 7 gola dhe 14 asiste, ndaj lojtarëve tre vite më të mëdhenj.

Hapi i madh

Emri i tij ka qenë gjithmonë në listën e drejtuesve, por edhe në vëmendjen e tifozëve. Megjithatë për herë të parë iu bashkua skuadrës së Nagelsmann në përgatitjet dimërore. Më pas, për shkak të disa të prekurve me Covid-19, trajneri bavarez e mori në pankinë në ndeshjen ndaj Borussia Monchengladbach, bashkë me Paul Wanner.

E nëse ky i fundit debutoi, Ibrahimovic do të duhej të priste ende. Iu desh të qëndronte në pankinë edhe tre herë të tjera, për të ardhur te pasditja e sotme. Me fitoren në xhep, pasi kryesonte 3-0 ndaj Bochum, Nagelsmann vendosi të largojë Sane dhe t’i besojë djaloshit me origjinë nga Prizreni.

Ndërkohë, këtë sezon Ibrahimovic po shkëlqen me skuadrën U19, pasi ka shënuar 15 gola dhe furnizuar 7 asiste. Ai ka debutuar edhe me Gjermaninë U18, duke shënuar që në ndeshjen e parë ndaj Republikës Çeke.

Pikat e forta të Arijon Ibrahimoviç

Arijon Ibrahimovic mund të identifikohet si një mesfushor ofensiv, por shpesh ka luajtur edhe si mesfushor krahu. Megjithatë pavarësisht pozicionit, ka tendencën të futet gjithmonë në brendësi dhe të shkojë deri në zonën kundërshtare.

Pika e tij më e fortë është topi në këmbë: driblimi, kontrolli, teknika në ecje, etj., por edhe goditjet nga distanca, siç tregohet në video. Është një makth i vërtetë për mbrojtësit kundërshtarë.

“Është një futbollist instiktiv, me teknikë të shkëlqyer dhe kupton në mënyrë perfekte lojën. I mjafton një prekje, për të mos humbur ritmin e ndeshjes. Më pas mendon shumë shpejt, është dinamik në duele dhe një goditës i shkëlqyer. I Duhet të përmirësohet vetëm në fazën difensive, kur sulmon kundërshtari”, thotë për të Holger Seitz, drejtori i Kampusit të Bayernit të Mynihut.

Shumë e shohin Ibrahimovic si Leon Goretzkën e ri, më shumë për rolin në fushë, sesa për cilësitë teknike, Megjithatë ka edhe nga ata, që mendojnë se është pasuesi i Thomas Muller. Gjithsesi Arijon ka ende kohë për t’u rritur dhe mbi të gjitha në aspektin fizik, pasi është vetëm 1.76 m. Megjithatë është vetëm 17 vjeç dhe sigurisht që rruga është shumë e gjatë, por vlen të theksohet se të paktën për momentin, është padyshim ajo e duhura./ss

Më Shumë

Thjesht por bukur, ja si duket Shkurte Fejza kur rri në shtëpi

Është një ndër këngëtaret më të dashura të muzikës popullore në vend. Shkurte Fejza vazhdon të jetë shumë e njohur për këngët e saj,. Shkurta vazhdon...

Hajnat futen në tri shtëpi në Rogovë, vjedhin mijëra euro dhe stoli ari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur mbesin...

Lajmet e Fundit