Si komuniteti kulturor ashtu edhe ai sportiv kanë shpresa të mëdha tek ministri i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por këto dy komunitete janë të ndara sa i përket vlerësimit të punës së ministrit paraprak Memli Krasniqi. Përderisa komuniteti artistik nuk është fort i kënaqur me punën katërvjeçare të Krasniqit, ai sportiv uron që ministri i ri të jetë i përkushtuar sikurse Krasniqi.
Kujtim Shala është zgjedhur të martën ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Shala, i cili ka qenë këshilltar i ministrit të Kulturës, Skënder Hyseni, është zgjedhur po ashtu edhe zëvendëskryeministër i vendit nga radhët e LDK-së. Për artistët, megjithëse Shala ka mundësi të ketë vullnet për shtyrjen e proceseve përpara, ai duhet të ketë mbështetje të fortë nga Qeveria që t’i realizojë qëllimet.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se Shala, që është studiues i letërsisë shqiptare, është zgjedhje e shkëlqyeshme për ministër të Kulturës. Sipas tij, puna e parë dhe më e ngutshmja do të duhet të ishte sajimi i gjendjes në disa prej institucioneve kulturore problematike. Ka marrë shembull Tetarin Kombëtar të Kosovës.
Për Nezirajn, Shala duhet të kujdeset mirë për depolitizimin e institucioneve kulturore. Ndërsa kryetari i Forumit Kulturor, Florent Mehmeti, ka thënë se Shala duhet të ketë bashkëpunim të gjerë sidomos me skenën e pavarur kulturore. Edhe Mehmeti ka thënë se duhet të mendohet ndryshe financimi i institucioneve publike të kulturës. Kur ka folur për institucionet kulturore, Mehmeti ka thënë se duhet të shtohen filtrat e zgjedhjes së drejtorëve.
Fuqia politike e ministrit të ri, sipas njohësit të trashëgimisë kulturore Hajrulla Çeku, mund të vijë edhe nga posti i zëvendëskryeministrit, duke e shndërruar kulturën në njërën nga politikat prioritare të Qeverisë.
Lirak Çelaj, kryetar i Unionit të Artistëve të Filmit në Kosovë, ka thënë se nuk e njeh Shalën si menaxher.
“Do të ishte e pandershme që t’i gjykoj aftësitë dhe kapacitet e dikujt, meqenëse nuk e kam parë ndonjëherë që i ka dëshmuar aftësitë dhe kapacitetet në ndonjë institucion, ose unë së paku nuk jam i informuar”, ka thënë Çelaj. Ka uruar që Shala të jetë menaxher i mirë dhe t’ia japë rëndësinë e duhur kinematografisë.
Kujtim Shala (40) është aktivist i kahershëm i LDK-së, anëtar i kryesisë së kësaj partie. Ka qenë kryesues i Grupit të Ekspertëve për Arsim e Shkencë. Ka qenë këshilltar i ministrit të Kulturës, Skënder Hyseni, i cili ka udhëhequr me këtë ministri për një kohë të shkurtër, prej fillimit të vitit 2008 derisa u bë ministër i Jashtëm, në prill të atij viti. Shala, profesor në Fakultetin e Filologjisë, ndër të tjera, ka shkruar veprat “Rugova i letërsisë”, “Prolepsa”, “Prishtina letrare” e “Acta Albanica” etj., përderisa ka fituar edhe disa çmime.
Pritjet e komunitetit sportiv nga ministri i ri, Kujtim Shala, janë të mëdha.
Në shumicë, federatat urojnë Shalën që të vazhdojë rrugën e paraardhësit të tij, Memli Krasniqi.