13.8 C
Prizren
E martë, 28 Maj, 2024

Asllanaj 100 ditë në “përshtatje” të Administratës dhe Arsimit

SaliAsllanaj-ldkSali Asllanaj kryetar i Komunës së Suharekës akuzohet nga opozita dhe mediat lokale se gjatë 100 ditëshit të parë është marrë me largime dhe punësime politike në arsim dhe administratë. Vetë Asllanaj thotë se në administratë ka pasur “hiperpunësim”. Ndërsa për ndërprerjen e projektit të “Caritas-it” që ofronte mësimdhënës të rinj si zëvendësim për mësimdhënësit afër pensionit, thotë se ishte projekt i dështuar. “Caritas-i” në anën tjetër thotë se për këtë projekt “të dështuar” janë të interesuar shumë komuna tjera të Kosovës.

Faik Kryeziu, mësues nga Suhareka, kishte përfituar nga projekti i “Caritas-it”, duke u zëvendësuar nga mësuesja Qëndresa Gashi, ndërsa ky kishte vazhduar ta marrë rrogën si rëndom.

Kryeziu që vitin tjetër del në pension për arsye shëndetësore dhe të pleqërisë kishte kërkuar zëvendësim në Drejtorinë e Arsimit, gjë që i ishte mundësuar falë projektit të “Caritas-it” që kishte punësuar 35 mësues shtesë në Komunën e Suharekës për të zëvendësuar mësuesit pranë pensionit e që për shkaqe të ndryshme kanë pasur problem vijimin e mësimit.

Zëvendësuesja e tij është paguar nga “Caritas-i”, ndërsa mësuesi Kryeziu ka vazhduar të paguhet si gjithmonë nga Buxheti i Kosovës.

Mirëpo me ardhjen e kryetarit të ri të Suharekës Sali Asllanajt, ky projekt nuk është vazhduar më dhe Faik Kryeziut që ka probleme me diabetin dhe frymëmarrjen i është dashur që t’i kthehet sërish ditarit.

Kryeziu thotë se herë pas here e kishte vizituar mësuesen e re dhe nxënësit e tij.

“Unë me sëmundje kam ardhë i kam dhanë këshilla, i kam thanë ato dituritë e mia që të punojë, por edhe ajo me metodat e reja të tanishme ka dhënë një fryt të mirë, një punë të mirë ka dhënë, një arsim të mirë që nxënësit nuk kanë mujt me ra nga suksesi, por vetëm çka janë avancuar”, thotë Kryeziu.
Ai thotë se tash i ka punët më mirë me frymëmarrjen dhe diabetin, mirëpo ka filluar të ketë probleme tjera.

“Tash jam më mirë mirëpo me të pamurit nuk jam mirë, nuk po shoh bash mirë, para pensioni jam, por nuk jam si kam qenë përpara”, thotë Kryeziu

Sali Asllanaj thotë se largimi i 35 punëtorëve nga sistemi i arsimit është pasojë e një projekti të dështuar.

“Kanë qenë mbi 30 punëtorë me kontrata, të themi si asistentë të arsimtarit me projekt të “Caritas-it” që për mu ka qenë një projekt komplet i dështuar”, thotë Asllanaj.

Ai nuk jep shpjegime shtesë se përse ky projekt është i dështuar përveç që përmend keqmenaxhimin.

Por Don Viktor Sopi, drejtues i “Caritas-it” për Kosovë, nuk pajtohet me pohimet e kryetarit Asllanaj.

“Ky nuk ka qenë një projekt i dështuar, por kryetari Asllanaj nuk ka shprehur interesim me bahkëpunu me ‘Caritas-in’ dhe me mbështet arsimin në Komunën e Suharekës, siç kishte shprehur dhe përkrahur këtë projekt ish-kryetari Blerim Kuqi, ndërsa këtë projekt me ngulm janë duke e kërkuar edhe disa komuna tjera siç është Mitrovica, Vitia e Ferizaj”, thotë Viktor Sopi.

Projekti i “Caritas-it” parashihte pagesën e mësimdhënësve të rinj deri në pensionimin e atyre të vjetërve. Ndërsa më tutje këta mësimdhënës do t’i paguante Drejtoria për Arsim, e cila edhe ka bërë përzgjedhjen e tyre.

Përveç largimit të këtyre 35 mësuesve dhe të disa punonjësve të administratës, Sali Asllanaj nuk ka me çka të mburret për 100 ditëshin e qeverisjes së tij. Edhe ai vetë e pranon që për këto 100 ditë ka bërë punë që nuk janë shumë popullore dhe të lëvdueshme.

“Unë mendoj që në këtë fazë prej 100 ditësh janë disa punë që i kemi berë që nuk janë shumë popullore, nuk janë për t’u lavdëruar, por kemi bë punë që është dashur m’u bë, si për shembull kemi larguar nga administrata komunale hiperngarkesën e të punësuarve, sepse në administratën komunale kanë qenë mbi 50 të hiperpunësuar me kontrata joligjore”, thotë Asllanaj.

Por Bali Muharremaj nga AAK-ja, e akuzon kryetarin se këto largime nga puna janë me prapavijë politike.

Ai thotë se janë larguar drejtorë shkollash për t’u zëvendësuar me drejtorë të zgjedhur në baza partiake.

“Duhet me këqyr pak, disa njerëz kanë punuar me vite të tëra, disa kanë 22-23 vjet përvojë pune. Si ka mundësi që për tre muaj m’u largu, si ka mundësi për 20 vjet me qenë të mirë e qysh po ban tash për tre muaj pa përformancë m’i largu prej punës”, pyetet Muharremaj, i cili përmend tre drejtorë të larguar deri më tash, ndërsa siç thotë ai pritet edhe largimi i disa të tjerëve.

Por Kryetari i Suharekës, thotë se nuk ka larguar asnjë drejtor nga puna, vetëm janë “ndërruar”.

“Asnjë drejtor nuk e kemi shkarkuar, kemi bërë ndoshta ndërrime-masë të përfundimit të kontratave, i ka kaluar kontrata katërvjeçare, ku kërkohet konkurs i ri dhe kritere tjera, po kushtimisht asnjë drejtor nuk e kemi larguar nga puna, nëse vlen me përmend që kemi larguar, kemi larguar që ka qenë në kundërshtim me ligjin, pikërisht deputeten Kimete Bajraktari, që ka qenë edhe shërbyese civile edhe deputete”, thotë Asllanaj.

Remzi Bytyqi, ka qenë drejtor i Shkollës së Mesme Teknike “Skender Luarasi”, në Suharekë prej themelimit të saj para 20 vjetësh, ndërsa tash me ardhjen e kryetarit Asllanaj nuk i është vazhduar kontrata.

Ai nuk e di arsyen e saktë të largimit të tij, por dyshon se mosangazhimi i tij politik gjatë zgjedhjeve ka pasur ndikim në këtë vendim të Drejtorisë Komunale për Arsim.

“Por nëse e ka karakterin politik po them shumë sinqerisht, unë kam qenë në LDK, jam në LDK dhe do të mbetem në LDK dhe nuk ka mundësi që unë të kaloj në parti tjetër“, thotë Bytyqi.

“Asllanaj nuk dallon nga Kuqi”

Brahim Thaçi, gazetar i pavarur nga Suhareka thotë se 100 ditët e kryetarit Asllanaj nuk dallojnë nga 100 ditëshi i ish-kryetarit Blerim Kuqi, pasi që siç thotë ai kanë qenë të destinuara vetëm në adaptimin e administratës në funksion të tyre.

“Ky 100 ditësh mund të them se është i njëjtë edhe me 100 ditëshin e qeverisjes së kaluar të Blerim Kuqit, të dy qeverisjet si ajo e Blerim Kuqit dhe e z. Asllanaj kane qenë të destinuara në ndërrimin e posteve publike dhe nëse mund të them kështu, në adaptimin e administratës së tyre në funksion të asaj se si do ta menaxhonin komunën”, thotë Thaçi.

Sali Asllanaj në anën tjetër thotë se përveç largimit të siç i quan ai të “hiperpunësuarve” gjatë 100 ditëshit të parë ka përmbushur edhe një premtim që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Ai thotë se ka mbajtur premtimin për dyfishimin e bursave, ku nga 70 sa ishin më parë tash ka rritur numrin në 158.

“Punë tjetër me sukses kemi be edhe transportin për të gjithë nxënësit të cilët kanë një distancë të caktuar nga shkolla fillore dhe mendoj që kemi bërë një zgjidhje të mirë, sikur kemi bërë menjëherë fillimin e projektit për shpërndarjen e subvencioneve në bujqësi, të cilat i kanë përfitua 60 bujq-ndihmë në plehra artificialë dhe fara të patateve”, thotë Asllanaj.

Ai thotë se gjatë këtij 100 ditëshi është marrë edhe vendimi që ta rikthejë administratën e ofiqarisë nëpër bashkësi lokale.

Por këto arritje të Asllanajt i hedh poshtë ish-kundërkandidati i tij. Muharremaj thotë se më shumë sesa rritja e numrit të bursistëve çon peshë nisja e mandatit me shkelje të ligjit, duke nxjerrë vendim jashtëtenderues për dhënien e bufesë së komunës bashkëfshatarit të tij.

“Për mu për 100 ditë nuk ka bë kurrgjë, vetëm është marrë me disa punë që më të vërtetë nuk i kanë hije një kryetari të komunës, në rend të parë, ka bë shkelje menjëherë si ka ardhë në kuvendin komunal për dhënien e bufesë pa tender”

Leonard Shala nga qendra e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Suharekë thotë se kryetari ka anashkaluar ekspertët e fushave të ndryshme gjatë zgjedhjes së drejtorëve si dhe siç thotë ai është bërë diskriminim gjinor në këtë rast.

“Me një fjalë është komplet administrate e politizuar, asnjë drejtori nuk udhëhiqet nga femrat, besojmë që është një diskriminim gjinor gjithashtu”, thotë Shala

Edhe Shala përmend emërime politike të drejtorëve të shkollave, si dhe dhënien e bufesë bashkëfshatarit të Asllanajt

Për dhënien e bufesë së komunës një bashkëfshatari të Asllnajt, gazeta Jeta në Kosovë, ka raportuar më 12 shkurt të këtij viti.

Po ashtu gazeta ka raportuar më 13 mars edhe për ndryshimet politike që ka bërë kryetari Asllanaj në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi gjatë 100 ditëshit të tij dhe shkeljet ligjore që kishte bërë me këto ndryshime.

Sali Asllanaj nuk kishte pranuar atëherë se ka bërë emërime politike dhe nuk pranon as tash se drejtorët e departamenteve komunale nuk janë ekspertë të fushave të ndryshme.

“Nuk e di si e mendon opozita ekspertizën, unë mendoj që nëse drejtor për urbanizëm vjen dikush me profesion arkitekt, ose në shërbimin pronësoro-juridik vjen jurist, ose në inspekcion vjen jurist, në shëndetësi vjen një sociolog, kushtimisht mendoj që është një ekspertizë e mjaftueshme, sepse janë emërime politike”, thotë Asllanaj.

Sipas tij nuk është e thënë që ekspertiza të jetë gjithmonë maksimale. Asllanaj po ashtu thotë të ketë pasur telashe në emërimin e drejtorëve, meqë shumë kandidatë kanë refuzuar këto poste, sepse siç thotë ai kanë pasur benificione me të mira në vende tjera të punës.

Ndërsa sa i përket faktit që asnjë drejtori nuk udhëhiqet nga femrat, kryetari Asllnaj thotë të jetë fatkeqësi.

“E pranoj që është fatkeqësi, sepse nuk kemi mundur të gjejmë që së paku njëra nga femrat ta udhëheq një drejtori…Ju garantoj opozitën dhe gjithë qytetarët e komunës që së paku me tri zonja të nderuara që kanë kualitet profesional kam biseduar dhe u kam ofruar që të jenë drejtoresha, por për arsye të veta, e ndoshta që janë më komode në punën që kanë, nuk kanë pranuar”, thotë Asllanaj.

Përveç opozitës, edhe qytetarët e Suharekës mendojnë se për këto 100 ditë nuk ka pasur ndonjë ndryshim të vërejtëshëm

“Po realisht unë në këtë qytet jetoj dhe nuk kam pa ndonjë ndryshim të madh në këtë mandat që ka fillua. Në bazë të atyre premtimeve besoj që ka mu bë diçka, mirëpo unë nuk kam pa ndonjë gjë të madhe, nuk kam pas as një lëvizje të vetme”, tha Besim Kodra nga Suhareka.

Disa nga premtimet kryesore të Sali Asllanajt kanë qenë rregullimi i të gjitha rrugëve malore, rregullimi i kanalizimit dhe ujësjellësit në të gjithë fshatrat dhe avancimi i ekonomisë së vogël, përmes lehtësirave administrative e tatimore.

Por për asnjërin nga këto premtime Asllanaj nuk ka caktuar ndonjë periudhë kohore, përveç asaj që i imponon mandati katërvjeçar.

“Një pjesë të tyre veç kemi filluar mi realizua, pjesën tjetër kemi aplikua që t’i realizojmë siç është turizmi rural, pjesën e zhvillimit ekonomik jemi duke punuar dhe kemi aplikuar pikërisht në zhvillimin e infrastrukturës në zonën industriale që të jetë sa më e përshtatshme për zhvillimin e biznesit dhe gradualisht për katër vjetët e ardhshëm, sepse nuk mund të mendohet që ne për tre muaj të zgjidhen të gjitha problemet e komunës”, thotë Asllanaj.

Ai thotë se mandati i tij ka filluar me një dinamikë shumë të shpejtë dhe se pretendon që ta mbajë këtë dinamikë për katër vjet.

Megjithatë, ai thotë se nuk pretendon që të bëj mrekulli, por se do të krijojë një ambient të mirë për bizneset.

Sali Asllanaj i LDK-së doli fitues i zgjedhjeve në Komunën e Suharekës, duke e mundur në balotazh bashkëfshatarin e tij Bali Muharremajn e AAK-së.

Ai ka qenë kryetar i Komunës së Suharekës edhe më herët: prej vitit 2002 deri në vitin 2009, kur u mund nga Blerim Kuqi i AAK-së./Gazeta Jeta ne Kosove/

Më Shumë

A do të luajë Mbappe në finalen e Kupës? Përgjigjet Enrique

Paris Saint-Germain mbylli me sukses Ligue 1. Skuadra nga kryeqyteti francez mbeti e pamposhtur jashtë shtëpisë në ndeshjet e ligës dhe tani po përgatitet...

Osmani në 25 vjetorin e Masakrës së Tusuzit: Vendosja e drejtësisë për viktimat është përkushtim i çdoditshëm i yni

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka përkujtuar viktmat e Masakrës Tusuz (Lagjja e Trimave) në Prizren. Më 26 maj 1999-të, atje forcat e regjimit...

Lajmet e Fundit