-0.2 C
Prizren
E martë, 19 Nëntor, 2024

Babai dëshmon për djalin e vrarë në Prizren: Tri herë u çova njerëz për t’u pajtuar

Të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prizrenit dëshmoi dëshmitari Xhevat Shishko, babai i të ndjerit Ferdi Shishko, i vrarë në mars të vitit 2015 në Prizren.

Dëshmitari para trupit gjykues deklaroi se djali i tij, Ferdi, disa herë kishte pasur probleme me qytetarë të ndryshëm.

Shishko, tha se ka qenë në dijeni edhe për konfliktin që kishte pasur djali i tij Ferdi me të akuzuarin Eshref Shemallarin, të cilin tha se e kishin rrahur shumë, por nuk e dinte se me kë kishte qenë Ferdi, ngase për rastin tha se vetëm kishte dëgjuar nga të tjerët.

Eshref Shemallari dhe Ejup Shemallari akuzohen se më 8 mars 2015, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme, privuan nga jeta Ferdi Shishkon, Haki Thaqin dhe Bergin Ersoyn, që të tre nga Prizreni.

Dëshmitari tha se pas konfliktit që kishte pasur djali i tij, Ferdi, disa herë kishte dërguar njerëz sipas traditës për t’ia falur, mirëpo për dy vite me rradhë familja Shemallari e kishin lënë pa përgjigje.

“Kam kërku falje, i kom çu njerëzit me ma falë, njerëzit shkojshin e vinin po kurgjo, thojke jo e kam vëllaun në Gjermani. Sërish i kam çu njerëz, po ai kërkojke thojke vec kush e ka shti (Ferdin) me e rreh Eshrefin”, tha Xhevat Shishko.

Dëshmitari tha se Ferdin aksush nuk e ka shtyrë për t’u rrahur me Eshrefin, dhe se sipas fjalëve që i kishte thënë Ferdi gjithcka tha se kishte ndodhur rastësisht.

Të mërkuren ishte planifikuar që të dëgjohet edhe dëshmitari Ejup Shemallari, mirëpo për shkaqe shëndetësore ai nuk kishte ardhur në gjykatë.

Prokurori Genc Nixha insistoi që deklarata e dëshmitarit Shemallari mos të lexohet por të dëgjohet për seancën e radhës.

“Unë desha që sot të propozoj që të lexohet deklarata e dëshmitarit, ngase në deklaratën e tij i njëjti nuk ka kontestuar faktin se kanë shkuar njerëz në shtëpinë e tij, mirëpo siç ka deklaruar ‘kanë ardhë për të kërkuar falje për sulmin mirëpo jo edhe për t’u pajtuar’ në këtë rrethanë kisha dashtë ta pyes dëshmitarin se çka ai ka nënkuptuar me këtë”, tha prokurori.

Propozimin e prokurorit nuk e kundërshtoi mbrojtja, ndërsa trupi gjykues e refuzoi me arsyetimin se gjykata ka bërë mjaft përpjekje për ta ndëgjuar këtë dëshmitar.

Procedura gjyqësore vazhdoi me leximin e shkresave të lëndës.

Eshref Shemallari dhe Ejup Shemallari akuzohen për shkelje të Kodit Penal të Kosovës, pasi që më 8 mars 2015 rreth orës 14:10 minuta në Prizren në rrugën “Ismet Jashari-Kumanova”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake të mëhershme, me dashje privuan nga jeta tani të ndjerët Ferdi Shishko, Haki Thaqi dhe Belgin Ersoj, të gjithë nga Prizreni.

Incidenti kriminal, i cili ishte temë e diskutimeve të shumta për shkak të të kaluarës recidiviste të të vrarëve, tashmë është drejt fundit të gjykimit në Gjykatën e Prizrenit./kallxo.com/

Më Shumë

LDK-ja mobilizohet për tubimin e 18 nëntorit në Prizren

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren është duke u mobilizuar në përgatitje për tubimin që do të mbahet më 18 nëntor...

AKK: Buxheti 2025, i pamjaftueshëm për komunat

Buxheti vjetor komunal është thelbësor për financimin e projekteve të ndryshme. Ai siguron shërbime cilësore për qytetarët dhe kontribuon në zhvillim ekonomik në nivel...

Lajmet e Fundit