10.3 C
Prizren
E premte, 31 Tetor, 2025

Balotazhi i hipokrizisë

Në prag të balotazhit të 9 nëntorit po ndodhin aleanca, të cilat vetëm disa javë më parë do të dukeshin absurde. Partitë, të cilat në Prishtinë e akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, krim e tradhti kombëtare, po bëhen bashkë nëpër komuna. Kjo nuk është pjekuri politike, por dëshmi e mungesës totale të parimeve.

Imer Mushkolaj

Prej nëntë muajsh Kosova është peng i pamundësisë për të krijuar një qeveri. Të gjithë i fajësojnë të tjerët për krizën, ndërsa asnjëri nuk merr përgjegjësi. Dëgjojmë çdo ditë deklarata për zgjedhje të reja, për “mungesë besimi” dhe për “parime që nuk ndryshojnë”. Por mjafton të shikojmë vetëm një nivel më poshtë – atë lokal – për ta kuptuar se e gjitha është teatër politik. Në komuna, aty ku janë në lojë karriget e kryetarëve, parimet zhduken, etiketat harrohen dhe “armiqtë” politikë bëhen miq për një ditë. Në prag të balotazhit të 9 nëntorit po ndodhin aleanca që vetëm disa javë më parë do të dukeshin absurde. Partitë, të cilat në Prishtinë e akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, krim e tradhti kombëtare, po bëhen bashkë nëpër komuna për ta ndalur kundërshtarin e përbashkët.

AAK dhe Vetëvendosje, të cilat në nivel qendror s’e kursejnë njëra-tjetrën me akuza e fyerje, po gjejnë mënyra për të bashkëpunuar në disa komuna. Deri dje, njerëzit e AAK-së ishin “kriminelë”e “hajna”. Sot, papritmas, janë “partnerë lokalë” me të cilët mund të arrihet një “marrëveshje për të mirën e qytetarëve”. Një ndryshim befasues i tonit, që s’e shpjegon dot askush me logjikë politike, por vetëm me interes.

E njëjta ndodh edhe me partitë tjera. LDK, e cila e shet veten si alternativë e qendrës, në disa komuna po bashkëpunon me PDK-në, me të cilën s’ka mundur të bëjë marrëveshje në nivel qendro. Edhe PDK, e cila në nivel nacional e sheh Vetëvendosjen si “rrezik për shtetin”, në nivel lokal, ta zëmë në Dragash, po vepron njësoj. Nëse kjo nuk është hipokrizi politike, atëherë çfarë është?

* * *

Në Kosovë morali politik është gjithmonë fleksibil. Varet nga komuna, nga kandidati, nga përqindjet e votave. Ajo që në Prishtinë është “krim”, në Deçan bëhet “bashkëpunim i arsyeshëm”. Ajo që në Pejë është “tradhti ndaj elektoratit”, diku tjetër shitet si “marrëveshje për zhvillim lokal”. Në fakt, kjo hipokrizi është bërë pjesë e natyrshme e politikës kosovare. Askush më nuk befasohet kur sheh dy parti që deri dje e urrenin njëra-tjetrën, të përqafohen sot për një mandat më shumë. Partitë e kanë kuptuar se votuesi harron shpejt. Disa deklarata për “të mirën e qytetarëve” dhe për “unitetin lokal” mjaftojnë për t’i arsyetuar paktet më të pakuptimta.

Në balotazh nuk garojnë më idetë, por interesat. Nuk votohet për programe, por për matematika. Kush ka më shumë vota, kush mund t’i bashkojë më lehtë të pakënaqurit e tjetrit. Në këto pazare politike vlerat janë mall që blihet e shitet lirë. Ndaj nuk është çudi që shumë qytetarë e kanë humbur besimin se politika mund të ndryshojë diçka. Sepse kur sheh se dikush që dje quhej “tradhtar” sot bëhet “partner strategjik”, e kupton se gjithçka është lojë.

Këto koalicione lokale nuk janë shenjë e pjekurisë politike, siç duan t’i shesin disa, por dëshmi e mungesës totale të parimeve. Një parti që sot bën pakt me atë që e ka quajtur “kriminel” apo “njeri të Serbisë”, s’mund të flasë nesër për drejtësi e integritet. Megjithatë, pikërisht kështu veprojnë. Pasi të përfundojë balotazhi, të gjithë do t’i kthehen fjalorit të vjetër: do ta akuzojnë tjetrin për gjithçka, do të flasin për moral, për luftë ndaj korrupsionit, për shtet ligjor.

Në fakt, ky është paradoksi i politikës kosovare: sa më shumë që betohen për parime, aq më shpejt i shkelin ato. Në nivel qendror thonë se nuk mund të ulen bashkë, në nivel lokal i bashkon “interesi i qytetarëve”.

Në këtë lojë, humbësi i vetëm është qytetari – ai që ende beson se politika mund të ketë dinjitet. Por derisa partitë të vazhdojnë t’i shohin zgjedhjet si treg, ku gjithçka blihet e shitet sipas interesit të ditës, çdo balotazh do të jetë vetëm një shfaqje e re e të njëjtit teatër të vjetër. https://www.dukagjini.com/balotazhi-i-hipokrizise/

Më Shumë

Rahoveci 029 sfidon Prishtinën sonte në “Mizahir Isma”

Sonte nga ora 19:00, palestra “Mizahir Isma” në Rahovec do të presë përballjen e xhiros së tretë të Superligës, ku Rahoveci 029 do të...

Komuna e Prizrenit vazhdon ndërhyrjet pas vërshimeve në qytet dhe rrethina

Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit po vazhdon me intensitet të lartë ndërhyrjet në zonat e prekura nga vërshimet. Për të përmirësuar...

Lajmet e Fundit