Ramiz LUSHAJ
1.
Pamëdyshje e qartas, qyshse nga vizita e të parit president amerikan në detyrë Xhorxh Ë. Bush në Shqipëri më 10 qershor 2007, në skenën politike e në rrethe publike 33 vjeçari Lulzim Basha, kësokohe në moshën e martirizimit të Krishtit, po shihej në përditësi si pasardhës i Sali Berishës jo vetëm në Partinë Demokratike. Mediat e radarën dhe i paraprinin këtij realiteti në ecuri kohore deri me cilësime ndaj Bashës si “djalë i artë i Demokracisë”, “princ i integrimeve shqiptare”, etj., apo diplomacia amerikane si “një yll në ngjitje”. Këto, përveç sulmeve të kundërshtarëve politikë të majtë, i oazuan cmirë politike edhe brenda PD-së, aqsa ndokush në kryesinë e saj i artikulonte marazet e tallazet e veta me zë e figurë edhe në televizione, po antarësia demokrate e simpatizantë të Bashës nuk i vuni si kandidat rival “të rrezikshëm” në anën tjetër të peshores politike asnjanin prej këtyre figurave të së djathtës, veçse i artikulonin me thaniet: “ai/ajo e ka inat”, etj., dhe ndokujt këto qëndrime iu kthyen edhe në bumerang politik.
Në PD, tashma, në harkun kohor prej rreth shtatë vitesh, ekziston “Fryma Basha” për zgjedhjen e tij kryetar i saj, e cila është një frymë e shumëfishtë: kombëtare-shqiptare dhe euro-atlantike, politike e publike, e cila nuk është çështje vetjake e karierës së Bashës në protoganizmin e tij si kandidat potencial, nuk është në dëshirën apo në duart e Berishës ose ndonjë “klani oligarko-partiak!” (siç pretendon, kryesisht e majta).
“Fryma Basha” u shfaq në disa evente të mëdha: qyshse më 2005 kur PD ishte në opozitë dhe Lulzim Basha ishte kordinator i KOP, zëdhënës i fushatës së PD dhe u zgjodh deputet i Tiranës; qyshse më 2009 kur kryesonte fushatën e listën e PD-së në Qarkun e Elbasanit; qyshse më 2011 kur garoi fitimtar për kryetar i metropolit shqiptar përballë kryetarit të PS-së Edi Rama, të cilave iu dha fytyrën dhe formën e vet. Përkundrazi: rivali i tij Sokol Olldashi, ndonëse një vlerë e çmuar e PD-së, pavarësisht nga vitet e postet kontributive në PD, nuk ka arritë të krijojnë një frymë të tillë me emrin e tij.
Natyrisht “Fryma” të tilla tradicionalisht çojnë në fitore, prandaj dhe “Fryma Basha” është vet “frymëmarrja elektorale e PD” më 22 korrik 2013, është “Fillimi i Ri” dhe vizionet e reja të PD si për zgjedhjet vendore (2015) e ato parlamentare (2017), shpirti e ritme të së cilës prej kohësh po ravijëzohen edhe si “Frymëzimi Basha”.
2.
Kryeministri në detyrë Sali Berisha, krijoi epokë në historinë shqiptare, po me dorëheqjen nga kreu i PD-së, ky lider historik i saj, solli një boshllek të menjëhershëm e tejet të madh në këtë forcë politike historike mbi dydekadore. “Ndoshta, siç thotë Olldashi – mundej që Berisha ta caktonte vet pasardhësin dhe ne do ta pranonim realisht”.
Një kandidat i vetëm, qoftë edhe i formatit të madh si Lulzim Basha, në elektoriadën partiake nuk do ta mbushte krejtësisht këtë vakum shumëdimensional dhe fitorja e tij pa rival përballë do të ndiqej me bjerrje soliditeti, veçanarisht nga ndonjë oponent apo oponencë e tij brenda PD-së.
Prania në garë edhe e Sokol Olldashit, rreth 6 vjet ministër i Transporteve e Punëve Publike, i bante nder procesit elektoral, plotësonte ndjeshëm vakumin e lidershipit historik, po ky kandidat deri ditët e fundit të mbylljes së fushatës nuk ia arriti të krijonte një imazh real, të bindtte thellësisht e gjerësisht antarësinë (e publikun) se nuk ishte në “garë-lojë”, por në betejë elektorale.
Një nga arsyet elektorale të mos krijimit të imazhit si kandidat real ishte edhe fakti se në shumtën e rasteve Olldashi hulmonte e privatizonte ide nga platforma e Bashës dhe i ripërseriste pas tij si “të vetat” (!) Dy nga disa filozofi të elektoriadës së Lulzim Bashës u “privatizuan” nga Sokol Olldashi, aqsa në media e publik komentohej: “Çfarë thotë Luli e thotë Sokoli”. Filozofia “Fillimi i Ri” që Basha e artikuloj disa herë më 3 korrik 2013 në fjalën e tij të shpalljes së kandidaturës për kryetar i PD, Olldashi e bani pjesë të logos të fushatës së tij në të gjitha qarqet e Shqipërisë.
Filozofinë e elektoriadës së Bashës për kryebashkiak i Tiranës “Qytetari, i pari”, që e riformuloi edhe për antarësinë e Partisë Demokratike, e kapi edhe Olldashi dhe e tjerrnoi në këtë linjë.
Imazhi i liderit Lulzim Basha ishte i formësuar në vetëdijen politike partiake të demokratëve si kryetar i pritshëm i tyre (pas largimit të Berishës), sepse nga një gjimnazist në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit ’90 arriti të jetë në dy vitet e fundit kryetar i bashkisë së kryeqytetit dhe prej shtatorit të sivjetëm do të jetë figura shtetërore-politike më e madhja e PD-së në opozitë si kryetari i bashkisë , arriti të jetë lideri më i votuar i demokratëve në kryesinë e partisë (2011), një nga ministrat ma të suksesshëm të 100 viteve të shtetit shqiptar të pas Pavarësisë.