-0.3 C
Prizren
E shtunë, 18 Janar, 2025

“Ben Blushi më dhuroi për ditëlindje Vepra 19 të Enverit”

PYETESORI I LIBRIT/ AGIM DOKSANI

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Romani Pse i Sterjo Spasses.

–Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Autori i mirë mbetet gjithnjë i tillë, pavarësisht gjinisë që lëvron.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo, sepse një pjesë janë literaturë në rusisht, e trashëguar nga babai.

–Libri i parë që keni lexuar…

Megjithëse nuk jam shumë i fortë në kujtesë, por besoj, ndonjë libër për fëmijë. Gjithsesi, libri që më ka lënë mbresë të pashlyeshme është Xinxifillua i Mitrush Kutelit, libër që i ka dhënë trajtë formimit të hershëm gjuhësor dhe krahë fantazisë fëminore.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Si familje letrarësh (babai redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”), librat gjithnjë i kam pasur me bollëk dhe nuk e kam provuar joshjen e kursimit për të blerë një libër (ndoshta do të më shijonte më tepër kjo e fundit).

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Kam pasur fatin të kem qenë student me bashkëmoshatarët e mi (Blushin, Bushatin, Fevziun, Shkullakun, Ardian Kyçykun), me të cilët jo thjesht ndanim libra, por edhe ide e debate pa fund me një cigare e ndonjë gotë. Të paharrueshme mprehtësia dhe nuhatja për letërsi e Blushit, shpirti poetik i Ardian Kyçykut dhe biblioteka fort e pasur, sidomos literaturë frënge, e Bushatit.

–A keni pasur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po, megjithëse brezi ynë më shumë ka ndarë libra mes vedit, sidomos ndonjë shkrimtar të ndaluar. Ka qenë sharmi i asaj kohe, por edhe një mënyrë për t’u dalluar nga të tjerët.

–A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Brezi ynë bibliotekën e shfrytëzonte kryesisht për sezone provimesh, sidomos atë të ish-pallatit “Ali Kelmendi” (Estrada e dikurshme). Ishte një vend i spikatur studimi dhe socializimi.

Sot, me keqardhje e them, bibliotekën e frekuentoj vetëm kur shkoj për ISBN e ndonjë botimi të Institutit.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?

Po. Gjeniu i Teodor Drajzerit. Ia kam marrë një shoku të gjimnazit dhe aq fort më joshi sa nuk ia ktheva më. Gjithsesi i thashë, nuk ta kthej se më pëlqeu shumë. Pra, hajni konsensuale, le te themi.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Pas humbjes së Aventurat e Hakelberri Finit (ia dhashë një vajze që e pëlqeja dhe s’guxova t’ia kërkoja më) nuk u kam dhënë libra të tjerëve.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?

Për ditëlindjet e 1968-s kjo pyetje e ka të nënkuptuar një PO të plotgojshme. Kësi librash ishin për ne si oazi në shkretëtirë, ku njomnim sadopak zhuritjen socrealiste ku jetonim.

Duke filluar nga Gjeniu i Drajzerit (s’di pse e ndalonin e atë libër!), Kundera shumë në modë asokohe me Shakaja, por sidomos Jeta është gjetiu, I huaji i Kamysë, ideali i rinisë sonë, Miti i Sizifit, që asokohe nuk arrita ta zbërtheja dot (ndoshta ende as sot) dhe që aq thellë më zhyste në mendime duke më dëmtuar edhe shëndetin (cigaret litar), por edhe Kalvino, Buxati, Elsa Morante, Alberto Moravia, Ennio Flaiano.

Në librat e ndaluar, megjithëse i lejuar, do të rendisja edhe Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, për mua një maskëçjerrje e hapur e falsitetit të kohës (censori i asokohshëm duhet të ketë qenë sylesh, ose Dritëroi me pozita të forta).

Dy fjalë për leximin e librave të ndaluar asokohe: nuk ishte thjesht lexim, por edhe përbrendësim i personazheve, ndoshta edhe me naivitet rinor (pas skenës së varrimit të nënës së Mersosë [I huaji] e kam parë time më me shpërfillje filozofike plot gjashtë muaj! Qesh kur e kujtoj!)

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Për mua çdo libër i dhuruar është vlerë dhe mbetet dhuratë e çmuar, pavarësisht vlerës që ka. Më cingëris paksa debati libër i mirë/libër i keq. Nuk ka libër të keq, ka lexues të keq! Libri është si piktura, apo muzika apo çdo formë e shprehjes shpirtërore, dhe unë e shoh thjesht si një shpërfaqje këndvështrimi, botëkuptimi, emocioni, arsyetimi të dikujt. Si në jetë, ku të rastis të bisedosh me të mençur e teveqelë, por të gjithë duhen dëgjuar sepse gjithçka është përvojë. Varet nga mënyra sesi ti vetë e përtyp dhe e përbrendëson kumtin.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Zakonet e leximit them se ndryshojnë me moshë. Në rininë e hershme, shtrirë e në gjithfarë pozicionesh duke masakruar sytë…

-A lexoni në banjë?

Çdo ditë. Vendi ideal për reflektim. Mbaj zakonisht përkthime të miat, të cilave u rikthehem dhe për çudi, vazhdimisht gjej gjëra për të ndryshuar e përmirësuar (aksh koncept apo ide mund ta kisha shprehur ndryshe, kjo fjalë s’më duket e goditur, mund ta shprehja kështu apo ashtu), shkurt fjala, trazime të zanatit që s’di pse, po në banjë më dynden më vrullshëm në kokë. Sinqeritet i pavend ndoshta, po nejse.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Italishtja është gjuha që shijoj, anglishtja më duket gjuhë e thatë, gjuhë konferencash dhe workshop-esh.

-Ç’libër keni në duar aktualisht?

Francesco Piccolo, Çaste lumturie të papërfillshme.

–Mbani shënime kur lexoni?

Kurrë. Leximi është kënaqësi mbi të gjitha, po mbajta shënime më duket pune.

–Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

S’mund të bëhet ky dallim. Çdo mbresë e hedhur në letër bukur është visar, pavarësisht gjinisë.

Jo gjithnjë. Më pëlqen të lexoj autorë të ndryshëm për të përthithur impresione dhe ide njerëzish të ndryshëm. I druhem edhe zhgënjimit të librit të dytë apo të tretë, se mos ma zvjerdh kënaqësinë e të parit që kam lexuar nga një autor i caktuar. Më ka ndodhur me Kadarenë. Dimri i vetmisë së madhe (mbresa të pashlyeshme) Koncert në fund të dimrit (zhgënjim).

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Ia rezervoj vetes këtë gjë. Kurrsesi s’do t’i rekomandoja kurrkujt një libër. Ndoshta një sugjerim fare të vagullt dikujt.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

E pamundur të ekzistojë një i tillë.

–Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?

Do t’i fusja të gjithë dhe do lija jashtë gjithçka tjetër.

-Na thoni një maksimë për librat, që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Po citoj të madhin Fabrizio De Andre…“Kaq fort ëndërrova, sa gjaku çurg hundës më shkoi”.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Nuk më pëlqen të mësoj përmendësh poezi. Na kanë keqtrajtuar që në fëmijëri me këto broçkulla. Të mësuarit përmendësh më duket punë manjakësh!

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Merso, I huaji.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Një dhuratë nga Ben Blushi. Vepra 19 e Enver Hoxhës, për ditëlindje! Gallatë, kuptohet, bënim dhurata kuptimplote asokohe!

Më Shumë

Dita e sotme e vranët, mëngjesi me ngrica dhe mjegull

Gjatë ditës së shtunë, në Kosovë parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë mëngjesit dhe natës priten ngrica...

Miqësore në Durrës, Liria e Prizrenit mposhtet 1-5 nga Ferizaj

Liria e Prizrenit ka pësuar humbje me rezultat 1-5 ndaj Ferizajit në një ndeshje miqësore të zhvilluar sot në stadiumin “Tropikal” në Durrës. Golin e...

Lajmet e Fundit