Asnjë presje nuk kanë ndryshuar deputetët e NISMA-s nga rezistenca kundër demarkacionit me Malin e Zi ka thënë deputeti i këtij subjekti politik Zafir Berisha.
Ai ka thënë se kundërshtimi do të vazhdojë edhe në seancën e ardhshme, nëse mbahet këtë të enjte dhe vendos qeveria ta procedojë.
“Ne e kemi kundërshtuar shumë arsyeshëm dhe asnjë presje nuk e kemi hequr nga rezistenca jonë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të vendit i cili është vu në pikëpyetje me marrëveshjen e dëmshme të demarkacionit”, ka thënë Berisha për lajmi.net të martën pasdite.
Berisha mendon se kjo qeveri është krijuar për interesin e dy personave dhe i ka zgjat mandati më shumë se sa do të duhej.
“Bile shumë e ka zgjat, prej kur është krijuar kjo qeveri ka qenë për interesat e dy personave, Hashim Thaçi të bëhet president dhe Isa Mustafa kryeministër, normal edhe pakurrizorët përrreth tyre”.
Deputeti i NISMA-s ka thënë se janë të bindur që demarkacioni ka vetëdijesuar pjesën më të madhe të deputetëve dhe për këtë arsye nuk do të përdorin metoda jo demokratike për ta kundërshtuar në Kuvend.
“Me mjete demokratike, sepse jemi shumë të bindur se ka vetëdijesim shumë të lartë dhe të deputetëve të mazhorancës, kështu që metodat jo parlamentare nuk do të ketë nevojë të përdorën”.
Berisha shpreson se një pjesë e deputetëve të pozitës do të votojnë kundër, e edhe ata që votojnë pro, sipas tij, janë të shantazhuar.
“Jam i bindur se kundër do të votojnë edhe një pjesë e deputetëve të pozitës, sepse e kanë thënë me vetëdije, e edhe ata që mund ta votojnë këtë version të gabuar janë nën presionin e shantazhin e shefave të tyre, përndryshe edhe ata janë të vetëdijshëm që nuk bën ky version i demarkacionit të votohet”, ka thënë Berisha për lajmi.net.
Deri më tani qeveria nuk ka dhënë ndonjë sinjal se kur do të mund të procedohet demarkacioni me Malin e Zi në Kuvend./Lajmi.net/