Ish-komandanti Rrustem Berisha, i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, e kujton me nostalgji Betejën e Koshares.
Ai në një prononcim për “Zërin”, ka thënë se kjo ditë ishte e veçantë për të gjithë luftëtarët e asaj zone, pasi që, siç u shpreh ai, ishte dita kur u hoq kufiri shqiptaro-shqiptar.
Kur kujtohet Beteja e Koshares, Berisha thotë se për këtë betejë ndjenjat janë të përziera, për faktin se në njërën anë është krenaria e në anën tjetër është dhimbja për humbjen e dëshmorëve dhe luftëtarëve që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi.
Berisha kujton edhe fjalët e dëshmorit Agim Ramadani, që, siç u shpreh ai, ishin këto fjalë që të gjithë luftëtarët e kësaj Brigade i mbajtën gjallë dhe i motivuan deri në frymën e fundit.
“Unë i kam disa ndodhi, për shembull, dita më e lumtur e gjithë asaj Beteje ka qenë 9 prilli 1999, kur ne kemi arritur qysh ditën e parë që t’i marrim pikat më dominante të forcave serbe dhe pastaj të nesërmen e kemi marrë edhe kazermën e Raukollit të Koshares. Ndërsa, dita më e vështirë e jetës sime ka qenë 11 prilli i vitit 1999, i rënies së heroit Agim Ramadani. Vërtet atë ditë e kam përjetuar shumë rëndë, por gjithmonë në momentet më të vështira më është kujtuar edhe se çka kishte me veprua Agimi në ato raste në rast se ndodhte e kundërta. Ai (Agim Ramadani) e ka pasur një thënie shumë të fortë, kur thoshte: “Edhe një ushtar nëse mbetet i gjallë e ka për obligim që në fshatin e parë me formu ushtrinë edhe me vazhdu luftën deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës””, ka treguar Berisha për “Zërin”, duke shtuar se edhe emërtimi i brigadës me emrin e Agim Ramadanit, ka qenë një ditë shumë e lumtur për të. Ai tutje ka treguar se në këtë betejë janë vrarë gjithsej 113 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kur flasim për sakrificën ne e dimë se në Koshare janë vrarë 113 dëshmorë e në mesin e tyre edhe heronjtë që i kemi: Agim Ramadani, Salih Çeku, Xhemail Fetahu, Abaz Thaçi e shumë e shumë luftëtarë të tjerë i kanë lënë gjymtyrët e tyre, e kanë derdhur gjak për lirinë që sot ne po e gëzojmë. Ndërsa, sot është edhe ditë ku praktikisht ndjenjat janë të përziera, që përpos që i përkujtojmë shokët tanë, kujtojmë edhe krenarinë, fitoren e madhe që u arrit në Koshare”, ka treguar Berisha.
Ndonëse, mediat serbe tani shkruajnë se në këtë Betejë kanë humbur jetën gjithsej 108 ushtarë serbë, Berisha thotë se ndien kënaqësi të veçantë kur edhe vetë serbët e pranojnë se në këtë Betejë kanë humbur.
“Ne nuk kemi ndonjë numër të saktë të humbjeve të serbëve, por ne e dimë se në bazë të atij filmi dokumentar ka pasur pjesëtarë të ushtarëve të Korpusit të Nishit, që kanë marrë pjesë në Koshare dhe ua kanë ngritur një lapidar dhe ata e pranojnë se i kanë humbur diku rreth 108 ushtarë, por sigurisht nuk i kanë marrë parasysh këto humbjet e policëve, njësiteve të paramilitarëve, vullnetarëve, paramilitarëve të Sheshelit, Arkanit, ka pasur shumë grupacione që për neve është shumë vështirë me ditë numrin e saktë të humbjeve të tyre. Por, ne të gjithë ndihemi krenarë që e kemi fituar atë betejë”, ka deklaruar ai.
Berisha shtoi se pret nga institucionet e Kosovës që Betejën e Koshares ta fusin në listën e betejave më të rëndësishme të vendit.
“Ajo çka ne shpresojmë dhe presim në të ardhmen që edhe institucionet e Kosovës dhe shteti ynë, që çdo shtet i ka një ose dy beteja që krenohen me to, ne shpresojmë që në të ardhmen njëra prej betejave të cilat do të krenohet kombi ynë, shteti ynë të jetë Beteja e Koshares, edhe pse ne e kemi shumë problem të jemi edhe refer, edhe lojtarë, edhe pjesëmarrës edhe të japim vlerësime të tilla, por vërtet këtë po e vlerësojnë. E kur e vlerëson këtë edhe kundërshtari, me të vërtetë është edhe më lehtë që ta themi edhe ne”, ka deklaruar Berisha për “Zërin”.