-0.2 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Beteja kundër leshit


IMER MUSHKOLAJ

Autoriteti i Konkurrencës ka arritur me sukses të parandalojë ngritjen e organizuar të çmimit të qethjes tek berberët në Podujevë. Edhe të ngritjes së çmimit të kafeve në Gjilan e Ferizaj. Por, ka dështuar të hetojë raste shumë të mëdha siç janë kompanitë e sigurimeve, sektori bankar e farmaceutik, kompanitë ajrore, homologimi e tregu i naftës. Beteja me leshin në Llap është lehtë të fitohet. Duhet fituar beteja me kartelet milionëshe që po ua shkatërrojnë jetën qytetarëve

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka ndërmarrë një veprim të rëndësishëm para pak ditësh. Divizioni anti kartel në kuadër të këtij institucioni ka marrë në pyetje berberët, të cilët tentuan ta ngrenë çmimin e qethjes në komunën e Podujevës në formë të bashkërenduar apo kartel. Pra, ka fituar një betejë kundër leshit.

Nëpërmjet një komunikate, Autoriteti bëri të ditur se “grupimi i ndërmarrjeve që kanë për qëllim arritjen e marrëveshjeve për caktim të çmimit është shkelje e rëndë ligjore” dhe në këtë rrafsh, ky institucion “është i pakompromis”.

Shumë mirë. AKK edhe e ka obligim ligjor të veprojë në të tilla raste. Por, duket qesharak një veprim i tillë përballë mungesës së veprimeve për të zhbërë kartele milionëshe, që përnjëmend ua vështirësojnë jetën qytetarëve.

Në verën e vitit 2016, ky institucion ishte treguar i suksesshëm edhe në rastin e fiksimit të çmimeve të kafesë në Ferizaj dhe Gjilan. Në të njëjtën ditë që rasti ishte lajmëruar, çmimet ishin ulur. Është i njohur rasti kur AKK kishte gjobitur kompanitë që merren me shitjen e arkave fiskale. Ishin inicuar edhe disa hetime për kompani të mëdha. Por, problemet me mosplotësimin e komisionit me anëtarë përkatës, kishin bërë që ky institucion të bllokohet për gati tre vjet.

Gjatë tri viteve të fundit, Autoriteti ka hetuar rreth 40 raste, ndër të cilat edhe marrëveshjen për fiksimin e çmimit të mjedrave në Podujevë, shpërdorimin e mundshëm të pozitës dominuese të shërbimeve funerale dhe dëmtimin e konkurrencës së tregut në lidhje me shërbimet e ofruara nga Posta e Kosovës. Por, kjo nuk mjafton. Kartelet e mëdha mbeten ende të paprekura.


Sipas një publikimi të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Autoriteti ka neglizhuar për një kohë shumë të gjatë sektorët kryesorë të karakterizuar me monopole dhe shpërdorim të pozitës dominuese, siç janë kompanitë në sektorin e telekomunikacionit dhe homologimi.

Përveç këtyre, AKK ka dështuar të hetojë edhe raste të tjera shumë të mëdha, siç janë kompanitë e sigurimeve, sektori bankar e farmaceutik, fiksimi i çmimeve nga kompanitë ajrore e tregu i naftës.

Para më shumë se një viti, Autoriteti ka përpiluar një raport i cili ka theksuar gjetjet kryesore lidhur me strukturën e tregut të ndërmarrjeve dhe pozitës së tyre dominuese në 14 sektorë/tregje të ndryshme, përfshirë atë të telekomunikacionit, energjisë, sigurimeve, produkteve të naftës, farmaceutikëve, transportit, mediave dhe kinematografisë, prokurimit, bankave, pajisjeve fiskale, lojërave të fatit (bastoret), minierave, menaxhimit të mbeturinave dhe furnizimit me ujë. GLPS konstaton se politikat e konkurrencës mbeten kritike për funksionimin e mirëfilltë të ekonomisë së tregut edhe mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe të drejtë. Po sipas GLPS’së, performanca e Autoritetit në përgjithësi ka qenë mjaft modeste dhe e pakënaqshme sa i përket rregullimit të konkurrencës jo të drejtë në tregun e Kosovës.

Së fundi, pas presionit publik e medial, AKK ka njoftuar se do të ndihmohet nga ekspertë të Komisionit Europian lidhur me pretendimet se në Kosovë është krijuar një kartel i ndërmarrjeve që kanë mbajtur lart çmimin e naftës.


Nuk dua të tregohem nihilist dhe të mohoj çfarëdo të arriture të AKK’së. Por, kur sheh se je i rrethuar me kartele që ta vështirësojnë jetën, nuk ke si të mos kërkosh përgjegjësi. Natyrisht, askush nuk është aq naiv sa të mos e kuptojë se prapa këtyre karteleve qëndrojnë njerëz të fuqishëm të politikës, parapolitikës e biznesit. Por, kjo nuk e amniston AKK’në nga përgjegjësia.

Veç rasti i homologimit të veturave tregon se për çfarë interesash të mëdha financiare bëhet fjalë. Që nga viti 2009, Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit ia kishte dhënë të drejtat ekskluzive një operatori ekonomik për të ofruar këtë shërbim. Që atëherë, kjo kompani, duke e pasur monopolin, ka operuar me çmime shumë të larta se vendet e rajonit dhe Europës. Ndërkohë, situata e homologimit jo që është përmirësuar, por është përkeqësuar. Vitin e kaluar Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet një udhëzimi administrativ, përgjegjësinë e A-testit të automjeteve ia mori Fakultetit të Shkencave Teknike të UP’së dhe ia dha kompanisë së njëjtë që ofron shërbimet e homologimit, duke e thelluar edhe më shumë monopolin ekzistues dhe duke penguar operatorët tjerë që të futen në treg.

Përballë një situate të tillë, rastet e parandalimit të kafexhinjve të Gjilanit e Ferizajt dhe berberëve të Podujevës duken hajgare. Beteja me leshin është lehtë të fitohet. Duhet fituar beteja me milionat.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/oped/beteja-kunder-leshit-619564/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Një 25 vjeçar nga fshati Vragoli e Fushë Kosovës, ka humbur jetën dje në vendin e tij të punës në Prizren. Vdekja e tij ka...

Nismë për përmirësimin e shërbimeve pronësore dhe fuqizimin e grave në biznes në Suharekë

Në Komunën e Suharekës u mbajt një takim mes përfaqësuesit të Aktivitetit të USAID-it “Qeverisja e Pronës”, Leotrim Gërmizaj, dhe përfaqësuesit të Shoqatës së...

Lajmet e Fundit