Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka takuar në Kompleksin e Kullave në Boletin, familjarët e heroit Isa Boletini, të cilit edhe njëherë i kanë rikonfirmuar vendimin e prerë të tyre se eshtrat e heroit Isa do të rivarrosen vetëm në Boletin dhe askund tjetër, më 10 qershor të këtij viti, ashtu siç kishin vendosur institucionet më të larta të Republikës së Kosovës.
Ata, duke i shtrënguar duart mes veti dhe me kryetarin Bahtiri, janë betuar për një gjë të tillë. Në takim ishte i pranishëm edhe imami Mulla Asllan Murati, i cili për më shumë se 15 vjet i kishte ruajtur në një vend të fshehtë eshtrat e heroit Isa Boletini.
Bahtiri i ka falënderuar edhe njëherë familjarët e heroit Isa Boletini, para së gjithash nipin Xhavitin dhe stërnipin, Gazmendin, të cilët njëherë ishin pajtuar që rivarrimi i gjyshit të tyre të bëhet në Vlorë dhe më pastaj ndryshuan mendjen dhe vendosën që rivarrimi të bëhet në vendlindje, duke e mbështetur kështu vullnetin plebishitar të mitrovicasve dhe qytetarëve tjerë të shtetit të Kosovës e më gjerë.
Nipi i heroit, Xhavit Boletini dhe stërnipi Gamend Bolatini, falënderuan kryetarin Bahtiri, për interesimin e tij të pandërprerë për të rivarrosur eshtrat e heroit Isa Boletini në vendlindje, duke thënë njëkohësisht se këtë e vlerësojnë pa masë dhe nuk do ta harrojnë.
Ata në vazhdim i thanë kryetarit Bahtiri se pas reagimit të paparë deri tash në respektim dhe mbrojtje të vlerave dhe figurës së heroit Isa Boletini, si dhe kërkesës unanime që rivarrimi të bëhet në Boletin, u penduan dhe kuptuan gabimin që e kishin bërë duke u pajtuar që rivarrimi të bëhet përkohësisht në Vlorë.
“Jemi të befasuar shumë për të mirë, nga reagimet anembanë Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe diasporës, me të cilat vlerësohej lartë kontributi dhe personaliteti i gjyshit tonë Isa. Nuk u hamendëm fare që të tërheqim pëlqimin tonë për rivarrosjen e eshtrave në Vlorë, edhe pse kemi respekt të jashtëzakonshëm për Vlorën dhe Ismail Qemalin. Mirëpo, ishte e qartë se populli e respekton dhe e donë shumë Isën në Kosovë, përkatësisht në Boletinin e tij, që me asgjë nuk e ndërroi. Tash të gjithë familjarët, bashkëfshatarët, qytetarët e Mitrovicës e të Kosovës, jemi unik dhe të vendosur që rivarrimi të bëhet vetëm në Boletin she askund tjetër”, thanë Xhaviti dhe Gazmendi.
Të gjithë familjarët e mbështetën fuqishëm propozimin e kryetarit Bahtiri, që të bashkërendojnë hapat dhe aktivitetet me institucionet e Republikës së Kosovës dhe Këshillin për Rivarrim, të caktuar nga Qeveria e Kosovës, për përgatitje për rivarrim të eshtrave të heroit Isa Boletini, ashtu siç është përcaktuar më parë, më 30 qershor të këtij viti, në Boletin.
Duke e ripërsëritur se përveç Boletinit, nuk ka alternativë tjetër për rivarrosjen e eshtrave të heroit Isa Boletini, familjarët thanë së nëse institucionet e Kosovës nuk e mbështetin vullnetin e familjarëve dhe të qytetarëve që rivarrimi të bëhet në Boletin, atëherë do ta bëjnë këtë bashkë me institucionet komunale, apo edhe vetëm ata, me ceremoni të thjeshtë familjare.
Por, kryetari Bahtiri i garantoi ata se nuk do i lë kurrë vetëm ata të rivarrosin eshtrat e njeriut që ka bërë shumë për Mitrovicën, Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarinë. “Mirëpo, unë jam i bindur se institucionet e Republikës së Kosovës do të respektojnë vullnetin e familjes dhe të qytetarëve dhe se do të vazhdojnë përgatitjet për rivarrimin e eshtrave në mënyrë madhështore e dinjitoze në Boletin, ashtu sikur që e meriton ky njeri i madh i kombit”, tha Bahtiri. /Telegrafi/