23.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

BI-a kërkon rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit

kalaja ne prizrenPërfaqësuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren përmes një letre dërguar në adresë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komunës së Prizrenit dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore kanë kërkuar rindërtimin e xhamisë së “Mahmud Pashës” në Kalanë e Prizrenit, bën të ditur sot “Koha Ditore”. Sipas tyre, ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për dukjen e dikurshme të kësaj xhamie, sikurse që janë të pranishme edhe themelet e saj.

Kryetari i KBI-së në Prizren, Lutfi Ballëku ka shprehur qëndrimin se projekti mund të hartohet nga institucionet kompetente apo Bashkësia Islame duke angazhuar ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore.

“Rindërtimi i xhamisë do t’ia kthente pamjen Kalasë, që e ka pasur para se të braktiset”, thuhet në këtë letër, ku po ashtu nënvizohet se sa i përket “destinimit të xhamisë pas rindërtimit kjo nuk është shumë me rëndësi nëse xhamia do të funksionojë për kryerjen e ritualeve fetare islame apo jo”.

Ballëku në shkresën e tij ka tërhequr vërejtjen se si në Kala ashtu edhe jashtë janë duke u rindërtuar objekte pa pasur gjurmë për to.

Në anën tjetër, këshilltari i ministrit të Kulturës, Shkëlzen Dragaj, ka konfirmuar se MKRS-ja, përkatësisht Departamenti për Trashëgimi Kulturore e ka pranuar kërkesën e Bashkësisë Islame të Prizrenit për rindërtimin e xhamisë në Kala dhe se ajo kërkesë do të shqyrtohet nga komisioni përgjegjës.

Sa i përket projektit të Kalasë, respektivisht të zbatimit në përgjithësi, Dragaj ka rikujtuar të gjitha palët se projekti është shqyrtuar dhe miratuar në faza të caktuara për shkak të kompleksitetit dhe gjurmëve ekzistuese të cilat janë të dukshme.
Xhamia në Kalanë e Prizrenit supozohet se është ndërtuar pasi në të janë vendosur trupat osmane, nga shekulli XV deri në shekullin XX.

Krahas objekteve ushtarake në Kala besohet se ata ndërtuan edhe një xhami me dimensione të vogla që ka shërbyer për ushtarët osmanë, e cila supozohet se u shkatërrua nga fundi i shekullit XVII nga austriakët. Për shkak të rrethanave të kohës dhe karakterit të saj, Kalaja e Prizrenit, ka qenë në gërmadha, por sipas studiuesve disa herë është rinovuar.

Kalaja e Prizrenit, sipas historianëve, funksionin e vet primar mbrojtës e ka kryer deri në vitin 1912. Kalaja që daton qysh nga shekulli IV është e ndarë në tri pjesë./KD/

Më Shumë

Në Trepçë nuk ndriçon Ylli

Trepça ka shënuar fitore ndaj Yllit në ndeshjen e tretë finale me shifrat 85-78. Çerekun e parë e dominoi Ylli me shifrat 21-11, teksa në...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 960 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Lajmet e Fundit