11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Biçikleta e Ramadanit!

Fadil LepajaShkruan: Fadil Lepaja

Shteti po funksionon! Policia andej edhe këndej kufirit shqiptaro-shqiptar brenda pak ditësh shënoi dy suksese të mëdha, gati historike, kundër krimit të organizuem e të paorganizuem! Krimit çfardo që të jetë, nuk i kqyren dhëmbët, se krim është! Nejse, ka edhe dallime! Këndej krimi ecën me biçikleta e andej me avionë! Këndej e kapën kokën e krimit, pas një aksioni të organizuar mirë, nga vendorë dhe ndërkombëtarë, e andej krimi ra vet! Prej qielli! Në plazhë! Sa mirë që nuk ra drejt mbi ndonjë stacion policie. Ashtu do të konfrontoheshin krimi me shtetin! Do të kujtonte shteti se krimi po e sulmon dhe … pasojat mund të kenë qenë të paparashikueshme!

Kështu, shpëtuam, fort mirë që krimi ra në plazh, se nuk u lëndue askush, përfshi edhe pilotin! Po e kuptoni se andej ka ra, se këndej në Kosovë nuk kemi plazhe, as kemi det! Nejse, opozita si opozita, menjëherë e shpalli të dyshimtë këtë rënie avioni se … edhe aterim nuk mund të quhet. Madje, opozita e shpalli të dyshimtë edhe një veturë përplot me “kanabis sativa” të kapur në afërsi, e cila krejt rastësisht duket të ketë rënë në një patrullë policie e cila kishte ardhur për aksidentin. Policia! Nuk ka ditur se kush janë, përndryshe nuk do i kishte ndaluar! Nejse, mund të kenë qëlluar edhe policë të papërvojë në patrullë! Kështu, idila u prish! Ka mundur çdo gjë të përfundojë mirë sipas asaj të moçmes: “edhe ujku i ngirë edhe delet në numër!” Por, shyqyr që nuk pati viktima!

Policia, çile guri gojën! Hetimet vazhdojnë!! E opozita, derisa ishte në pushtet, betohet se nuk kishte parë asnjëherë ndonjë aeroplan të dyshimtë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, e lëre më të ketë aterruar në tokë! Krejt kjo filloi kur ata ikën nga qeverisja! Tash që janë në opozitë, po i shohin edhe yjet, ditën! U këndellën! Këndej e tutje, me këtë opozitë denoncuese, tregëtia pritet të bëhet me UFO! Kështu, konspiracioni do të marrë përmasa ndërplanetare!

E këndej, në Prizerenin e bukur, Policia jonë e shpartalloi krimin! E theu në kurriz! S’ka më krim! Lajmi duket i pabesueshëm por i vërtetë! Në Prizeren u kap një kriminel i kalibrit të madh! Nejse, nuk është fjala për kryetarin e komunës! Ai u dënua veç me kusht! E ky nuk mund të lirohet sepse ka dyshime të bazuara se bëhet fjalë përmbi 50 biçikleta të vjedhura! Secilën prej tyre dyshohet të e ketë shitur së paku 25 euro për copë. Llogarisni! Policia reagoi rrufeshëm sapo krimineli i rrezikshëm ra në kamerë të sigurisë! Se ai, si të gjithë kriminelët në këtë vend po lëvizte relaksueshëm prej shtëpie në shtëpi i bindur se shteti po flen! Por, shteti nuk flen … natën! Flen ditën!

Policia i mblodhi krejt biçikletat e shitura dhe qytetarët patën mundësi me i marë biçikletat e veta. Shumë prej tyre përplot gëzim erdhën këmbë e u këthyen me biçikletë! Gëzim më të madh Prizereni nuk ka pasë, ka kohë! Ky është edhe një premtim i mbajtur antikrim, i realizuar prej qeverisjes lokale dhe asaj qëndrore. Pushteti lokal dhe qëndror gjithkund bashkëpunon ngushtë!

Duke e ditur kontributin e madh që e ka dhënë kryetari i Prizerenit, për ndërrimin e imazhit të këtij qyteti, i cili prej qytetit të “Lidhjes” u shndërrua në qytet të biçikletave të vjedhura, edhe …”anti-lidhjes”, pra në zemrën e neo-perandorisë, kolumnën e sotme e quajtëm “Biçikleta e Ramadanit”! Jo se Ramadani ka vozitur vet biçikletë , por thjesht për të njohur kontributin e tij!

Pra suksesi është i madh! Një kriminel kaq të rryer mund të e kenë kapur veç me një bashkëpunim gjithpërfshirës vendorë dhe ndrkombëtarë. Kërkund nuk kishte lënë gjurme, derisa “ra” në një kamerë sigurie!

E kur jemi te rënia, ra këto ditë edhe parlamenti. Parlamentin dikush e pat quajtur më heret edhe azil të krimit. Ai, si kontribut për luftimin e krimit të organizuar, pat propozuar me ja vu grilat, parlamentit! Apo diçka të ngjashme.

E keni pa? Sa herë ndodhet përballë me krimin, ekzekutivit tonë i dridhen këmbët e qelqëta dhe vetërrëzohet. Bjen! Nuk e përballon imazhin e vet!

Në një debat televiziv, dikush e krahasoi Kosovën me Italinë e cila dikur kishte paqëndrueshmëri të ekzekutivit, e madje edhe të legjislativit, duke aluduar se pushteti i vërtetë ka qenë diku tjetër. Ai aludonte te nëntoka. Ec e mer vesh! Thua se nën parlament të kenë ndërtuar edhe një parlament tjetër?! Parlament mbi parlament!

Por, ne nuk jemi Itali! Ne jemi…ne jemi Sui Generis! Për gjithçka! Te ne nuk ka nëntokë! Krejt janë mbi tokë! Edhe nëntoka. E pushteti i vërtetë është … në kodër. Ambasadat janë atje, në Kodrën e cila dikur quhej “Dragodan” e tash “Arbëri”. Prej Arbërie duket qyteti si në pëllëmbë! Kurdo që ka huti institucionale, krerët e vendit ngjiten në kodër. Si Mojsiu në mal, dikur!

Pra, kjo rënie nuk është aq dramatike. Madje nuk është as “vetëvrasje” politike! Vjen tjetri, vetëm pas dhjetë ditë fushate. “Hëngër fiq dhe vdiq! Hëngër zallë dhe u ngjall” thotë populli! Diçka sikur me e mbyllë një llogari virtuale në rrjetet sociale dhe me e hapë tjetrën. Ashtu ndërrohet qeveria! I ndërron edhe miqtë edhe foton e profilit!

Kështu, zgjedhje do të ketë por zgjidhja nuk duket nga ky proces. Një ambasador i një vendi mik, madje e sheh të nevojshme me u deklarue edhe kundër partive të caktuara, jo se duan me u përzie në verdiktin e qytetarëve të këtij vendi por… sa për me e ditë! Nëse qytetarët nuk e kuptojnë mesazhin, duhet me ndërhy në kutija vet kryeministri në detyrë. Desha të them në largim, por u korigjova! Po e përkrahin! Mos e bjerni punën deri aty, sikur sugjeron ambasadori!

E kryeministri thotë , se askush nuk mund të qeverisë me Kosovën nëse nuk e don Brukseli dhe Vashingtoni! Pra qenka punë dashurie. “Ljubav” hesapi, do të thoshte një qytetar i rëndomtë, i cili parapëlqente që fjalët e “turpshme” si dashuria të i thoshte në gjuhë tjetër.

Kështu, dikush punon dhe e kap krimin e organizuem me biçikletë në dorë, e dikujt i bjen para këmbësh, prej qiellit! Me aeroplan! E pat puna, Europë! Duam vizat edhe këndej! Më nuk ka krim këndej! Vdiq nga…lemza!

Më Shumë

Vetaksident në Prizren- Vetura godet pemën, lëndohet një person

Vetaksidentohet një veturë në qendër të Prizrenit. Si pasojë shoferi i veturës ka mbetur i lënduar. Ai është përplasur me anësoret dhe më pas me...

SBAShK-u proteston të mërkurën

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), do të protesojë të mërkurën. Tubimi i protestuesve do të bëhet nga ora 10...

Lajmet e Fundit