Koalicioni LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje nuk do të votojnë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani i ka thënë Gazetës Blic se jo vetëm AAK-ja, por as tri partitë tjera shqiptare, LDK, VV e Nisma nuk do të votojnë për kandidatin e PDK-së.
“Asnjëherë partitë shqiptare, përpos PDK-së nuk do të votojnë kandidatin e PDK-së. Katër partitë shqiptare, në partneritet me komunitetet minoritare përbëjnë shumicën në Parlament. Ku bashkim i madh i shqiptarëve kundër të keqes po ndodh për herë të parë në historinë e pasluftës në Kosovë”, ka thënë Ramadani.
Ai shprehet i bindur se Blloku do të arrij ta zgjedh kryetarin e Kuvendit nga radhët e veta, ndonëse nuk ka dhënë ndonjë plan se si do ta zgjedhin.
“Ku bashkim i madh i shqiptarëve kundër të keqes po ndodh për herë të parë në historinë e pasluftës në Kosovë. Bashkimi i politikanëve shqiptarë do të rezultojë me fitore të madhe të të mirës kundër të keqes, të parimeve kundër paparimësisë, të vizionit kundër improvizimit”, ka thënë ai.
Ramdani ka thënë se PDK është në panic nga frika e madhe e përballjes me ligjin, dhe po bëjnë sipas tij, çmos që ta bllokojnë shumicën.
“Por, do të dështojnë në këtë bllokadë dhe do të përballen me ligjin për krim dhe korrpusion”, ka thënë ai.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se PDK ka plan që me 2 tetor ta zgjedh kryetarin e Kuvendit nga radhët e veta. Megjithatë, as Hoxhaj nuk ka dhënë detaje se si do të arrijnë ta zgjedhin, pa pasur 61 vota.
PDK para disa ditësh kishte provuar që të zgjedh Arsim Bajramin në krye të Kuvendit, mirëpo dështoi, sepse nuk arriti që të siguroj më shumë se 44 vota.