0.8 C
Prizren
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Bota e Donald Trump

Shkruan: Ben Blushi

Sikur Donald Trump të mos mbajë asnjë nga premtimet që u ka bërë amerikanëve por vetëm të mbyllë luftërat, Amerika mund t’i bëjë botës një nga shërbimet më të mëdha që kur ky vend egziston.

Në 100 vitet e fundit Amerika ka qenë luftënxitësja më e madhe e planetit dhe për fat të keq vazhdon të jetë. Kur shkruaj kështu e di që shumë njerëz do habiten. Si një planet i madh që drejton jetën e satelitëve që sillen rreth saj, Amerika nuk duket njëlloj nga çdo cep i botës.

Ne që jetojmë në një vend i cili edhe me ndihmën e Amerikës, shpëtoi nga komunizmi, besojmë se ajo ka të drejtë të pushtojë në emër të demokracisë. Nëse ushtarët amerikanë do vinin në Shqipëri në vitet 1970, sot ndoshta do ishim duke jetuar më mirë, do ishim një vend më i pasur dhe ndoshta pak më i madh. Por kjo nuk ndodhi. Amerika nuk erdhi.

Në ato vite Amerika shkoi në Vietnam për të luftuar komunizmin. Për fat të keq ky vend sot drejtohet ende nga komunistët dhe aty pluralizmi politik ndalohet me ligj. Nëse i pyet vietnamezët, ata do thonë se kjo është gjëja më e keqe që ju ka ndodhur në histori. Dhe kanë të drejtë.

Pasi ushtria amerikane u tërhoq, Vietnami u stabilizua. Sot ky është një vend i hapur komunist, që lejon turizmin, tregtinë e lirë, investimet e huaja dhe ç’është me rëndësishmja është i bashkuar. Nëse Amerika do e kishte fituar luftën në Vietnam ky vend do ishte i ndarë në dy, mes jugut dhe veriut, njëlloj si Korea. Sot do kishim dy Kore dhe dy Vietnam dhe me siguri një armë bërthamore më shumë, ndërkohë që Vietnami as nuk ka, as nuk kërkon bombë atomike, sepse nuk është në luftë me asnjëri. Vietnami është një vend i bashkuar që mundohet të lëpijë plagët e veta të paharrueshme.
Kur ikën, amerikanët lanë aty 3 milion të vdekur. Të gjithë vietnamezë. Ndërsa në Japoni 250 mijë u vranë në tre ditë.

Thonë që lufta nuk ka rregulla, por ka proporcionalitet, pra edhe kur vret duhet të respektosh disa parime. Duhet të vrasësh me masë. Kur të vrasin ushtarë, nuk mund të vrasësh civilë. Kur Japonia sulmoi një bazë detare të Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, vrau 2400 ushtarë. Amerika ju përgjigj me armë bërthamore dhe vrau 250 mijë banorë civilë. Për çdo ushtar amerikan të vrarë u shfarosën 100 japonezë duke shkuar në punë dhe që atë ditë kërcënimi bërthmor nuk i ndahet më botës.

Por, mesa duket demokracia nuk lind mbi varreza. Bilanci luftarak i Amerikës nuk shkëlqen. Vietnami është ende një vend komunist, Koreja është e ndarë në dy pjesë, Afganistanin e morën prapë talebanët, Siria është e shpartalluar, Iraku u bë djep i ISIS dhe sot ka pëfunduar në një kukull të Iranit. Megjithëse këto pushtime u bënë në emër të demokracisë, demokracia nuk ka ardhur askund dhe ky dështim ka një arsye : popujt e pushtuar e refuzuan demokracinë si recetën e pushtuesit.
Njerëzit që thonë se Amerika bën mirë që pushton në emër të demokracisë ngatërrohen sa herë shkojnë në Kubë. Askush nuk e kupton pse Amerika shkon aq larg për të luftuar komunizmin deri në Vietnam dhe Kore por nuk shkon në një ishull me 10 milion banorë, shumica e të cilëve kanë familjet në Amerikë. Tortura e atij populli të braktisur në mes të detit është pasqyra e zhgënjimit. Pse Vietnami dhe jo Kuba? Pushtimi i Kubës do ishte edhe më i lirë sepse ky vend është më afër Amerikës se ç’është Vlora me Brindizin.
Për fat të keq sjellja e Amerikës në pyllin e botës i ngjan sjelljes së luanit. Veprimet e tij ndikojnë tek kafshët e tjera. Kur ai del për gjah të tjerët mbrohen, fshihen, ngjiten nëpër pemë, mbeten pa bukë, acarohen, ulërijnë, nxjerrin kthetrat, sulmojnë dhe vrasin kafshë më të vogla.
Nëse nuk do kishte ndodhur Hiroshima, Vietnami dhe Korea, bota do ishte pa dyshim më paqësore. Kafshët e mëdha që duan të frenojnë luanin nuk do ishin armatosur prandaj Lindja e Mesme do ishte më e qetë, Irani nuk do kishte armë bërthamore, Rusia nuk do financonte një herë talebanët pastaj Iranin, Ukraina nuk do ishte pushtuar për shkak të parimit, ti pushton unë pushtoj, dhe terrorizmi islamik nuk do ishte kthyer në armë të vrasjes në masë.

Kur argumenti i shfarosjes së komunizmit ra, filloi ai i zhdukjes së terrorizmit. Amerika çoi ushtarë për të zhdukur terroristët dhe shtetet e tyre dhe natyrisht në disa raste bëri mirë. Çështja është se edhe para Amerikës ka patur islam, siç ka patur shoqëri fetare dhe shtete muslimane. Ato kanë qenë më të varfëra por nuk vrisnin. Kur Britania dhe Franca kolonizuan Afrikën, Indinë dhe Arabinë nuk pati terrorrizëm islamik.
Ky helm u shpërnda në 30 vitet e fundit, kur fuqitë e mëdha filluan të financojnë grupe islamike kundër njera-tjetrës duke i armatosur me armë dhe me urrejtje. Kështu u krijuan me rradhë Al Kaeda, ISIS, Hezbollahu, Hamasi dhe historia vazhdon në Palestinë që është kthyer në një shoqëri e marrë peng nga terroristët, ndërkohë që Irani është pothuajse një shtet terrorist.

Kjo çështje që vazhdon, ishte një nga tre arsyet kryesore që rrëzuan qeverinë amerikane në zgjedhjet e fundit.

Prandaj ne që jetojmë në këtë pjesë të botës ku komunizmi, fashizmi, nacionalizmi, dhe radikalizmi fetar mund të ndryshojnë kollaj vendet, duke na kaluar një herë në shi, një herë në breshër dhe pastaj në thatësisë, kemi arsye të besojmë se Amerika po ndryshon. Ne duam që Amerika të ndryshojë si ata njerëzit që presin me sytë nga dielli kur dimri i lë vendin pranverës.
Të zgjohesh një ditë dhe të dëgjosh se Amerika nuk do më luftë është njëlloj sikur të shikosh daljen e dritës nga një re që ka zgjatur njëzet vjet. Retë, pra luftërat dhe frika e tyre ka shumë vjet që kanë nxirë horizontin e botës sonë. Për shkak të luftërave çdo gjë ka ndryshuar dhe po ndryshon me shpejtësi.
Për shkak të Ukrainës, çdo centimër beton në Shqipëri është 50 për qind më shtrenjtë se para luftës. Por kështu është me të gjitha çmimet që nga mielli, nafta e deri te perimet të cilat ushqehen me fertilizues që dikur vinin më lirë nga Lindja. Inflacioni që u dy dhe trefishua vazhdon t’i varfërojë të gjithë, jo vetëm më Shqipëri dhe bota para Luftës në Ukrainë duket si një parajsë e humbur e çmimeve të lira që ndoshta nuk do kthehet më kurrë.

Kjo është bota që kemi humbur sepse liberalët amerikanë dhe ata evropianë nuk arritën dot një kompromis me Rusinë. Ata ndoqën fiksimin e tyre të vjetër, se Rusia është armiku që duhet mundur, duke harruar se e kishin mundur një herë në vitin 1990 si Bashkim Sovjetik. Ta rrahësh një qen dy herë për kaq pak kohë, e ke shtyrë të kthehet në ujk dhe të kafshojë siç po bën.

Po kafshon pjesët e buta të Evropës, kofshët e saj të zbuluara.

Fiksimi i liberalëve amerikanë për të shkatërruar Rusinë duke përdorur një herë Vietnamin, pastaj Korenë, pastaj Afganistanin dhe tani Ukrainën e ndau botën, e militarizoi në ekstrem, varfëroi shumë Evropën, forcoi Kinën, inkurajoi Hamasin dhe Iranin, rriti çmimet dhe inflacionin edhe në Amerikë dhe ua humbi atyre zgjedhjet.
Kjo humbje e luftënixëtsve ishte lajmi më i mirë i dy dekadave të fundit.
Prandaj sot Donald Trump është një mundësi për botën tonë. Sjellja e tij me taksat, me gjykatat amerikane, me dokumentat sekretë, me gratë, me abortet dhe me shtypin nuk janë arsye për të shkuar në luftë. Gjatë gjithë fushatës, ishte qesharake të dëgjoje se sa herë ai thoshte do mbyll një luftë, kundërshtarët liberalë i thoshin, nuk duhet ta bësh sepse ke ngacmuar një grua në një dyqan rrobash. Kjo është njëlloj sikur t’i thuash dikujt që po shuan një zjarr, mos e shuaj sepse t’i dikur ke pirë cigare.
Për ne që jetojmë në mes të zjarrit, nuk ka rëndësi as emri i zjarrëfikësit dhe as marrëdhënia e tij me gratë. Ne duam që ai të shuajë zjarrin. Ne duam që Amerika të mbyllë lufërat, sepse nëse do vazhdonte edhe pak fëmijët tanë mund të shkonin ushtarë në frontin e Ukrainës apo në ndonjë front më afër. Për shkak të Ukrainës, Kosova kërcënohet seriozisht dhe yjet që dikur e përkrahnin këtë vend, përfshi Amerikën, kanë ndryshuar pozicion ç’ka na rrezikon bashkarisht.

Ndryshe nga votuesit amerikanë në Texas apo në Pensylvania, ne jetojmë cdo ditë mbi thëngjinj sa herë kërcënohemi nga bomba atomike e Rusisë, nga inflacioni dhe nga dobësimi i pakthyeshëm i Europës e cila nuk na pranon sepse është kaq e dobët.

Dobësimi i Evropës që shkëlqen në mes të reve, është një mundësi e madhe për Amerikën, për t’i mbyllur lufëtrat. Liderët e shëmtuar europianë nuk kanë më fuqi të thonë jo. Prej kohësh ata i thonë Amerikës vetëm po. Edhe kur ajo lufton edhe kur ajo gabon edhe kur ajo ajo pushton edhe kur ajo pushon.
Europianët i ngjajnë sot Këshillit që drejtonte Konstandinopijën kur ajo u pushtua nga turqit. Ata flasin për cilësinë e ujit ndërkohë që flota armike i bombardon nga deti. Liberalët flasin për transgender në kohë lufte, taman si ata priftërinjtë ortodoksë në Kostandinopojë që flisnin për seksin e ëngjëjve dhe këtë e quajnë demokraci, pra një mundësi për të thënë çfarë të dua, kur të dua, sa herë dua.

Donald Trump nuk e kufizon këtë të drejtë, sepse ai thotë vetë çfarë të dojë, kur të dojë, sa herë të dojë dhe kjo është arsyeja që fitoi. Ai është produkt tipik i demokracisë kaotike prandaj kaosi i tij duket sikur nuk i shkon demokracisë. Gjatë mandatit të parë ai nuk mbylli asnjë gazetë, nuk burgosi asnjë kundërshtar, nuk nxorri asnjë parti jashtë ligjit dhe megjithëse nuk njohu zgjedhjet, e lëshoi zyrën dhe shkoi në shtëpi pa përdorur ushtrinë.

Ndryshimi që ai ka me shumë liberalë, është se ai mendon se demokracia nuk është një instrument i mjaftueshëm për të zgjidhur hallet e botës. Dhe ka shumë të drejtë.
Ai të pranon njëlloj edhe nëse je demokrat edhe nëse nuk je, mjafton të kesh diçka në dorë, pra të kesh fuqi. Nëse nuk i bindesh ai të kërcënon me tarifa në vend të bombave dhe kjo është demokratike. Ai i beson më shumë ekonomisë sesa luftës, më shumë dollarit sesa bombës atomike, më shumë sanksioneve sesa pushtimit.
Meqë kryesisht rreziqet vijnë nga Lindja, ai negocion në emër të Perëndimit për të shuar lufëtrat dhe për t’i futur armët në depo. A duhet t’i kërkojmë atëherë, që në vend që të negociojë me Putinin tërheqjen nga Ukraina ta pyesi pse ka anulluar një koncert të një grupi muzikor me emrin Pussy Riot?

Do ishte e tepërt. Do ishte si biseda e priftërinjve në Kostandinopojë. Ndoshta edhe më keq.

Prandaj sot të gjithë ata që besojnë se lufta është kërcëimi më i madh i demokracive tona, kanë shpresë se Amerika ka votuar për të mos shkuar në luftë.

Dhe për këtë ka zgjedhur Presidentin Donald Trump, i cili edhe nëse nuk e do demokracinë, nuk e shkatërron dot atë.

Kështuqë mirevini ne botën e Donald Trump. Është një argëtim që nuk mbaron asnjeherë me luftë.

Shpresoj.

Më Shumë

LDK-ja në Prizren prezanton kandidatët për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, përpara qindra simpatizantëve të saj, ka prezantuar 5 kandidatët e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit...

MASHTI vendosë: Doracakët largohen nga përdorimi, i rishikojnë ekspertët

Doracakët e miratuar katër vite më parë për “Edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues", do të largohen nga përdorimi e do të rishikohen nga ekspertët. Kështu...

Lajmet e Fundit