16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

BRE – një pasthirrmë e çuditshme

Shkruan: Prof. Gani Rudaj

E vetmja shkencë shoqërore që merret me tërësinë e rregullave të ndryshimit të trajtave të fjalëve në një gjuhë si dhe të lidhjes së fjalëve në fjali, është gramatika. Me fjalën gramatikë nënkuptojmë fonetikën, morfologjinë, sintaksën, leksikologjinë e të tjera.

Siç dihet njerëzit gjatë komunikimit të përditshëm përdorin fjalë të ndryshme gramatikore dhe secila nga ato fjalë duhet ta ketë kuptimin e saj logjik. Me fjalë të tjera, secila fjalë duhet të jetë e kuptueshme me bashkëbiseduesit. Për të arritur deri te kjo, ne kemi për ndihmë fjalorin. Siç dihet fjalori është një libër fjalësh i një gjuhe, të cilat fjalë në fjalor janë të shkruara sipas alfabetit.

Detyra e këtij libri, pra e fjalorit, është që të japë shpjegim për secilën fjalë që është shkruar në të dhe ato fjalë të paraqiten me shembuj konkretë. Pos fjalorit gjuhësor, kemi edhe fjalorë të fushave të tjera, si për shembull: fjalor enciklopedik, teknik e të tjerë. Sa i përket fjalorit gjuhësor, për hartimin e tij, u bë vetëm në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Ky shekull ishte koha e Rilindjes Kombëtare. Ky fjalor u hartua nga gjuhëtari i shquar mendjendritur, Konstandin Kristoforidhi.

Duke marrë parasysh rrethanat e kohës, nuk mund të thuhet se kjo punë ishte e lehtë. Kjo vepër kishte një rëndësi të madhe për përpjekjet e rilindësve për të hedhur në dritë themelet e një gjuhe letrare kombëtare. Kjo punë e madhe e bërë nga Konstandin Kristoforidhi kaloi nëpër shumë sakrifica, por që në fund doli në dritë.

Pastaj edhe në vitin 1954 doli në dritë edhe një fjalor i gjuhës shqipe, i cili ishte i plotësuar me fjalë të tjera dhe me shprehje të reja. Në vitin 1981, në Prishtinë nga një grup i mirëfilltë shkencëtarësh gjuhësorë, u hartua Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe. Me anë të këtij fjalori u hap një etapë e re në fushën e leksikologjisë. Ky fjalor gjeti një mbështetje të fortë e të madhe nga fjalorët e mëhershëm.

Fjalori është i ndarë në dy pjesë, A – M dhe N – Zh. I ka përafërsisht 41000 fjalë. Lexuesi në këtë fjalor gjen përgjigje të drejtpërdrejta se si duhet të shkruhen dhe si duhet të shqiptohen drejt fjalët. Edhe ky fjalor, si dhe fjalorët e tjerë, kërkonte një punë serioze dhe profesionale për hartimin e tij. Është një libër që nuk duhet të përdoret vetëm nga njerëzit e shkencës, por është i domosdoshëm për të gjithë njerëzit që e flasin dhe e shkruajnë këtë gjuhë.

Fjalori është një pasqyrë që njerëzit me përdorimin e tij e bëjnë më të kuptueshme fjalën që e përdorin si në të shkruar, ashtu edhe në të folur. Me përdorimin e fjalorit ne jemi gjithmonë më të pasur në aspektin profesional.

Është e natyrshme që çdo gjë që ndërtohet, p.sh. një shtëpi, gjithmonë lind ideja se objekti do të mund të ndërtohej edhe më mirë. Ky ligj i pashkruar vlen edhe për romancierët, dramaturgët, poetët, regjisorët e filmave, kompozitorët e të tjerë.

Gjithashtu vlen edhe për fjalorëpërpiluesit. Me këtë po them se nuk ka asgjë të përsosur. Gjithmonë ka vend për përmirësime. Shumëherë më bie rasti të konsultohem me fjalorin me qëllim që të gjej shpjegimin e ndonjë fjale, si p.sh. si shkruhet, në çfarë trakte duhet të jetë dhe çfarë kuptimi ka ajo fjalë.

Në bisedat e përditshme dëgjojmë fjalë dhe shprehje të llojeve të ndryshme.
Të gjithëve na bie të lexojmë, dëgjojmë ose të përdorim pasthirrmën bre. Si p.sh. në fjalitë: Eja bre! Mos bëj ashtu bre!, edhe shumë fjali të këtij lloji.

Njëra prej pjesëve të ligjëratës në gjuhën shqipe është edhe pasthirrma. Ajo është në grupin e pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës dhe shërben për të shprehur ndjenjat, dëshirën ose vullnetin e folësit. Në letërsi, pasthirrma është figurë retorike me anë të së cilës autori shpreh një ndjenjë të fortë. Shpreh një thirrje çudie, një frikë, një gëzim, një urrejtje etj.

Pasthirrmat kanë peshë të rëndësishme në vargun e shkruar.

Pasthirrma bre, origjina e kësaj fjale është nga gjuha turke. Pos shqipes, kjo pasthirrmë ka shtrirje edhe në gjuhën maqedonase, serbe.

Nga njohuritë e mia gjuhësore e dija që fjala BRE është pasthirrmë, por doja të dija kuptimin e fjalës. Hapa Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe që është botuar në vitin 1981.

Në faqen numër 171 po e lexoj shpjegimin për pasthirrmën bre. Në këtë fjalor shkruan se kjo pasthirrmë përdoret kur i drejtohemi dikujt. Kur e thërrasim dikë dhe që kjo pasthirrmë e ka kuptimin e pjesëzës ore.

Madje thuhet se kjo pjesëz ( ore ) përdoret për të përforcuar thirrjen kur i drejtohemi dikujt dhe vlen vetëm për emrat e gjinisë mashkullore.

Sa i përket shpjegimit për pjesëzën ore, sipas mendimit tim nuk është i saktë. Prandaj, lind pyetja se pse kjo pjesëz u dashka të përdoret vetëm për gjininë mashkullore kur ne mund të themi p.sh. Eja ore vajzë! Po i kthehem vështrimit tim për pasthirrmën bre.

Për këtë pasthirrmë nuk është dhënë shpjegim i kënaqshëm. Aty ka vend shpjegimi për të plotësuar për këtë pjesë të ligjëratës që njerëzit e përdorin çdo ditë si në të folur, ashtu edhe në të shkruar. Pasthirrmën bre mund të përdoret në fjalitë urdhërore, si p.sh. Ec bre në shkollë! Shko bre në treg! Mos pi duhan bre! Dil bre më shpejt! Pasthirrmën bre e shohim të përdorur edhe në fjalitë pyetëse, si p.sh. A po vjen bre? E lexove bre librin? A erdhe bre?

Në të gjitha këto fjali, qofshin urdhërore, qofshin ato fjali pyetëse, sipas mendimit tim, pasthirrma bre mund të zëvendësohet me foljen të lutem  dhe me zëvendësim nuk ia humb kuptimin e fjalisë.

Kjo folje është e zgjedhimit të dytë. Folja të lutem, zakonisht përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore. Funksioni i kësaj foljeje në fjali është që t’i drejtohemi dikujt me të mirë, me fjalë të buta e me mirësjellje dhe me këtë ne i kërkojmë diçka. Me anë të kësaj foljeje, folësi i shpreh dëshirën dhe e grish që ta plotësojë atë që kërkoi.

Këtu më poshtë po i paraqes të dy llojet e fjalive me zëvendësim.

Fjalitë urdhërore: Ec bre në shkollë – Ec të lutem në shkollë; Shko bre në treg – Shko të lutem në treg; Dil bre më shpejt – Dil të lutem më shpejt!

Shembujt në fjalitë pyetëse:

A po vjen bre – A po vjen të lutem; E lexove bre librin – E lexove të lutem librin?

Nga të gjithë këta shembuj vërehet se pasthirrma bre zëvendësohet me foljen të lutem dhe fjalia nuk po e humb kuptimin logjik të fjalisë. Përpiluesit e FGjSh – së kanë bërë një punë me rëndësi të madhe shkencore me gjithë atë që ka ndonjë lëshim sipas mendimit tim, por kam shpresë se në fjalorët e ardhshëm që do të përpilohen, autorët do të duhet të jenë më të përpiktë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit