13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Broja: Synoj ta çojë Shqipërinë në Botëror, i lumtur që jam në projektin e Chelsea-t

Futbollisti i Shqipërisë dhe i Chelsea-t, Armando Broja, ka thënë se synimi i tij me Shqipërinë është që të luajë në një Kampionat Botëror.

Këtë e ka thënë në një intervistë të gjatë për “Ëorld Soccer”, ku ka shpalosur objektivat e tij me klubin dhe kombëtaren.

“Në aspektin ekipor, objektivi im kryesor është të ndihmoj Shqipërinë të arrijë në finalet e një Botërori. Ndërsa sa i përket klubit, dua që ta ndihmojë në fitimin e trofeut të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Broja.

Ndërkaq, sa i përket aspektit personal, Broja tha se ëndërron një ditë ta fitojë Topin e Artë.

“Në nivel personal, gjithmonë kam ëndërruar të fitoj Topin e Artë. Të gjithë mendojnë se kjo do të ishte një arritje e çmendur, por nuk do ta përjashtoja kurrë si opsion nëse vazhdoj të qëndroj në nivele të larta dhe të punoj shumë”, shtoi sulmuesi kuqezi.

 
Broja më pas u pyet edhe për shokët e skuadrës te Shqipëria. Ai u përgjigj duke thënë se Shqipëria mund të jetë një “Marok i Kupës së Botës në Katar”.

“Është shumë emocionuese të jesh pjesë e një skuadre me disa lojtarë të rinj shumë të veçantë. Por ajo që është gjithashtu e rëndësishme është përvoja që kemi grup, që vepron si një përzierje e mirë. Ka të bëjë me vendosjen e të gjithëve në të njëjtën situatë dhe Sylvinho – së bashku me ndihmësin e tij Pablo Zabaleta – e kuptojnë këtë”, shtoi Broja.

“Nuk kam asnjë dyshim që kemi plot talent aty dhe është një nder i vërtetë për mua të jem pjesë e këtij projekti. E pamë atë që bëri Maroku në Kupën e Botës dhe besojmë se nuk ka asnjë arsye pse ne si grup të mos e përsëritim diçka të ngjashme në të ardhmen. Ne kemi talentin për ta çuar Shqipërinë në Kupën e Botës për herë të parë në historinë e saj”, tha ai.

Sulmuesi 21-vjeçar vazhdon të jetë i lënduar që nga muaji dhjetor, derisa së fundmi ka nisur rikuperimin dhe mendohet të jetë i gatshëm për ndeshjet e muajit qershor me Shqipërinë.

Ai foli edhe rreth çështjes se si po shkojnë përgatitjet.

“Po rikuperohem shumë më shpejt nga sa pritej. Të jem në gjendje të kthehem në palestër dhe të punoj me ushtrime force ka qenë një shtysë e madhe për mua pasi isha i detyruar të qëndroja në shtrat dhe të kaloja më shumë kohë në fizioterapi gjatë javëve të para pas operacionit. Ishte periudha më e vështirë”, theksoi Broja.

“Isha në regjim shtrati për rreth gjashtë javë dhe nuk mund të bëja asgjë, kështu që jam i lumtur që e kam kaluar tashmë atë fazë. Vrapimi dhe ndryshimi i drejtimit do të vijnë gjatë muajve të ardhshëm, gjëra për të cilat po punoj aktualisht, por po tregohemi shumë të kujdesshëm që të mos nxitojmë shumë”, shoti ai.

Në vitin e kaluar, Broja nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare me Chelsea-n, derisa ai beson që është element kyç për të ardhmen e skuadrës.

“Patjetër që mendoj që jam element kyç në skuadër. Kjo duket se është filozofia e pronarëve të rinj, planifikimi i të ardhmes dhe është një nder shumë i madh që më kanë besuar si një pjesë e rëndësishme e klubit”.

“Chelsea më ka mbështetur shumë në karrierë dhe tani më takon mua t’ia shpërblej këtë besim. Sapo të kthehem nga dëmtimi, ky është qëllimi im më i madh afatshkurtër, për ta provuar këtë dhe do të më duhet të shfrytëzoj çdo mundësi që më del përpara”, ka thënë mes tjerash Armando Broja.

Kujtojmë që Broja ka një gol e një asistim në 12 ndeshje të këtij sezoni në Premier Leauge (shumicën është inkuadruar nga banka rezervë).

Ndërkohë, sezoni i kaluar ishte frytdhënës për 21-vjeçarin kuqezi, i cili kaloi në formë shumë të mirë te Southampton-i, duke shënuar nëntë gola dhe duke dhuruar një asistim në 38 ndeshje. Albanian Post

Më Shumë

Lajmet e Fundit