13.8 C
Prizren
E shtunë, 1 Tetor, 2022

Çabej djalosh… që kishte fjetur me kravatë!

 Për gjuhëtarin e madh, nga anët e veta tregohen edhe episode të vogla, por shprehëse të një intelekti dhe karakteri dallues që herët. Eqrem Çabej, ky emër i lidhur fort me historinë, kulturën e gjuhën shqipe, shkollimin fillor e kreu në shkollën qytetëse, në vitin 1921, në Gjirokastër, nga ishte edhe prejardhja e familjes.

Në vitin 1921, si nxënësi më i mirë i shkollës, 11-vjeçar i dhuroi lulet e mirëseardhjes në Gjirokastër, politikanit dhe historianit të shquar francez, mik i shqiptarëve, Justin Godart.

Për të vazhduar studimet u dërgua në Austri. Para se të hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Reinmyler, në St. Pölten afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten.

Çabej nxënës, larg familjes, nuk e pati të lehtë të ambientohej me jeten konviktore, me ambientin vjenez, me mënyrën e stilin e jetës, edhe me veshjen.

Tregonte, kur i lidhën kravatën për herë të parë, i duhej ta vendoste sa herë që nisej në mësim. Ai dhe shokët kishin provuar, por nuk e lidhnin dot. Të nesërmen, ndërsa shokët i mbanin në duar, ai e kishte të lidhur. Fillimisht shoket u mërziten, i folën se ishte treguar egoist që nuk i kishte ndihmuar, po e vërteta ishte krejt ndryshe, atë darkë, Çabej kishte fjetur me kravatë.

Tregojnë, kur Çabej vinte me pushime ne Gjirokastër, i pëlqente të shëtiste dhe të takonte mësuesit e tij, për të cilët shfaqte dashuri dhe respekt. Vendet me të preferuara për shëtitje ishin Kështjella, Kodra e Këcullës, Bashteja e Teqesë etj.

Me përfundimin e studimeve te larta, Çabej u kthye në Shqipëri dhe punoi mësues gjimnazi dhe nëndrejtor i konviktit “Malet Tona” në Shkodër (1934) ku dha letërsi shqipe, ndërsa në vitin shkollor 1935-1936, Çabej u transferua në shkollën Normale të Elbasanit.

Më 1938-1939 e gjejmë përsëri arsimtar, po kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe.

I specializuar në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane, veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë.

Vend zenë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës, si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Gjirokastrën, qytetin e tij të dashur, Çabej e ka vizituar disa herë edhe pas çlirimit të vendit.

Është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndersa Bashkia e Gjirokastrës e ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Qytetit”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit