Skuadra e Serie A, Cagliari është vendosur të emërojë stadiumin e tyre me emrin e madhit të ndjerë Gigi Riva, i cili u nda nga jeta së fundmi.
Ish-ylli i Italisë, Riva, ka ndërruar jetë të hënën. Që nga nata e së shtunës ai ishte shtruar në spital pasi pësoi një krizë akute koronare ndërsa ishte në shtëpinë e tij. Mjekët shpjeguan se Riva-s i ishte ofruar një operacion angioplastik dhe se ai kishte refuzuar, duke kërkuar kohë për ta menduar. Disa orë më vonë një atak i ri në zemër rezultoi fatal.
Një nga emrat më të mëdhenj të sportit italian, Riva është aktualisht golashënuesi më i mirë për kombëtaren dhe mori nofkën “Rombo di Tuono” (Bubullima) pasi kishte fituar kampionatet evropiane me ekipin dhe ishte gjithashtu nënkampion i Topi i Artë në vitin 1969. Ai e kaloi pothuajse të gjithë karrierën e tij te Cagliari, duke refuzuar ofertat nga klubet më të mëdha pavarësisht se klubi i tij kishte vështirësi.
Me Sardenjen në zi, presidenti i Cagliari-t, Tommaso Giulini, ka konfirmuar se stadiumi i klubit do të emërohet tani me emrin “Riva”. Ai i tha “Sky Italia”: “Njeriu shkon, por legjenda ka lindur. Gigi Riva është Cagliari, dhe do të jetë përgjithmonë, nga sot më shumë se kurrë”.
“Të kemi shumë borxh, Gigi, dhe do të duhet të të respektojmë. Ne do t’i kushtojmë stadiumin Gigi-t, por mbi të gjitha përpjekjen e vazhdueshme të secilit prej nesh për ta bërë edhe më të lavdishme fanellën e Cagliari-t, siç bëri si lojtar, si menaxher, si një flamur që nuk do të ulet kurrë”, shtoi Guilini. AlbanianPost