14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Çështja e arsimit Kosovë-Shqipëri larg tendencave përbashkuese

AbetarePërveç unisimit të tekstit të Abetares dhe disa projekteve të kohëpaskohshme, çështjet arsimore dhe të kulturës kombëtare shqiptare, ende ndodhen larg tendencave përbashkuese, thonë ekspertë të arsimit.

Ndërkohë, përfaqësues të institucioneve, në Prishtinë dhe Tiranë, thonë se qeveritë respektive, po punojnë në intensifikimin e programeve të përbashkëta kombëtare, në fushën e arsimit.

Bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve të rajonit në fushën e arsimit ende nuk është në nivelin e kënaqshëm, thonë ekspertë të arsimit. Për një bashkëpunim më të thellë në këtë fushë, duhet të formohet një Këshill i përbashkët kombëtar, thotë për Radio Kosovën, eksperti Halim Hyseni, i cili mendon se pa një Këshill të tillë ky bashkëpunim nuk do të jetë i frytshëm.

“Nuk ka mundësi që të bëhet një integrim më i madh i sistemit të arsimit pa unifikimin e konceptit filozofik të sistemeve të arsimit dhe të harmonizimit të mundshëm të kurrikulave përkatësisht të plan programeve mësimore. Vetëm me plane dhe programe të harmonizuara shtetërore përmes kornizave kurrikulare, me të cilat shtetet i mbrojnë interesat e veta, atëherë nuk ka mundësi të flitet për një bashkëpunim të suksesshëm dhe produktiv nacional brenda për brenda shqiptarëve”, thotë Hyseni.

Prishtina dhe Tirana kanë marrëveshje të shumta në fushën e arsimit. Me vendet e tjera ku ka shqiptarë, ky bashkëpunim ka ende ngërçe dhe probleme, thotë për Radio Kosovën, Ministri i Arsimit, Ramë Buja. Sa i përket unifikimit të teksteve si dhe mundësisë së bashkëpunimit të autorëve të teksteve, ministri Buja, thotë se është filluar me Abetaren, e cila ka autorësi të të dyja vendeve.

“Ka autorë edhe të teksteve të tjera të niveleve të ndryshme shkollore, por me tu realizuar kjo që po synojmë, unisimin e kurrikulës së përbashkët, Shqipëri-Kosovë, besoj që pjesët tjera të gjeografisë shqiptare, do të jenë të gatshëm menjëherë të kyçen në këtë karvan të ecjes sonë. Por, nuk bëhet shumë shpejt kjo gjë , sepse duhet një kohë relativisht e gjatë, por që kurrikula e Shqipërisë që ka disa ndryshime, që të unisohet me tonën, ose e jona me atë, që të bëhet një e përbashkët”, thotë Buja.

Historiani dhe diplomati shqiptar, Paskal Milo, thotë se në këtë bashkëpunim, krijimi i teksteve të përbashkëta është më tepër i nevojshme për nivelin parauniversitar.

“Është filluar me Abetaren, por që është e pamjaftueshme. Duhet vazhduar me tekste të tjera bazë të arsimit parauniversitar, sepse aty bëhet formimi i brezit të ri”, thotë Milo.

Për një bashkëpunim më të thellë në fushën e arsimit nuk mungon kapitali njerëzor dhe kombëtar, thonë ekspertët. Ndërkohë, për arsimin universitar dhe pas universitar, Paskal Milo, thotë se ky lloj arsimimi ka nevojë për një larmi tekstesh, autorësh, alternativash shkencore. Sipas tij, ajo që duhet të bëhet, është shkëmbimi i profesorëve dhe studentëve në mënyrë të organizuar.

Më Shumë

Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”

Një vetaksident ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”. Nga ky rast nuk raportohet se ka ndonjë person të lënduar, por vetëm me dëme materiale. E...

35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke...

Lajmet e Fundit