14.7 C
Prizren
E hënë, 25 Tetor, 2021

Çfarë i kërkoi Beqir Balluku homologut kinez?

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën ‘Tepër sekret’ të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku ndodhen proces-verbalet e takimeve të delegacionit të lartë partiak e shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me delegacionin e lartë të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga kryetari i komisionit ushtarak pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Je Çen Ji, ku u diskutuan probleme të karakterit ushtarak, si dhe delegacioni i kryesuar nga ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, me delegacionin kinez të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Kinës, Çu En Lai, ku u diskutuan probleme të karakterit ekonomik, pasi Shqipëria kishte nevoje emergjente për drithëra buke, por qeveria kineze nuk mund t’i ndihmonte dot, pasi si rezultat i thatësirës, ata nuk kishin realizuar dot planet dhe po blinin grurin që francezët e kishin importuar nga amerikanët!

Nga: Dashnor Kaloçi

Dokumentet e panjohura që publikohen për herë të parë me proces-verbalet e plota të dy takimeve të zhvilluar në Pekin më datën 7 nëntor të vitit 1972, ku nga ana e delegacionit ushtarak shqiptar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat e llojeve të ndryshme të armëve të ushtrisë shqiptare), u kërkua që qeveria kineze të ndihmonte ushtrinë shqiptare, me armatime të të gjitha llojeve, duke filluar nga: armët e lehta të këmbësorisë (pushkë), artileri kundërajrore, tokësore dhe bregdetare, tanke, mjete të blinduar, anije, silurë për flotën luftarake detare, armë kimike, pajisje dhe material xheniere, ndërlidhje, radio-lokacioni, mjete autotransporti, avionë dhe helikopterë, uzina të industrisë mekanike për riparimin e tankeve dhe transportueseve të blinduar, municione luftarake dhe lëndë plasëse, material prapavije etj., pasi sipas ministrit Balluku, ushtria shqiptare ndodhej në një gjendje mjaft të vështirë nga ana e armatimeve, sepse ajo dispononte armatime të Luftës së Dytë Botërore, të cilat i kishin sjellë sovjetikët që në vitet ’50-të.

 

Dokumenti ‘Tepër sekret’ me proces-verbalin e takimit të delegacionit shqiptar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me delegacionin kinez, të kryesuar nga Jeh Çen Ji, kryetar i komisionit të Mbrojtjes pranë Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës, i zhvilluar në Pekin, më 7 nëntor 1972.

Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

Marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Kinës

Përmbajtja: TAKIMI I PARË I DELEGACIONIT USHTARAK TË RPSH (TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU) ME SHOKËT KINEZË JEH CEN JI, LI TEN SHEN, DHE XAN CAJ CIEN, DATË 7 NËNTOR 1972. BËHET FJALË: MBI MIQËSINË E BASHKËPUNIMIN LUFTARAK MIDIS DY PARTIVE, POPUJVE, DHE USHTRIVE TONA. MBI POZICIONIN GJEOGRAFIK TË SHQIPËRISË KU KRYQËZOHEN INTERESAT E PAKTEVE AGRESIVE TË NATOS DHE TRAKTATIT TË VARSHAVËS, QËLLIMET SHOVINISTE E ANEKSIONISTE TË SHTETEVE QË NA RRETHOJNË. MBI MASAT E MARRA NGA PPSH, PËR MBROJTJEN E VENDIT DHE PARAQITJEN E DISA KËRKESAVE PËR FORCIMIN E MBROJTJES.

TAKIMI I PARË PLENAR I DELEGACIONIT TONË ME SHOKËT KINEZË, DATË 7.11.1972

Në këtë takim nga pala jonë, morën pjesë të gjithë shokët e delegacionit dhe ekspertët. Ndërsa nga pala kineze, ishin shokët Jeh Çen Ji, Li Te Shen, Xan Çaj Çien, dhe të gjithë përfaqësuesit e armëve e të shërbimeve si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, si dhe të Ministrisë së Marrëdhënieve Ekonomike me botën e jashtme.

Shoku Jeh Çen Ji: Pasi i uroi mirëseardhjen delegacionit, theksoi se: kjo vizitë do të shërbejë shumë për forcimin e mëtejshëm të miqësisë e të bashkëpunimit luftarak ndërmjet dy popujve, dy partive, dhe dy ushtrive të vendeve tona.

Shoku Beqir Balluku: Pasi i falënderoi për pritjen shumë të përzemërt që i është bërë delegacionit vuri në dukje se: ne, jemi ngarkuar nga Partia dhe personalisht nga shoku Enver, me një mision shumë të rëndësishëm. Në radhë të parë për çelikosjen e mëtejshme të miqësisë së madhe midis dy partive dhe popujve, dhe për forcimin e bashkëpunimit ushtarak midis dy ushtrive tona. Ky mision që na është ngarkuar është shumë i rëndësishëm dhe ne do të përpiqemi që së bashku me juve shokë kinezë, këtë detyrë të madhe ta kryejmë sa më mirë.

Shoku Jeh Çen Ji: Si mendoni ju shoku Beqir, nga ta fillojmë këtë takim të parë?!

Shoku Beqir Balluku: Mendoj që unë të paraqes një ekspoze të shkurtër lidhur me disa detyra që i janë ngarkuar delegacionit tonë.

Shoku Jeh Çen Ji: Jemi plotësisht dakord me mendimin tuaj.

Shoku Beqir Balluku: Paraqiti ekspozenë dhe pas fjalës së tij, e mori fjalën shoku Jeh Çen Ji. (Fjala e shokut Beqir është me shkrim)

Shoku Jeh Çen Ji: Unë dhe të gjithë shokët e tjerë kinezë që jemi këtu, në këtë takim miqësor dhe pune mendoj se me shokët shqiptarë, kemi një ndjenjë vëllazërore të përbashkët sepse nuk u njohëm sot për herë të parë por jemi miq të vjetër sot e 20 vjet më parë, jemi miq dhe bashkëluftëtarë proletarë. Ne jemi të gëzuar që dëgjuam sot këtu këtë ekspoze nga shoku Beqir Balluku mbi gjendjen e Shqipërisë dhe sukseset që ka arritur populli dhe ushtria shqiptare, në fushën e mbrojtjes së vendit. Gjithashtu, dëgjuam me vëmendje nevojat dhe kërkesat që ju parashtruat, për forcimin e mbrojtjes tuaj në të ardhmen. Ne të gjithë e kuptojmë dhe jemi të mendimit se forcimi i vazhdueshëm i fuqisë mbrojtëse të Shqipërisë, është një detyrë e domosdoshme për ne, me qëllim që ajo të mbetet si kurdoherë një kështjellë e fortë e socializmit në Europë. Ashtu, siç ka thënë dhe shoku Mao Ce Dun se Shqipëria, është një fener i madh ndriçues i socializmit në Europë. Shqipëria është një shembull i madh sepse, me qëndrimin e saj ajo i shërben çështjes së madhe të popujve liridashës, në planin strategjik.

Prandaj është detyra jonë internacionaliste, që ta ndihmojmë sa më shumë Shqipërinë për forcimin e saj. Mënyra se si ju shoku Beqir, i paraqitët kërkesat tuaja, dhe mënyra se si na i shtruat ato na bën të mendojmë se ju keni një besim të madh ndaj nesh. Për këtë, ju falenderojmë thellësisht nga zemra. Ndihma që do t’ju jepet juve nga ana jonë, sipas mundësive tona për të forcuar sa më shumë fuqinë mbrojtëse të Shqipërisë, është detyra jonë, sepse kështu na mëson vazhdimisht kryetari Mao. Sot, ne mbetëm të kënaqur për të gjitha sa u thanë në këtë takim nga shoku Beqir Balluku, ndërsa për listën e kërkesave që na u dorëzua, kjo përbën një detyrë për ne të cilën duhet ta studiojmë me kujdes. Sot, ne kemi ardhur këtu për të biseduar me njëri tjetrin, si vëllezër dhe komunistë të vërtetë, që të studiojmë së bashku kërkesat e popullit vëlla shqiptar, njëlloj si kërkesat tona.

Shokët tanë specialistë së bashku me shokët shqiptarë, do ti shikojnë këto probleme njëlloj si problemet e tyre. Kina, i jep ndihmë pa interes Shqipërisë sepse ajo, është një vend i vërtetë socialist prandaj i lutem të gjithë shokëve që të bëjnë çmos, për ta parë sa më drejt këtë problem. Megjithatë juve, i dini dhe vështirësitë që kemi ne. Nga një poet klasik ne ruajmë këto fjalë, i cili ka thënë: “Kemi miq në këtë botë, me ta të jemi lidhur fortë, nga ata sado larg që jemi, fqinjë të mirë i kemi”. Megjithëse juve shoku Beqir, gjatë bisedës suaj i ngritët shpeshherë si vështirësitë tuaja po kështu dhe vështirësitë që kemi neve, por unë ju them se problemet tona ne duhet ti zgjidhim në rrugën e miqësisë sonë të vërtetë. Nevojat që juve keni sot, nuk përputhen në shkallën e zhvillimit të vendit tonë. Neve, në krahasim me nivelin ndërkombëtar të zhvillimit teknik, jemi akoma prapa. Revolucioni i madh kulturor proletar sot, është në fazën e tij të fundit. Dhe ne po luftojmë e po punojmë, që të rrisim sa më shumë prodhimin dhe nivelin tekniko-shkencor, me qëllim që të barazohemi me vendet e zhvilluara të botës. Ne, mendojmë se kërkesat tuaja mund të mos realizohen të gjitha sot, por ato mund të realizohen pas dy apo tre vjetësh.

Shoku Beqir Balluku: Të realizohen me faza. Kjo, është shumë e drejtë.

Shoku Jeh Çen Ji: Ju shoku Beqir, e keni parë edhe vetë por të jeni të sigurtë se me fitoren e revolucionit të madh kulturor e proletar, dhe me shkatërrimin e komplotit të Lin Biaos ne, brenda 2-3 viteve do të fuqizohemi akoma më shumë dhe do të ecim më shpejtë përpara. Ju shoku Beqir Balluku, përmendët se sot Shqipëria ndodhet e rrethuar nga të katër anët. Ky problem, na e tërheq vëmendjen. Pas Luftës së Dytë Botërore, nga 13 shtete socialiste, si rezultat i dekompozimit dhe shthurjes ideologjike, vende socialiste të vërteta dhe bashkëluftëtarë të çështjes së socializmit, mbetën Shqipëria, Kina, Koreja e Veriut, dhe Vietnami. Uniteti i këtyre vendeve socialiste dhe lufta e tyre për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit, ka një rëndësi shumë të madhe për çështjen e revolucionit botëror. Renegati i parë antisocialist dhe antimarksist, ka qenë Tito.

 

Jugosllavia 20 milionëshe, përpara tradhtisë së Titos, ka qenë një prapavijë e sigurtë për Shqipërinë në verilindje. Shqipëria tani ndodhet nga të katër anët e rrethuar në veri dhe verilindje me Jugosllavinë 20 milionëshe, në perëndim me Italinë 50 milionëshe, dhe në jug me Greqinë 8 milionëshe. Që këto të treja të marra së bashku, arrijnë shifrën e 78 milionë banorëve kundrejt Shqipërisë së vogël me 2.100.000 banorëve. Ja, si paraqitet gjendja e Shqipërisë. Prandaj lidhur me masat mbrojtëse që duhet të ndërmerren nga ne dhe nga ju, neve na ka tërhequr shpeshherë vëmendjen. Renegati i dytë, ka qenë Hrushovi dhe pas tij revizionistët e vegjël të vendeve të Europës Qendrorë dhe Lindore.

Me tradhtinë e Hrushovit, 3 krahë të Kinës, që më parë ishin prapavija e sigurt e saj, tani janë bërë vija e parë e frontin në luftën kundër revizionizmit. Prej më shumë se 30 vjetësh, Dallesi, një nga krerët e imperializmit amerikan, me politikën e tij reaksionare e pari rrethuar Kinën, ndërsa tani kohët e fundit me tradhtinë e Hrushovit na u shtua dhe një armik tjetër në këtë rrethim, që është dhe social-imperializmi sovjetik. Dhe së bashku me ta kundër vendit tonë, janë vënë dhe revizionistët e vegjël të Europës Qendrore e Lindore, si dhe ata të Azisë. Në bazë të analizës së kryetarit Mao në botë, ekziston mundësia e një lufte të re por tendenca e përgjithshme e popujve sot është revolucioni. Prandaj si Shqipëria, ashtu edhe Kina, nuk duhet ta ulin sadopak vigjilencën revolucionare, pasi ne në çdo kohë duhet të jemi të gatshëm.

Ashtu si dhe herët e tjera, populli i Kinës dhe i Shqipërisë, duhet të jenë gjithmonë së bashku për të shpartalluar sulmet e armiqve. Gjithashtu, duhet të fuqizojmë mbrojtjen dhe ekonominë. Për këtë problem ne, duhet të mbështetemi fort në faktorin kohë. Të fitojmë kohë me qëllim që të forcohemi sa më shumë. Sigurisht që Shqipërinë unë, nuk e njoh shumë mirë, por aq sa e njoh unë atë jam i mendimit që vija e jashtme politike që ka zbatuar shoku Enver, është shumë e drejtë. Në vizitën që ju bëtë në vendin tonë në vitin 1968, dhe në bisedën që patët me shokun Çu En Lai në atë kohë, bisedë e cila është reflektuar në protokoll, unë, kam lexuar se juve aty ngrinit problemin që Shqipëria pas një viti, mund të sulmohet nga armiqtë e saj. Ndërsa tani me tre vendet kufitare me të, Italinë, Jugosllavinë, dhe Greqinë, marrëdhëniet kanë ardhur duke u përmirësuar. Apo jo?!

Sigurisht që kjo gjendje ka ardhur si pasojë e vijës së drejtë politike të shokut Enver. Kjo, do të thotë që Shqipëria ka fituar kohë. Edhe Kina, rrezikohet nga një gjë e tillë. Neve na duhet akoma kohë për t’u përgatitur dhe do të bëjmë çmos për të ulur tensionin dhe për të fituar sa më shumë kohë sepse kjo është shumë e nevojshme për ne. Unë, jam plotësisht i qartë se shokët shqiptarë e kuptojnë vijën politike të shokut Mao. Ne tashmë e kemi çarë rrethimin e bllokadës së shteteve imperialiste e revizioniste dhe jemi duke u hedhur në kundërgoditje. Prandaj, siç e thashë edhe më parë, ekziston mundësia që të fitojmë kohë. Kjo sigurisht kërkon përpjekje të përbashkëta në mënyrë që brenda një kohe të shkurtër ne, të zgjidhim problemin e forcimit të mbrojtjes. Shqipëria, është një vend i vogël nga pikëpamja e sipërfaqes, prandaj në përputhje me këtë, në rast lufte ju duhet të përgatiteni si për luftë frontale, ashtu edhe për luftë popullore. Këtë problem e kuptojnë mirë dhe e zgjidhin vetë shokët shqiptarë. Në çështjen e drejtimit të ushtrisë, nuk mund të mos kihen parasysh këto probleme të rëndësishme. Lufta do të zhvillohet në tokë, në det, dhe në ajër. Cilën nga këto lloj luftimesh, ne duhet të zhvillojmë më shumë?! Ne, mendojmë se lufta më e madhe do të zhvillohet në tokë, prandaj asaj i duhet dhënë prioritet i madh.

Shoku Beqir Balluku: Edhe ne të atij mendimi jemi që fatin e luftës, e vendos lufta në tokë.

Shoku Jeh Çen Ji: Juve shoku Beqir, në fjalën tuaj ngritët mjaft probleme si për armatimin e forcave tokësore, detare, ashtu dhe për ato ajrore. Për këto kërkesa ne, do bëjmë çështë e mundur dhe sipas mundësive tona do tua plotësojmë ato në të ardhmen. Në fillim, duhet të kemi parasysh kërkesat e vitit të parë, dhe më pas ato të viteve të tjera të 5 vjeçarit. Ne sot, e ndjejmë veten tonë shumë të kënaqur nga besimi që kanë shokët shqiptarë ndaj nesh, duke na informuar me hollësi për gjendjen e Shqipërisë. Marrja në dorëzim e librit të kërkesave, është libër detyre për ne. Prandaj në mënyrë graduale ne, do të përpiqemi t’ua plotësojmë ato të gjitha pra: “vsjo”. Kjo fjalë, “vsjo”, është gjuha e popullit sovjetik, është gjuha e Leninit, por jo e Hrushovit dhe pasuesve të tij. Ne, jemi të lumtur sepse ardhja e delegacionit tuaj ushtarak të miqësisë në vendin tonë, është një inkurajim e nxitje për ne për të ecur përpara, do të na ndihmojë dhe prej tij ne do të mësojmë shumë. Ashtu siç thatë dhe ju shoku Balluku, në punën tone, ne do të ndjekim atë që gjithë secili shok shqiptar, sipas llojeve të armëve e shërbimeve, të bisedojë me specialistët tanë përkatës me hollësi për çdo problem.

Shoku Beqir Balluku: Shokët tanë, do të përpiqen që t’i sqarojnë sa më mirë shokët tuaj, për t’ua lehtësuar sa më shumë punën. Ndërsa për zhvillimin e bisedimeve në grupe, mendojmë ta bëjmë ashtu siç do ta caktoni juve. Për nevoja pune, mund të lëmë disa shokë të nevojshëm nga të delegacionit, pasi ne të nisemi për vizita nëpër Kinë, me qëllim që ata të ndihmojnë shokët tuaj për sqarimin e mëtejshëm të problemeve.

Shoku Jeh Çen Ji: Midis nesh shokë shqiptarë, është bërë traditë bashkëpunimi ynë vëllazëror dhe me siguri çështjet do të zgjidhen.

Shoku Beqir Balluku: Tek ju shoku Jeh Çen Ji ne, gjejmë vëllezërit tanë të vërtetë sepse juve jeni shokë besnikë të Mao Ce Dunit. Ju na keni ndihmuar gjithmonë, prandaj ne vijmë këtu tek ju si vëllezërit tuaj të vërtetë.

Shoku Jeh Cen Ji: Fjalët tuaja, janë mëse të drejta.

Shoku Beqir Balluku: Revizionistët sovjetikë, kanë degjeneruar në social-imperialistë. Partia jonë dhe partia juaj i ka demaskuar dhe i demaskon vazhdimisht revizionistët sovjetikë, si armiq të betuar të popujve dhe njëkohësisht ne dhe ju, jemi vigjilentë e të gatshëm që të mbrojmë vendet tona me armë kundër tyre. Tek ata ne, nuk kemi pikën e besimit dhe me gjendjen që po zhvillohet, revizionistët sovjetikë po bien gjithnjë e më poshtë. Fqinjët tanë territorialë janë plotësisht nën ndikimin e SHBA-së dhe BRSS-së. Qetësia relative që ekziston sot në kufijtë tanë, është konjekturale dhe nuk ndryshon aspak qëllimet shoviniste e agresive të këtyre vendeve ndaj nesh. Pra, kjo qetësi, mund të prishet në një çast të caktuar prandaj ne, duhet të rrisim vazhdimisht vigjilencën dhe gatishmërinë e mbrojtjes sonë që në rast agresioni, t’i thyejmë ata duke bërë një luftë me front të rregullt, dhe një luftë efektive popullore në prapavijë. Prandaj unë e ngrita në këtë mbledhje, forcimin e mbrojtjes sonë, që siç e dëgjuat edhe ju nga kjo ekspoze, ne e vëmë theksin në pajisjen dhe forcimin e trupave tona tokësore, duke përfshirë edhe tanket. Ne lutemi që këto nevoja të ngutshme që kemi, mundësisht të na plotësohen.

Shoku Jeh Çen Ji: Kjo është detyra jonë.

Shoku Li Te Shen: Kjo është detyra jonë.

Shoku Jeh Çen Ji: Pas këtij takimi shokët tuaj, do të bisedojnë me njëri tjetrin me shokët tanë si kolegu me kolegun.

Shoku Beqir Balluku: Më falni shoku Jeh Cen Ji, dhe ju shokët e tjerë kinezë që ju hëngrëm shumë kohë në këtë takim.

Shoku Jen Çen Ji: Ju lutem shoku Beqir, kjo është detyra jonë.

Shoku Beqir Balluku: Atëherë, më lejoni shoku Jeh Çen Ji, t’ju lëmë të lirë dhe t’ju falenderojmë për këtë takim kaq të përzemërt që na bëtë.

Mirupafshim. Memorie.al/ DASHNOR KALOÇI

Më Shumë

Prizrenasi gjen portofolin me 245 euro, e dorëzon në polici

Një qytetar në Prizren është paraqitur në stacionin policer ku ka dorëzuar portofolin që e kishte gjetur e në të cilin kishte 245 euro,...

Haskuka: Prizreni nuk ka kohë për të humbur që t’i rikthejë të korruptuarit e zhvatësit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka zhvilluar një takim mobilizues me kandidatët e tij, për Kuvendin Komunal. Ai, në këtë...

Wanda Nara i fal tradhtinë Icardi-t, Fjalët e ndjera të futbollistit: Sa dhemb të lëndosh njerëzit që do

Wanda Icardi duket se ka lënë gjithçka pas dhe ka mbajtur familjen të bashkuar. Ajo i ka falur tradhtinë futbollistit të PSFG, Mauro Icardi-t dhe...

Operacion policor, konfiskohen thasë me drogë në Suharekë

Drejtoria për Hetimin dhe Luftimin e  Narkotikëve – Njësia në Prizren dhe Njësia e Ferizajt, gjatë punës operative dhe marrjes se informatave nga burime...

Kriteret që duhet të plotësojë ai që kërkon të jetë deputet – Nga At Gjergj Fishta

Botuar më 1923 “Për shtetin tonë është nevoja të mblidhet sa më parë Kuvendi i Dheut ose Konstituenta, sepse nevojitet një reformë rrënjësore si nga...

MPB-ja ka një njoftim të rëndësishëm për furnizim me letërnjoftime

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka nënshkruar kontratën për furnizim me letërnjoftime. Nga kjo ministri janë deklaruar se nga muaji nëntor pajisja me letërnjoftime...

Dy ndeshje për të mbyllur javë e dhjetë në Superligën e Kosovës

Zhvillohet sot edhe dy ndeshje tjera në kuadër të Superligës së Kosovës. Tre ndeshjete para të luajtura për javën e dhjetë të martën, sollën shumë...

Gastronomia do të punojë deri në ora 23:00, muzika lejohet vetëm deri në 21 e 30

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar një sërë masash për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Në kuadër të këtyre bëjnë pjesë edhe kufizimet për gastronominë,...

“Kurrë s’jemi gëzuar si sot”, banorët e shtëpisë së të moshuarve “Jetimat e Ballkanit”, befasohen nga shëtitja në Prizren

Për banorët e shtëpisë së të moshuarve “Jetimat e Ballkanit” në Suharekë, sot ishte një ditë e veçantë, pasi ishte organizuar një shëtitje në...

Ikin nga 123 mjekë, Kosova në rrezik të mbetet edhe pa 1200 specialistë

Ikja e mjekëve nga Kosova po vazhdon edhe në këtë kohë pandemie, kushtet jo të mira në punë, paga e ulët dhe synimi për...

Prostituimi i vajzave shqiptare: Policia italiane merr 11 masa paraprake

Në qendër të Bolonjës është zbuluar një rrjet prostitucioni me vajza të reja shqiptare, ndaj së cilës Policia italiane e Shtetit ka kryer 11...

Erdogan kërkon që 10 ambasadorë të shpallen “non grata”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se ka urdhëruar Ministrinë e Jashtme të shpallë “persona non grata” (persona të padëshirueshëm) dhjetë...

Rritet çmimi i biletave për autobusët në Kosovë

Çmimi i derivateve të naftës është ngritur dukshëm në Kosovë. E bashkë me këtë ngritje, qytetarët tani po paguajnë më shtrenjtë edhe biletën e...

Këngëtarja e njohur refuzon dy herë ftesën e “Big Brother VIP”

Teksa në shtëpi pritet të hyjnë banorët e rinj, këngëtarja e njohur kosovare, Mihrije Braha sipas burimeve të emisionit “Prive” ka refuzuar dy herë...

Prizreni prin me numrin e të vaksinuarve brenda një dite

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë administruar 5 mijë e 287 doza të vaksinës kundër Covid-19. MSh-ja ka njoftuar...

Totaj paralajmëron koalicione për balotazh në Prizren

Gara për kryetar të Prizrenit, konsiderohet si ndër garat më të rëndësishme në zgjedhjet komunale në Kosovës. Edhe pse më 17 tetor, Mytaher Haskuka...

Lajmet e Fundit