6.3 C
Prizren
E mërkurë, 5 Shkurt, 2025

Demarkacioni si pretekst për rrëzimin e Qeverisë, zgjedhjet e reja në qershor

Derisa dy partnerët e koalicionit, PDK-LDK, janë në përpjekje të sigurimit të votave për ta kaluar me çdo kusht në Kuvend ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, kundërshtarët e kësaj marrëveshjeje edhe brenda vetë koalicionit po krijojnë pasiguri vendimtare të Qeverisë në procedimin në Kuvend. Këtë gjendje të mjegullt dhe hezitim të Qeverisë për dërgimin e Demarkacionit në Kuvend po e përdor së fundi kreu i PDK-së, Kadri Veseli, për ta sfiduar partnerin qeverisës, LDK-në, deri me akuza për mosveprim dhe mosefikasitet qeverisës, elemente që, sipas tij, e bëjnë të panevojshëm vazhdimin e funksionimit të koalicionit. Kryeparlamentari Veseli, derisa në njërën anë thotë se pret që të kenë vendimmarrje në Kuvend dhe Qeveri për ta zhbllokuar Demarkacionin, paralajmërimi tjetër me presion është se dështimi i kësaj teme e humb përfundimisht kuptimin e vazhdimit të këtij koalicioni, duke mos përjashtuar as prishjen e tij dhe opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Analistët politikë po e shohin këtë si përgatitje qëllimisht nga PDK-ja të skenarit të dështimit të Demarkacionit, si shkas për të cilin PDK-ja mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por gjithmonë duke fajësuar Ekzekutivin për pamundësi të përmbushjes së obligimeve. Ndërkaq, burime brenda PDK-së theksojnë se planifikojnë të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme të dielën e fundit të muajit maj apo më së voni të dielën e parë të muajit qershor.
Vendimmarrja e ngathët e kryeministrit

Analisti politik, Ridvan Emini thotë se krijimi i koalicionit PDK-LDK ishte bërë pas një bllokade të gjatë politike në vend dhe njëra ndër pikat më të vështira të arritura për krijimin e atij koalicioni ishte pozita e kryeministrit, pasi LDK-ja kishte këmbëngulur që ta ketë udhëheqësin e Qeverisë, gjë që për PDK-në, si partia më e madhe e dal pas zgjedhjeve, ishte mjaft sfiduese që të mos ketë kryeministrin e vet. Prandaj tani, sipas Eminit, edhe PDK-ja po sillet më kritike ndaj mosefikasitetit të kabinetit “Mustafa”.

“Kryeministri gjithnjë ka lënë terren të hapur duke mos qenë një ‘ekzekutues’ i shpejtë, dhe kjo i ka kushtuar LDK-së që nga formimi i saj si parti, gjë që do t’i kushtojë edhe tani. Si shef i Qeverisë, z.Mustafa nuk ka arritur prej vitesh që t’i ketë votat e nevojshme në Kuvend për t’i kaluar çështjet me rëndësi për vendin, e posaçërisht sa i përket Demarkacionit, andaj Veseli ka shfrytëzuar këtë hapësirë duke e marrë primatin edhe sa u përket çështjeve, të cilat janë kompetencë e shefit të Qeverisë. PDK-ja e ka futur partnerin e koalicionit në një rrugë qorre, duke e ‘kërcënuar’ me zgjedhje të parakohshme apo me kalim të Demarkacionit”, tha Emini. Si pasojë e kësaj brishtësie, ai thotë se tani të dy subjektet politike po bëjnë përgatitje konkrete që të sfidohen edhe me zgjedhje të reja. “Ajo që duhet potencuar është se që të dyja, si PDKja po ashtu edhe LDK-ja, kanë filluar një fushatë, pasi vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme nacionale në çdo moment. Andaj, edhe për shkuarje në zgjedhje të parakohshme nacionale sipas kësaj logjike do të vendosë z.Veseli”, tha Ridvan Emini..

Më Shumë

Botohen dy përzgjedhje nga krijimtaria e Ragip Sylajt

Janë botuar dy përzgjedhje nga krijimtaria e Ragip Sylajt dhe një libër me shkrime të pabotuara. Botuesi nga Prishtina “Jakup Ceraja” i ka botuar dy...

Aksident me të lënduar në Hamovc të Rahovecit

Një aksident raportohet se ka ndodhur sonte në Hamovc të Rahovecit. Sipas RahovecPost, në këtë aksident një person dyshohet se ka pësuar lëndime trupore. Marketing

Lajmet e Fundit