23.8 C
Prizren
E premte, 19 Gusht, 2022

Demokracia e vjedhur

Ute SchaefferUte Schaeffer

Evropa duhet të përgatitet për trazira politike në rritje në rajon. Ky reformim i çrregullt mund të shoqërohet vetëm në mënyrë të kufizuar. Por një gabim Perëndimi nuk duhet ta bëjë më kurrë: të besojë tek “diktatorët e mirë” dhe t’u forcojë atyre krahët.Barrierat dhe telat me gjemba pengojnë me zor që të mos shpërthejë një kaos i përgjithshëm: nga njëra anë demonstruesit, që angazhohen për një rend politik sekularist. Nga ana tjetër, përfaqësuesit politikë të fesë islame. Deri para pak kohësh luftonte në Kajro lëvizja sekulariste civile Tamarud kundër Vëllezërve Myslimanë në qeveri. Në Egjipt, si edhe në Tunizi tani ka ndodhur ajo, për të cilën shumë druheshin se do të ndodhte: “lufta e ftohtë civile” u shkallëzua. Në Egjipt atë e ndaloi ushtria – me mjete të diskutueshme.

Në Tunizi nuk dihet nëse lufta civile do të ndalet. Këto janë lajme të këqija: ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja sociale. Dhuna aktuale dhe konfrontimi e hedhin Tunizinë me vite pas. Ato pengojnë që të vijnë investuesit, që të kthehet gjendja normale, me të cilën të jetohet në njëfarë mënyre.

Por para së gjithash këto janë lajme të këqija për demokracinë. Ajo që nisi në Tunizi në dhjetor 2010 me kaq shumë shpresa, kërcënon të marrë fund. Demokracia që u kërkua atëherë me zë të lartë, për shumicën e egjiptianëve dhe të tunizianëve ka mbetur një premtim bosh: ajo nuk solli as drejtësi, as kushte më të mira jetese. Në vend të kësaj, në të dyja vendet ajo solli në pushtet qeveri konservatore islamike, me pak përvojë në politikë. Dhe kështu, në sipërfaqe doli ajo që kishin shtypur dhe mbuluar më parë diktaturat: kontradikta midis të varfërve dhe të pasurve, qytetit dhe fshatit – e para së gjithash kontradikta e papajtueshme midis islamistëve dhe sekularistëve.

Nën presionin intensiv për ndryshime dhe pasigurisë për situatën politike, shoqëritë u shpërbënë. Ka pak gjëra që i mbajnë të bashkuara këto shoqëri – tri vjet pas kthesës së përbashkët politike. Kjo sjell me vete rreziqe të mëdha për të gjithë rajonin dhe për fqinjët në Evropë.

Tunizia ndodhet drejtpërdrejt para portave të Evropës. Ndërsa Egjipti është një shtet me rëndësi qendrore në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Drejtimi që do të marrin të dyja vendet do të përcaktojë të ardhmen politike të një rajoni të tërë, të rëndësishëm strategjik. Megjithatë, pjesa tjetër e botës reagon e rezervuar ndaj kërcënimit për dështimin e kthesës demokratike. E painteresuar? Ndoshta.

Por para së gjithash: pa ditur të ç’të bëjë. Vetëm sa për kujtesë: në fund të korrikut, ushtria egjiptiane vrau tetëdhjetë mbështetës të vëllezërve myslimanë. Një përgjigje e qartë e Perëndimit për këtë masakër nuk u dëgjua. Dhe Perëndimi injoron përhapjen e shpejtë të ekstremizmit fetar në këto vende: ish-komitetet qytetare për mbrojtjen e revolucionit janë kthyer në roje të fesë të gatshme për të përdorur dhunë. Ato imponojnë direktiva të fesë islame për veshjen dhe për stilin e jetesës, frikësojnë popullin. Mbështetja për salafistët e gatshëm për dhunë është shtuar dukshëm në të dyja vendet.

Këtë vit në Tunizi u vranë dy politikanë sekularistë, me gjasa nga ekstremistët islamikë. Kaosi aktual në shtetet e kthesës politike bën që të bëhet thirrje “për një dorë të fortë”. Por nuk ka diktatura të mira! Është gabim të besosh se autokratët dhe despotët mund të sjellin më shumë siguri dhe rend. Por në rastin më të mirë ata sjellin një siguri të përkohshme false. Pikërisht kjo ishte ajo që tregoi kryengritja. Kaosi i sotëm është trashëgimi e diktaturës. Ajo që del në pah është: të dëbosh një diktator nga posti është njëra gjë – të ndërtosh demokracinë është diçka tjetër. Dhe sado hidhur që tingëllon: nuk duket se kjo do të arrihet shpejt. Ai që ka humbur hë për hë është edhe Perëndimi: SHBA, Franca, Evropa i patën mbështetur me dekada diktaturat e vjetra.

Si të besuar dhe këshilltarë tani konsiderohen fqinjët arabë, megjithëse ata përzihen në mënyrë masive në kaos dhe ndjekin interesat e tyre.

Evropa duhet të përgatitet për trazira politike në rritje në rajon. Ky reformim i çrregullt mund të shoqërohet vetëm në mënyrë të kufizuar. Por një gabim Perëndimi nuk duhet ta bëjë më kurrë: të besojë tek “diktatorët e mirë” dhe t’u forcojë atyre krahët.

Më Shumë

Presidenti Begaj sot nis vizitën dyditore në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj më 15 dhe 16 gusht realizon vizitën e parë zyrtare në Kosovë. Begaj do të takojë drejtuesit më të lartë...

Talibanët një vit më vonë: Vajzat e zhdukura të Afganistanit

Për 20 vitet e fundit, gratë kishin luajtur një rol vendimtar në ndërtimin e një Afganistani të ri. Ato ishin anëtare të gjyqësorit, punonjëse...

Lajmet e Fundit