10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Dënohet me gjobë i akuzuari për shfrytëzim ilegal të burimeve natyrore në Krushë të Madhe

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me 600 euro gjobë për të akuzuarin për veprat penale “Dënimet penale për aktivitetet e jashtëligjshme minerale” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, Vahid Ramadani.

Ai u dënua me nga 300 euro gjobë për secilën vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

Ramadani deklaroi se ndjehet fajtor për veprat e kryera dhe se pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që, me rastin e caktimit të dënimit, ta ketë parasysh faktin se është mbajtës i familjes pesë anëtarëshe, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Sadri Alija, i cili tha se një veprim i tillë ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjyqtari Shabani të akuzuarin e ka obliguar t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, me aktakuzën e 9 dhjetorit 2019, e akuzon Vahid Ramadanin me dy vepra penale dhe atë, “Dënimet penale për aktivitetet e jashtëligjshme minerale” nga neni 80 i Ligjit për Miniera dhe Minerale si dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 29 tetor  2019, në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, si pronar i kompanisë “Ramadani” sh.p.k, shfrytëzon jashtë mase burimet natyrore, duke operuar ilegalisht në shfrytëzimin-seperimin e resurseve minerale.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollit të inspektorëve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), është vërtetuar se i pandehuri ka ushtruar aktivitet të paligjshem pa u pajisur me licencë të nevojshme të organit kompetent, KPMM, për aktivitetin e veçantë seperacion.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri më 19 tetor 2019, në kohë të pacaktuar, në ndërmarrjen e tij, me dashje heq ose dëmton vulën apo shenjat zyrtare, të cilat me 18 mars 2019 ishin vendosur nga zyrtarët policor dhe inspektorët e KPMM-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit