9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Mungon i pandehuri dhe i dëmtuari, shtyhet seanca për vjedhje në Suharekë

Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, të hënën ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarve Arian Përzhaku dhe Erlind Gegaj për veprat penale” vjedhje” dhe “vjedhje të rëndë”.

Shkak i dështimit të seancës ishte mungesa e të akuzuarit të dytë Erlind Gegaj, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në seancë nuk ka qenë prezent as pala e dëmtuar, Xhavit Bekteshi, ku nga fletëkthesa gjykata është njoftuar se i njëjti gjendet në perëndim.

Të pranishëm në seancë kanë qenë mbrojtësi i të pandehurit të parë Arian Përzhaku, avokati Natal Bullakaj dhe prokurori Musli Gashi.

Gjyqtari i çështjes, Robert Tunaj, ka theksuar gjykata është njoftuar nga Policia e Kosovës se udhërarrestin nuk kanë mundur ta ekzekutojnë, pasiqë të akuzuarin nuk e kanë gjetur në shtëpi.

Në mungesë të kushteve ligjore gjyqtari e ka shtyrë seancën për 15 tetor 2020 në orën 10:30, ndërsa kërkoi që i akuzuari Erlind Gega ka kërkuar që të sillet me urdhërarrest.

Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 15 shtator 2017, Arian Përzhaku, Eldin dhe Erlind Gegaj akuzohen se me 11 prill 2015, në orë të pavërtetuar, në fshatin Studenqan, Komuna e Suharekës, në bashkëveprim, duke thyer, kaluar apo depërtuar me forcë në hapësirat e mbyllura ose duke hequr pengesat tjera me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, në atë mënyrë që shfrytëzojnë momentin e volitshëm, mos prezencën e të dëmtuarit Xhavit Bektëshi, hyjnë në shtëpinë e këtij të fundit dhe me mjet të përshtatshëm, kaçavidë e hapin një dritare të dhomës, hyjnë brenda, demolojnë gjërat e shtëpisë dhe nga aty marrin një televizor të markës “Panasonic” së bashku me telekomandën e tij dhe largohen nga vendi i ngjarjes, me ç’rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje të rëndë” nga neni 327, paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të KP-së.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Arian Përzhaku akuzohet se në korrik te vitit 2015, në orë të pavërtetuar, në fshatin Dobërdolan, Komuna e Suharekës, personit tjetër ia merr pasurinë me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, në atë mënyrë që shfrytëzon momentin e volitshëm, mos prezencën e të dëmtuarit Gazmend Cakiqi, hyn në oborrin e shtëpisë së këtij të fundit dhe nga aty merr një biçikletë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “vjedhjes” nga neni 325, paragrafi 1 i KP-së.

Kurse në dispozivitin e tretë të aktakuzës, Eldin Gegaj akuzohet se në prill të 2015-tës, në orë të pavërtetuar, në fshatin Studenqan, Komuna e Suharekës, blenë, pranon sendin për të cilin ka mundur ta dijë se është përfituar me kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që nga i pandehuri Arian Përzhaku blen një televizor plazma në shumën prej 50 euro, pronë e të dëmtuarit Xhavit Bekteshi.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 345, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KP-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit