5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Dështon të mbahet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të INFRAKOS-it dhe ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit

Në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të INFRAKOS-it, Agron Thaqi, tre ish-drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtorit të Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektorit të ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxherit dhe bashkëpunëtorit profesional të “INFRAKOS”-it, në Prizren, Naim Avdyli.

Shkak për mos mbajtjen e seancës së paraparë për të martën ishte mungesa e mbrojtësit të akuzuarit Visar Islamaj, avokati Granit Vokshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e avokatit Vokshi, i akuzuari Visar Islamaj, deklaroi se mbrojtësi i tij nuk mund të marrë pjesë në gjykim për shkaqe shëndetësore dhe kërkoj shtyrjen e seancës.

“Mbrojtësi im për shkaqe shëndetësore nuk mundë të prezantoj në shqyrtimin gjyqësor, unë nuk jam i gatshëm të vazhdoj gjykimin pa prezencën e mbrojtjes, pasi që sipas planit punues janë paraparë që të dëgjohet dy dëshmitarë kyç në këtë çështje penale prandaj edhe nuk jam në gjendje që seancën ta përcjell pa mbrojtje profesionale” tha i akuzuari Islamaj.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Agron Thaqi, avokati Skender Morina, nuk e ka kundërshtuar propozimin që seanca e sotme të shtyhet mirëpo i njëjti deklaroi se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia nuk mund të dimë se kush do të mungoj në seancën e radhës duke pas parasysh numrin e madhe të akuzuarve dhe dëshmitarëve të propozuar.

Ai ka kërkuar nga trupi gjykues që të bëjë veçimin e procedurës penale sa i përket të akuzuarve Agron Thaqi dhe Naim Avdyli.

“Konsideroj se juridikisht edhe fizikisht kjo lëndë mund të veçohet sa i përket të akuzuarit Agron Thaqi, sigurisht pajtohet edhe mbrojtja e të akuzuarit Naim Avdyli, që për shkak të ekonomizimit të procedurës dhe mos zvarritjes së procedurës lënda ndaj tyre të veçohet dhe të zhvillohet procedura e mëtutjeshme”, tha avokati Morina.

Një propozim të tillë e ka mbështetur edhe mbrojtësja e të akuzuarit Naim Avdyli, avokatja Bahrije Besimi.

Mirëpo këtë propozim e kundërshtoj prokurori Genc Nixha, duke thënë se dëshmitarët e propozuar janë edhe dëshmitarë të cilët duhet të dëgjohen edhe për të akuzuarit Agron Thaqi e Naim Avdyli.

Pas kësaj, trupi gjykues, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për veçimin e procedurës, po ashtu mori vendim për shtyrjen e seancë së të martës dhe anulimin e seancës së paraparë për 17 mars 2021, ndërsa seancat e radhës u caktuan më 11 dhe 12 maj 2021, në ora 10:00.

Mirëpo i pandehuri Agon Thaqi e kundërshtoi shtyrjen e seancës, pasi që konsideroi se seanca e radhës më 15 shtator 2020 është afat shumë i gjatë, duke kërkuar që e njëjta të mbahet në muajin gusht.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaqit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaqi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, me ç’rast ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar  dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.

Ndërsa, sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014, dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është  në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, me ç’rast ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.

Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka, më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj, më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi, më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është  në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, me ç’rast ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar  dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.

Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë edhe përkundër  konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarr asnjë veprim parandalues, me ç’rast ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.

Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.

Ndërkaq, i akuzuari Thaqi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në neni 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”, me ç’rast ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “Infrakos”, me ç’rast ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.

Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Vodhi kuletën e një gruaje tjetër, policia shpall në kërkim të dyshuarën nga Prizreni

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët ndihmë nga qytetarët për identifikimin e një të dyshuare për veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”. Policia njofton...

Policia në Suharekë konfiskon dy armë zjarri

Në 24 orët e  fundit, policia në Suharekë ka konfiskuar dy armë zjarri.     Siç bëhet e ditur, në rastin e parë, gjatë  kontrollit në automjetin...

Lajmet e Fundit