17.5 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025

Dikur tregtarët prizrenas matnin me kut e shkruanin në rabush

Prizreni ishte një qendër tregtare, sidomos gjatë periudhës së Mesjetës. Ashtu si edhe fushat e tjera të ekonomisë, edhe tregtia ka evoluar ndër shekuj. Megjithatë, deri në kohët e vona tregtia bëhej me mjete dhe forma primitive. Këtë e rrëfejnë madje edhe disa nga tregtarët e vjetër të Prizrenit, të cilët janë ende gjallë. Disa prej tregtarëve të moçëm të Prizrenit rrëfejnë se dikur ata e jepnin mallin në shkëmbim apo hua dhe atë e shënonin me rabush. Rabushi ishte një thupër, kryesisht thane, e cila ndahej në dysh, njëra mbetej te tregtari e tjetra te klienti dhe sa herë merrej një mall vihej një vijë me thikë. Edhe masat për matje ishin të ndryshme nga ato që janë sot, të standardizuara ndërkombëtarisht, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sistem i ndërlikuar numërimi

Profesori Sylejman Randobrava shprehet se më herët matej me kut.”Kuti ishte një masë për matje kur shitej pëlhura dhe stofrat e tjera. Kuti i madh kishte gjatësinë prej cm 80 cm të metrit të sotëm, derisa kuti i vogël kishte 64 cm”, tregon profesori Sylejman Randobrava. Etnologu Nexhat Çoçaj rrëfen se pëlhurat e leshta bëheshin në vegjë (tezgjah).

“Me ato përgatiteshin guna, velenxa (batanije leshi me dy shtresa), qilima, e të cilat pastaj jepeshin me kut, por fillimisht shënoheshin në rabush. Rabushi konsiderohej si mjet më preciz për atë kohë, ngase një fletë rabushi rrinte te blerësi e tjetri te shitësi”, shpjegon Çoçaj. Rabushi ishte mjeti më i përhapur në qytetin e Prizrenit, por edhe në Shkodër e Elbasan. Çoçaj shprehet se në vitet e pushtimit osman asnjëherë nuk reshtën përpjekjet e këtij populli për liri dhe përparim shoqëror.

“Duke qenë se Prizreni ishte qendër e hershme e civilizimit, ishte edhe qendra më e madhe administrative dhe kulturore e trevave të Dardanisë. Si një jehonë e kësaj kulture kanë mbërritur deri në ditët tona gjurmë dhe disa relikte, si është një dorëshkrim origjinal i hartuar me një alfabet, si dhe sistemi i numërimit me rabush, që është një sistem matematikor i veçantë, i përdorur deri në ditët tona vetëm nga banorët prizrenas”, shprehet Çoçaj.

Te blegtorët prizrenas thuhet se gjendet një sistem numërimi origjinal, sistemi i numërimit me rabush. Prizrenasit thuhet se kishin shpikur simbole që u korrespondonin numrave aritmetikë. Këta numra barinjtë polisarë i “shkruanin”, duke i gdhendur mbi një shkop prej druri, që quhej rabush.

“Rabushët përgatiteshin prej dru lajthie, pasi prej lajthisë dilnin shkopinj të drejtë, të fortë dhe pa palcë. Gjatësia e shkopit ishte 1,5 deri 2 m. Shkrimi i numrave bëhej me anë të një thike të vogël. Numrat shkruheshin në faqen kryesore të rabushit, në njërin nga kulmet e tij. Shënimi i tyre bëhej duke i radhitur numrat njëri pas tjetrit, nga e majta në të djathtë. Simbolet apo numrat që shënoheshin në rabush ishin: numrat 1 (një), 5 (pesë), 10 (dhjetë), 50 (pesëdhjetë), 100 (njëqind), 500 (pesëqind) dhe 1000 (njëmijë). Me anë të këtyre simboleve-numra zhvilloheshin disa veprime matematikore, siç ishin mbledhjeve të numrave dhe formimi i shifrave. Ato formonin numra me dy shifra, tre shifra, katër shifra dhe me më shumë.

Veprime të tjera, si zbritje, shumëzim dhe pjesë- tim, nuk bëheshin. Veprimi i zbritjeve bëhej duke i fshirë (zhdukur) numrat nga rabushi. Rabushët përdoreshin kryesisht nga barinjtë për të matur (shënuar) sasinë e bulmetit (qumështin, djathin, gjalpin, gjizën etj.), e mishit, e leshit etj. Sot rabushët janë nxjerrë jashtë përdorimit. Përdorimi i rabushëve në Prizren vijoi deri në mesin e shek. XX. Më vonë sistemi i numërimit me rabush vijoi të përdorej nga ndonjë bari i vjetër, për forcë zakoni. Rabushët kanë mbetur si një relikt i vjetër, që dëshmon për një kulturë të lashtë, të krijuar në shekuj nga prizrenasit”, tregon profesor Rrandobrava.

Ende mendojnë me kuti

Kurse disa nga gratë e moçme në Prizren ende komunikojnë me këtë gjuhë. Fatime Gashi, një grua rreth të njëqindtave, duke folur për “Kosova Sot”, tregon se dikur blinin me rabush. “Edhe dimitë i blinim me kuti. Për një palë dimi të mira na duheshin deri në 10 kuti, e për dimi më të lehta na duheshin pesë kuti”, rrëfen Gashi. Ajo tregon se kuti ishte e vetmja masë atëkohë. “Unë hala i pyes me kuti valla të gjitha sendet. Unë s’di çka është metri”, shprehet ajo për gazetë. Ndryshe, etnologu Çoçaj shprehet se këto i gjejmë edhe në këngët e dasmave prizrenase.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Rrahu gruan para fëmijëve dhe u zhduk – në kërkim i dyshuari nga Llozica e Malishevës

Në fshatin Llozicë të komunës së Malishevës një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe psikike të përsëritur. Viktima është M.GJ, 27...

Sfida 2: Trepça synon barazimin, Bashkimi epërsinë 2:0 drejt titullit

Super finalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës vazhdojnë me super sfida interesante. Beteja zhvendoset në Mitrovicë, ku të mërkurën nga ora 19:00 zhvillohet ndeshja...

Lajmet e Fundit