Zëdhënësja e Ministrisë së Kulturës , Jehona Shyti ka deklaruar për KultPlus se në takimin e Prizrenit palët janë pajtuar në parim që ta mbështesin këtë festival ndërkohë që detajet kanë mbetur të qartësohen në kuadër të takimit për harmonizimin e kalendarit të përbashkët kulturor, i cili pritet të mbahet së shpejti.Ndërsa drejtori i festivalit, Veton Nurkollari në një prononcim për KultPlus ka deklaruar se mirëpret çfarëdo nisme që ka për qëllim mbështetjen dhe avancimin e DokuFest-it, organizimi i të cilit ka një kosto jo të vogël.
“DokuFest është një model që duhet marr” kishte deklaruar një vit më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke premtuar se do ta mbështesë këtë festival në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
Kreu i Qeverisë së Shqipërisë kishte shprehur përshtypjet e tij më të mira për këtë ngjarje kulturore, duke e cilësuar DokuFest-in festival të shkëlqyer. Ai i kishte bërë këto komente teksa kishte postuar në rrjetin social “Twitter” një fotografi nga Prizreni me drejtuesit e këtij festivali.
Ende pa u mbushur një vit, ideja për bashkëfinancimin e DokuFest-it u riaktualizua në takimin e parë të dy qeverie që u mbajt në Prizren.
Zëdhënësja e Ministrisë së Kulturës , Jehona Shyti ka deklaruar për KultPlus se në takimin e Prizrenit palët janë pajtuar në parim që ta mbështesin këtë festival ndërkohë që detajet kanë mbetur të qartësohen në takimin e drejtuesve të institucioneve artistike mes Kosovës dhe Shqipërisë për konkretizimin e kalendarit të përbashkët kulturor, i cili pritet të mbahet së shpejti.
Shyti tha se ende nuk është diskutuar për shumën apo edhe periudhën e financimit të këtij festivali por ka shtuar se në parim qeveritë e të dyja vendeve pritet të ndajnë mjete të barabarta për këtë ngjarje kulturore.
Drejtori i festivalit, Veton Nurkollari në një prononcim për KultPlus ka deklaruar se deri më tash nuk është njoftuar për diskutimet në këtë takim ose për formën dhe mënyrën e financimit të kësaj ngjarjeje kulturore.
Megjithatë ai mirëpret çfarëdo nisme që ka për qëllim mbështetjen dhe avancimin e DokuFest-it, organizimi i të cilit ka një kosto jo të vogël.
“Organizimi i edicionit të fundit të festivalit ka kushtuar rreth 250 mijë euro, përjashtuar aktivitetet e tjera përcjellëse që organizohen në kuadër të kësaj ngjarjeje” ka deklaruar për KultPlus, Nurkollari duke shtuar se deri më tash sponsorë kryesorë kanë pasur bankat dhe ministritë e ndryshme të Qeverisë së Kosovës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Kulturës Jehona Shyti ka deklaruar se gjatë dy viteve të kaluara ky festival është financuar me rreth 40 mijë euro nga taksapaguesit e Kosovës, mjete këto të shpërndara përmes ministrive të ndryshme të qeverisë së Kosovës si dhe komunës së Prizrenit.
Ndërsa drejtori artistik i DokuFestit, Veton Nurkollari bëri të ditur për KultPlus se komuna e Prizrenit nuk i ka dhënë ende 15 mijë eurot e zotuara vitin e kaluar për këtë festival.
Edicioni i 13-të i DokuFest do të mbahet prej 16 deri 24 gusht. Për pjesëmarrje në edicionin e sivjetmë, deri më tash, kanë konkurruar 300 filma nga vende të ndryshme të botës derisa konkursi për aplikim mbetet i hapur deri më 15 mars.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota. /KultPlus/