13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Dokumentari i pashfaqur i Komunës së Suharekës që kushtoi gati 9 mijë euro

Komuna e Suharekës para gati një viti bëri një dokumentar për këtë qytet i cili kushtoi 8 mijë e 990 euro, ndërsa u shfaq deri tash vetëm për kryetarin dhe drejtorët komunalë.

Paratë për dokumentarin komuna i siguroi nga vija buxhetore e paraparë për teatër dhe rini.

Drejtori i Kulturës në Suharekë Nuhi Llugaxhiu që ishte iniciues i dokumentarit tha për të se ka gjithçka rreth Suharekës.

“Ne kemi realizuar një dokumentar, ku në këtë dokumentar janë të gjitha të dhënat, është thjesht një letërnjoftim, prezantim i komunës së Suharekës për të gjithë ata të cilët janë të interesuar,” tha Llugaxhiu.

Drejtori i Kulturës thotë se teatri dhe rinia nuk kanë mbetur pa përkrahje, pavarësisht se për dokumentarin paratë u morën nga vija e përcaktuar për to.

“Ne e kemi përkrahë edhe qendrën rinore edhe teatrin. Ne e kemi teatrin e ëndrrave, kështu që nuk kanë mbetë pa përkrahje këta, nëse ne kemi marrë [para] prej një pozicioni të tillë,” deklaroi Llugaxhiu.

Por anëtari i teatrit “Ëndrra”, Brahim Thaçi, mohon se sivjet iu ndanë mjete këtij institucioni.

“Në bazë të informacioneve që kam, gjatë këtij viti nuk është nda asnjë vijë buxhetore, mirëpo vitin e kaluar janë dhënë vetëm disa prej shumave simbolike, përkundër sukseseve që ka pasur [teatri] gjatë viteve,” tha Thaçi.

“Teatri i Ëndrrave” është i vetmi në Suharekë, ndërsa merr pjesë nëpër shumë aktivitete teatrore, e aktori i tij Burhan Sejdiu në vitin 2013 është shpallur aktori më i mirë i Festivalit të Komedisë në Gjakovë.

Brahim Thaçi ankohet se mezi kishin siguruar mjetet për teatrin nga administrata e kaluar, ndërsa tash ato iu morën për bërjen e dokumentarit.

“Shuma prej 8990 eurove i kalon një filmi dokumentar, të cilin nuk e ka pa askush, aq më tepër e cila i është marrë vijës buxhetore nga e cila nga pushtetit i kaluar më shumë presion nga ana e jonë, është kërkuar që të jetë një vijë buxhetore, e cila do ta themelonte me tutje një teatër profesional,” tha Thaçi.

Edhe zyrtarë të subjekteve opozitare në Suharekë ankohen se nuk e kanë parë dokumentarin.

“Nuk dimë ma tepër se ku është ai dokumentar, çka përmban ai dokumentar edhe në qoftë se është vlera reale e shfaqjes së atij dokumentari. Meqenëse nuk e kemi pa, as ne, as ju si media, mirëpo as qytetaret tjerë të komunës së Therandës, për me pas vlerësim pastaj se a ka mundur me kushtuar 9000 euro ai dokumentar, apo jo,” thotë Leonard Shala nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Suharekë.

Jeton Rrakaqi nga PDK-ja thotë se ky nuk është skandali i vetëm i pushtetit lokal të Suharekës.

“Nuk di dikush që është shfaqur ai dokumentar. Drejtoria e Kulturës nuk është hera e parë që skandalizohet me kësi gjëra,” thotë Rrakaqi.

Por drejtori i Kulturës Llugaxhiu nuk shqetësohet nga kritikat e opozitës.

“Dikush, mund të na kritikojë pse nuk është bë asamblist, ose për parti politike, por kjo neve nuk na çon shumë peshë, pse partitë, ose subjektet politike nuk e kanë parë [dokumentarin]. Për neve është shumë e rëndësishme që e kemi arritur një qëllim të caktuar,” thotë Llugaxhiu.

Kostoja nuk mund të rritet nëse komuna nuk gjen donator për shfaqjen e dokumentarit.

“Formën e promovimit e mendojmë përmes televizioneve lokale edhe përmes televizioneve nacionale, që të gjejmë sponsor, ndoshta këto televizione do të jenë sponsorë që të bëhet promovimi,” shpjegon Llugaxhiu.

Edhe vetë kryetari i Komunës së Suharekës Salli Asllanaj në mbledhjen e fundit të asamblesë e pranoi se dokumentari është shfaqur vetëm për Bordin e Drejtorëve./Kallxo.com/

Më Shumë

Përurohen kabinetet e shkencave të gjimnazit “Gjon Buzuku” dhe shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren

Sot, u përuruan kabinetet e shkencave (Fizikë, Kimi, Biologji dhe Gjeografi) në SHFMU “Motrat Qiriazi” dhe gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, një bashkëfinancim mes...

Zhduket policja nga Rahoveci

Një zyrtare policore nga Rahoveci, është larguar nga shtëpia e saj të dielën. Të marten, ajo u raportuar e zhdukur nga familjarët. Rasti u konfirmua për...

Lajmet e Fundit