16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Dragashi, pa qeveri lokale!

Qamil KOLLONI Qamil KOLLONI

• Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, pas dëmit politik, po tenton të bëj edhe dëmin ekonomik. Se lojërat dhe prapaskenat politike për interesa personale janë të rrezikshme, dëshmon edhe seanca e fundit e Kuvendit të Komunës së Dragashit. Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë po kuptohen lojërat e kryetarit të Komunës së Dragashit, apo më mirë të themi PDK-së, pjesa e cila është nën regjim të Salim Jenuzit.
Që nga largimi i themeluesve të kësaj partie, si dhe marrja nën udhëheqje nga kryetari i tanishëm, Salim Jenuzi, në komunën e Dragashit PDK-ja udhëhiqet nga njerëz me të kaluar të dyshimtë. Kjo u vërejt, që nga konstituimi i kryesisë së kësaj partie, si dhe pas marrjes së pushtetit lokal.
Në mandatin e parë udhëheqës, në radhët e kësaj partie u angazhuan njerëz, të cilët në vazhdimësi kishin punuar në organet komunale, edhe pas largimit të punëtorëve shqiptarë dhe ndarjes së njëanshme të komunës, nga forcat e Milosheviqit.

Gjatë viteve të mëvonshme të qeverisjes së Salim Jenuzit, edhe më tej filluan të shtohen apetitet e njerëzve, që gjatë kohës së Milosheviqit kishin krijuar, apo më mirë të themi, kishin përfituar në forma të ndryshme, e kuptueshme, në dëm të shqiptareve. Këta njerëz, ishin po ata të cilët përmes shantazhimeve larguan gradualisht forcat progresiste të PDK-së dhe pjesëtarët e UÇK-së që ishin rreshtuar në këtë subjekt politik. Ketë e arritën, duke u fshehur prapa emrit të Salim Jenuzit, si dhe PDK-së si subjekt.

Çdo ditë e më shumë po dëshmohen këto fakte me lëvizjet e fundit politike, të cilat po dëshmojnë afërsinë e këtyre njerëzve me bashkëpunëtorët e Milosheviqit. Zgjedhjet e fundit lokale po dëshmojnë se, edhe në radhët e legjislacionit komunal në Dragash, janë me shumicë ish-bashkëpunëtorët e pushtetit serb nga dy komunitetet, si shqiptarë ashtu edhe goranë.

Për t’i rehatuar apo akomoduar sa më mirë këta ish-bashkëpunëtorë të Milosheviqit në të kaluarën, si dhe të qeverisë aktuale serbe, Salim Jenuzi kërkon shtimin e drejtorive komunale, vetëm e vetëm që të ruaj kolltukun e tij. Këtu lind dyshim se, edhe po nuk deshi Salim Jenuzi të bëjë një gjë të tillë, është i detyruar nga sekserët e tij, të cilët edhe sot e kësaj dite mbajnë takime të fshehura, duke i ruajtur raportet e hershme me ish-bashkëpunëtorët. Demin politik që ka shkaktuar kryetari i tanishëm, Salim Jenuzi, me koalicionet e panevojshme me CDU-në, si dhe marrëveshjen e fshehtë me VAKAT-in, që në raundin e parë, do t’i kushtojnë edhe ekonomikisht qytetarëve të kësaj komune. Tri drejtori, me një llogari të thjeshtë paraprake, i kushtojnë qytetarëve të Dragashit, hiç më pak se 70 mijë euro.

Insistimi i tij dhe i PDK-së, që të arrihet zgjerimi i drejtorive komunale, është i pakompromis, ngase është i shtyrë nga sekserët dhe ish-drejtorët që nuk dëshirojnë t’i lëshojnë pozitat e tyre. Por, më e rëndësishmja është shkelja ligjore që po e bën kryetari i tanishëm. Sipas ligjit për qeverisjen lokale, nënkryetarit nga radhët e komuniteteve, Çasip Kushit, i ka skaduar mandati, për faktin se nënkryetari nga komunitetet zgjidhet me vota nga Kuvendi, pasi të jetë propozuar nga kryetari dhe Komiteti për Komunitete. Andaj, vazhdimi i qëndrimit në këtë pozitë, si dhe shfrytëzimi i automjeteve komunale nga Çasip Kushi, është vepër penale. Nga ana e kryetarit të tanishëm, është keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe shkelje e ligjit, sepse këto veprime po iu kushtojnë qytetarëve.

(Autori është anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Dragash)

Më Shumë

Lajmet e Fundit