25.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Dritëro Agolli, zhurmat që mbajnë brenda dy kohë

Ishte viti 1963 kur Dritëro Agolli shkroi tregimin “Kur dashuroja një grua”. Historia e një gazetari të ri që shkon për të bërë një reportazh në Thumanë dhe bie në dashuri me Donikën, gruan e veterinerit ku bujt ato ditë. Gjithë shqetësimi i një lidhjeje të ndaluar, vjen me tone të ndjeshme në një stil tepër përparimtar për vitet që është shkruar.

Ky tregim është pjesë e një përmbledhjeje tregimesh dhe novelash të shkruara pas viteve ’60 nga Agolli, ku shohim se jeta nën kampin socialist na vjen në një tjetër këndvështrim, atë të raporteve njerëzore.

“Zhurmat e erërave të dikurshme”, një libër që të përfshin teksa e rilexon edhe 50 vjet më pas, të jep një tablo tjetër të letërsisë shqipe vetëm disa vite pas çlirimit. Kjo, jo vetëm për faktin që pjesa më e madhe e historive në këtë libër orvaten rreth dashurisë, por për ikjen e bukur që shkrimtari i ka bërë kohës, duke i bërë këto rrëfime të lexohen si të jenë shkruar në vitin 2016.

Agolli duket sikur ka marrë në dorë bojërat e një piktori dhe ka ngjyrosur me ngjyrat e duhura çdo gjendje të personazheve të tij, duke i bërë të jashtëzakonshëm. Por përtej vlerave që mbart ky libër në letërsinë tonë të shekullit XX, ka një tjetër histori që ka shoqëruar botimin e tij, të cilën shkrimtari e ka ruajtur prej vitesh, për ta bërë publike në ribotimin që do të kishte libri disa vite më parë.

“Çdo libër ka një histori kur lind, histori që kujtohet herë pas here nëse jetën e ka të gjatë. Kështu ka ndodhur edhe me librin ‘Zhurma e erërave të dikurshme’. Ai lindi nga një radhë tregimesh të shkruara në fillim të viteve ’60 të shekullit XX dhe të botuara kryesisht në revistën ‘Ylli’, ku kryeredaktor ishte Qamil Buxheli, një burrë i fisëm dhe me ide përparimtare, shkrimtar me një humor të rrallë modern dhe një njeri me shije të hollë artistike”, kujton Agolli.

Libri do të botohej më 1964-n për herë të parë, me një kopertinë të Safo Markos, me një sfond të zi dhe me një figurë në ngjyrën e një thëngjilli të ndezur. Në atë kohë Safo Marko ishte grafistja më e mirë e librave që botoheshin. Nga botimi i librit shkrimtari do të merrte pesë kopje. Ishte rregull që pesë kopje dërgoheshin në drejtorinë e shtypit të KQ-së të Partisë së Punës. Por kaloi një kohë dhe libri nuk po dilte në librari. Nuk vonoi shumë dhe shkrimtarin do ta thërrisnin në Komitetin Qendror, bashkë me redaktoren e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Në atë takim, siç kujton ai, ishin përgjegjësi i shtypit, drejtori i drejtorisë së propagandës dhe një tjetër.

“Në takim u diskutua me libër përpara se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullonte nëpër librari apo të ndalohej. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare; personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. Pas këtyre vërejtjeve, një nga pjesëmarrësit që nuk më kujtohet se cili ishte, tha se libri duhej ndaluar, një tjetër shtoi se duheshin hequr disa tregime dhe të botohej me një kopertinë tjetër jo aq të zymtë. I treti propozoi të botohej siç ishte dhe pastaj të kritikohej, duke u përcjellë me disa artikuj”, thotë Agolli.

Pasi i bënë disa vërejtje dhe disa këshillime, në atë periudhë ai punonte si gazetar te “Zëri i Popullit”, atij iu tha se duhet të ishte shembull i pasqyrimit të realitetit, duke mos bërë gabime ideologjike. U vendos që libri të shkonte sërish në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, pasi t’i hiqeshin disa tregime dhe të zëvendësoheshin me disa të tjerë, të cilët të kishin në qendër “heronj pozitivë”. Sipas kësaj këshille, Agolli do të hiqte disa tregime si “Njeriu me veladon”, “Egërsia” dhe ndonjë tjetër, duke i zëvendësuar me skica dhe reportazhe. Me këtë ndryshim libri doli në qarkullim pas disa muajve me një kopertinë tjetër, por disa kopje të botimit të parë të tërhequr nga shtypshkronja mbetën në duart e dashamirësve. Me të gjitha ndryshimet e bëra “Zhurmat e erërave të dikurshme” filloi të bënte zhurmë.

Në shtyp ai u kritikua si një vepër me gabime ideologjike. Kritikat u rritën pas Plenumit të 15 të KQ-së të PPSH-së të vitit 1965, ku vërejtjet u morën në formë zyrtare.

“Në atë plenum, bashkë me librin tim, u kritikuan dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Ismail Kadare, a ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur të mos kishte folur Enver Hoxha në konkluzionet e atij plenumi në mbrojtjen time. Ai tha për mua se Dritëro Agolli është bir i partisë dhe ka vepra shumë të bukura. Unë atëherë kisha botuar poemën ‘Devoll’”, kujton Agolli.

Koha do të bënte të veten. Librit i ishte caktuar fati. Pas atij plenumi iu dha orientim shkollave të mesme që të kritikonin veprat që përmendeshin nga Partia. Kjo barrë do t’u ngarkohej dhe mësuesve të letërsisë. Për ironinë e fatit, bashkëshortja e tij, Sadija, ishte mësuese e letërsisë. Ajo ishte 23 vjeçe dhe atë vit ishte martuar me Agollin. Në shkollën “Partizani” i ra shorti të kritikonte burrin e saj, me të cilin kishte vetëm tre muaj që ishte martuar.

“Ajo u kthye nga shkolla e habitur dhe e shqetësuar dhe, sa hodhi librat mbi tavolinë, m’u drejtua: ‘Më thanë në drejtorinë e shkollës që të kritikoj ty për atë librin …’. Iu përgjigja: ‘Ti më vrafsh, ti më prefsh, vetëm jo Partia!’. Sadija m’u përgjigj se kjo nuk ishte punë shakaje dhe më kërkoi t’ia shpjegoja gabimet ideologjike që përmbante ‘Zhurmat e erërave të dikurshme’. Por kjo është një histori e gjatë”, kujton Agolli.

Pas gati 40 vitesh libri do të ribotohej nga “Onufri” më 2006-n. Në këtë ribotim shkrimtari ka shtuar disa tregime të tjera të botuara në shtypin e kohës. Por historitë që e shoqërojnë këtë përmbledhje të çmuar me tregime, e bëjnë më ndjellëse leximin e tij, si një libër që të gjitha pasionet e ndrydhura të viteve ’60, ka ditur t’i shndërrojë në copëza shkëlqimi shprese. /Shqip

Më Shumë

Kryeministri Kurti ua uroi diplomimin studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte folës kyç në ceremoninë e diplomimit të 450 studentëve të gjeneratës së vitit 2025...

Punëtori pëson lëndime në fshatin Lubizhdë të Hasit

Një punëtor ka pësuar lëndime serioze në vendin e punës në fshatin Lubizhdë tw Hasit. I lënduari  është nën trajtim intensiv në QKUK. "Rreth orës 13:00...

Lajmet e Fundit