Kim Kuk-song ndodhet tashmë larg vendit të tij komunist, por zakonet e vjetra të fshehtësisë nuk i ka harruar.
Kaloi 30 vjet duke punuar në rangun e lartë të agjencive të fuqishme të spiunazhit të Koresë së Veriut. Sipas tij, këto agjenci ishin sytë, veshët dhe truri i Liderit Suprem.
Ai pretendon se për vite me radhë ka mbajtur sekretet e tyre, ka dërguar vrasës për të vrarë kritikët, madje ka ndërtuar një laborator droge të paligjshëm për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve “revolucionare”.
Tani, ish-koloneli i lartë ka vendosur të tregojë historinë e tij dhe kjo është hera e parë që një oficer i lartë ushtarak nga Pheniani jep intervistë për mediat jo vendase.
Kim ishte një shërbëtor besnik komunist dhe renditej në rangjet e larta, por grada dhe besnikëria nuk e garantojnë sigurinë në Korenë e Veriut. Ai duhej të largohej për të shpëtuar jetën, në vitin 2014 dhe prej asaj kohe jeton në Seul dhe punon për inteligjencën e Koresë së Jugut.
Koloneli tregon se në maj të vitit 2009, një urdhër mbërriti në zinxhirin e komandës për të formuar një “Task Forcë terroriste” për të vrarë një ish-zyrtar të Koresë së Veriut i cili kishte dezertuar.
“Për Kim Jong-un, ky ishte një akt për të kënaqur babanë e tij”, tregon Kim.
“Një Forcë Terrori ” u formua për të vrarë Hwang Jang-yop në fshehtësi. Unë personalisht drejtova dhe kreva punën”.
Por atentati shkoi keq. Dy majorë të ushtrisë së Koresë së Veriut janë ende duke vuajtur dënimin me 10 vjet burg në Seul për komplotin. Pheniani gjithmonë mohoi se ishte i përfshirë dhe pretendoi se Koreja e Jugut kishte organizuar përpjekjen.
“Në Korenë e Veriut, terrorizmi është një mjet politik që mbron dinjitetin më të lartë të Kim Jong-il dhe Kim Jong-un. Ishte një dhuratë për të demonstruar besnikërinë e pasardhësit ndaj udhëheqësit të tij të madh”, thotë ish-gjenerali.