22 C
Prizren
E hënë, 14 Korrik, 2025

E mori shqipja në palë të flamurit

PREND NDOJA, shkrimtar

-Heroi i Kosovës, Mentor Retkoceri-

1.
Porsa hapa derën e restorantit me emrin e bukur e poetik “Krojet”, në Prevallë, u ndieva disi ndryshe në krahasim me restorantet e lokalet e tjera. Një atmosferë e vërtetë atdhetare, ku gjithçka fliste për ato tradita që të gjithë i kemi për zemër. Në krye të vendit flamuri ynë kombëtar. Më tej dokumente të Kuvendit të Arbërit, që evokojnë krenarinë tonë kombëtare për Arbërinë e heronjtë e saj. Duke u ndierë si në shtëpinë time, i lashë për pak çaste në tavolinë njerëzit që më shoqëronin dhe po ngazëllehesha me atë që më shikonin sytë. Malli i mërgimtarit dhe dashuria për vendlindjen e traditat e të parëve përbënin atë amalgamë emocionesh, prej të cilave rridhte edhe ndonjë pikë lot. Diku vura në kokë një kapuç të bardhë me shqiponjë. Më tej mora në dorë një çifteli, ku ishte gdhendur fotografia e një djaloshi të ri me uniformën e UÇK.

I rrëmbyer pas atyre objekteve, sikur isha në një ekspozitë a muze historie e traditash, nuk vura re afrimin e një burri të moshuar, aty tek të shtatëdhjetat. Ai po më shihte me buzëqeshje dhe pastaj më përshëndeti:
-Mirëse erdhët. Nga Shqipëria vini?
-Mirësejugjeta! Shqiptar jam, por nga trojet kosovare iu përgjigja.-Kam ardhur me pushime nga Amerika.
Me shumë përzemërsi më ftoi të uleshim në një kënd, aty ku ishte oxhaku karakteristik i banesave malësore. Prevalla është lart në Parkun Natyror të Maleve të Sharrit dhe klima është e ftohtë në dimër dhe e freskët në verë, ndaj në pjesën më të madhe të vitit ndizet zjarri. Oxhaku ishte i zbukuruar hijshëm me ornamente të traditës shqiptare.
-Quhen Ismet Retkoceri,- u prezantua ai.

I thashë edhe unë emrin tim e filloi midis nesh një bisedë e ngrohtë. Unë mbaja akoma në dorë çiftelinë. E ndala vështrimin tek fotografia dhe e pyeta se kush ishte ai djaloshi si yll i bukur me uniformën e UÇK?

-Ai është djali im, Mentori,- foli dhe ndieva si filloi t’i dridhej pak buza.-Ai ra në moshën më të bukur, në luftë për lirinë e Kosovës. Tregonte për djalin e në emocionet e tij u përfshiva edhe unë, pasi në mendje më vinin edhe të afërm të mi që u sakrifikuan në atë luftë. Po bisedonim si dy njerëz të afërt e ai, duke parë shenjat e emocionit tek unë, shtoi:
-Liria nuk mund të vinte pa sakrifica e pa flijime. Edhe unë isha pjesë e asaj lufte, por nuk pata fatin të isha përkrah tij në altarin e lirisë. Ai mbeti hero, duke na lënë dhimbjen, por edhe krenarinë për heroizmin e tij.

2.
Nga vargmalet flet
me shqipen e malit:
Aty ku rri ti,
gjakun do ta fali.
N’palën e flamurit,
shqiponja e merr,
veç liri atdheut,
për dëshmor kam le.

Këto vargje emocionuese janë të këngës kushtuar Heroit të Kosovës, Mentor Retkoceri, i cili ia fali gjakun e tij lirisë së Kosovës në moshën 21 vjeçare, në kulmin e ëndrrave dhe të energjive të tij rinore. Ishte pranverë, 26 maji i vitit 1999. Në fshatin Fierishtë (Sylevë) u zhvillua një betejë e ashpër e forcave çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe, që ishin më të shumta në numër dhe më të armatosura. Mentori kishte zënë vend pranë një qershie. Sipër frutat e kuqe si gjaku, poshtë lulet e lëndinës, që dukej sikur i këndonin moshës rinore të djalit. Po në atë ditë do të këndonin armët në një betejë të ashpër. Dhe një plumb e këputi në mes, në lule të rinisë, jetën e djaloshit trim, bashkë me ëndrrat e tij, që i kishte aq të shumta e aq të bukura. Pikërisht, aty pranë qershisë bashkëluftëtarët e varrosën trupin e tij. Qershia derdhi lot të kuq si gjaku, pranvera derdhi lot shiu.
Mentor Retkoceri kishte lindur në fshatin Lupç të Poshtëm në zonën e Podujevës, më 9 shkurt të vitit 1978. Aty hodhi hapat e parë në jetë, aty mësoi edhe germat e para të alfabetit shqip, në klasën e parë. Pastaj familja e tij shkoi të jetojë në Prishtinë, në lagjen “Dardania”. Edhe shkolla ku ai do të vazhdonte mësimet e mëtejshme kishte emrin e bukur shqiptar “Dardania”.

Babai i tij, Ismeti e nëna Fatimja, njerëz të mbrujtur me ndjenja atdhetare dhe me një dashuri të madhe për Kosovën e Shqipërinë, krahas interesimit për mbarëvajtjen në mësime, e edukonin djalin e tyre edhe me këto ndjenja patriotike. Ndaj edhe Mentori, gjatë viteve të shkollës, ishte gjithnjë në kërkim të një formimi të shëndoshë profesional e atdhetar. Me rritjen e tij provoi kualifikimin në gjeodezi e në komunikimin rrugor në shkollën e mesme “28 Nëntori” në Prishtinë. Por e tërhiqnin edhe shkencat filozofike, për të cilat u regjistrua në vitin shkollor 1996-1997 në Universitetin e Prishtinës.
Ishte koha kur kishin filluar lëvizjet e protestave studentore e ato të popullit të Kosovës kundër shtypjes së regjimit serb. Ëndrra dhe ideali për liri po merrnin flatra. Mentori nuk ngurroi për asnjë çast dhe u përfshi në protestat e studentëve. Madje, nëpërmjet kushëririt të tij, Batonit, u njoh e ra në kontakt edhe me lëvizjet e fshehta, që punonin për organizim të armatosur, me synim lirinë e Kosovës. Në vitin 1998 ai ra në kontakt të drejtpërdrejtë me forcat e UÇK dhe përqafoi idealin e tyre. Djaloshi 20-vjeçar mësoi që ushtria e re kishte nevojë për armatime.

I la studimet dhe iu kushtua çështjes së lirisë. U fut në territorin shqiptar dhe shkoi deri në Kavajë, prej ku organizonte dërgimin e armëve për në Koshare. Tashmë e ndiente veten luftëtar aktiv dhe për dy muaj u stërvit në Qerret të Kavajës, duke qenë edhe efektiv i gardës kombëtare “Skënderbeu”. Më vonë kaloi më afër kufirit me Kosovën, në Kalimash të Kukësit. Aty bëri edhe betimin e tij si luftëtar. Ai kishte prirje në të shkruar e mbante edhe ditar. Betimi i tij shquhet sa për shpirtin atdhetar e luftarak, aq edhe për sensin poetik. Të bën përshtypje fakti që djaloshi 20-vjeçar e kishte përqafuar me një forcë aq të madhe idealin e lirisë, sa nuk i dhimbsej as jeta e vet në lule të moshës. Në betimin e tij thuhet:
Unë ushtar, ushtar shqiptar, për herë të parë, betimin e dhashë në Kalimash, në mes Prishtinës e Tiranës.

Hajt të mos jua ninë, krejt do të bahet mirë e, pas luftës sonë, populli dhe Kosova do të jenë të lirë.

E pastaj, Kosova e Shqipëria do të jenë një.
E pastaj Kosova e Shqipëria do të jenë Europë.
E pastaj Kosova e Shqipëria do të jenë Amerikë.
E pastaj, kush do, me kë do, le të lidhë miqësi. Ajo pak ka rëndësi në Kosovën dhe në Shqipërinë e lirë.
E kush nga ne në luftë do të bjerë, heshtazi do pushojmë nën këtë dhe.
Të gjallët do na kujtojnë, lule te varret e gjyshërve, stërgjyshave tanë, do na bijnë.
Ky ishte betimi i Mentor Retkovecit në pranverë të vitit 1988, në Kalimash të Kukësit, në skuadrën “Skënderbeu”.

Si një luftëtar i formuar shpirtërisht e fizikisht, ai u fut në territorin e Kosovës, në zonën operative të Llapit, ku merrej edhe me stërvitjen e ushtarëve të rinj, duke qenë skuadërkomandant i Njësitit për Ndërhyrje të shpejtë, që quhej “Komando 106”.
I riu zemërzjarr, tashmë në radhët e UÇK, në të cilën bënte pjesë edhe i ati, Ismeti, do të kalonte nga beteja në betejë kundër forcave serbe, për çlirimin e Kosovës. Pushka dhe zëri i tij luftarak do të dëgjoheshin fuqishëm në Konufeshc e në Gegaj, në Bradash e në Llapashticë, në Katunishtë e në Brunicë. Në veçanti luftime të ashpra u zhvilluan në dimrin e vitit 1999 në Majac. Tanimë ai e ndiente veten të kalitur e të sprovuar në beteja dhe nuk i trembej syri, duke u bërë një shembull guximi e trimërie për moshatarët e bashkëluftëtarët e tjerë. Lajmet për suksese të UÇK-së ia mbushin zemrën me gëzim dhe ëndërronte për ditën e lirisë së Kosovës.

Në pranverën e atij viti, në pikën strategjike të Kaqanollit ishin përqendruar forca të shumta serbe, që kërkonin të thyenin UÇK-në e të vendosnin supremacinë në fushën e betejës. Komanda e Kaqanollit kërkoi përforcime, ndaj Mentori me një pjesë të “Komando 106” shkuan aty ku nevoja ishte më urgjente. Në Kaqanoll betejat ishin për jetë a vdekje. Mentori u shqua jo vetëm për trimëri, por edhe për aftësi organizative e taktike, për t’i lëvizur forcat sa në një vend në tjetrin, nga ku mund ta qëllonin armikun më mirë e t’i jepnin goditje vdekjeprurëse. Duke ndjerë këtë forcë goditëse, serbët vunë në përdorim edhe armët kimike. Por nuk e thyenin dot rezistencën e luftëtarëve kosovarë. Kur Atdheu fillon tek zemra, atëherë edhe zemrat bëhen një barrikatë e pakapërcyeshme për çdo armik. Madje vetë zemra bëhet si një fole fisheku, që godet drejt e në gjoksin e armikut.
Pak më vonë Mentori shkoi në Pollatë. Aty ishte strehuar një pjesë e popullsisë civile. Ishte një mori e madhe njerëzish, gati 15 mijë vetë, burra, gra, pleq e fëmijë. Ata kishin nevojë për ndihma e, mbi të gjitha, për mbrojtje nga goditjet e armikut. Mentori me bashkëluftëtarët e tij u vunë në mbrojtje të yre.

Pranvera kishte ardhur e bukur, por djaloshi 21-vjeçar nuk mund ta dinte që ajo ishte pranvera e fundit e jetës së tij. Më datën 24 maj ai mori urdhrin që me disa shokë të tij të shkonin drejt kufirit, në fillim në Marincë e pastaj në Fierishtën, që do të bëhej vendi i përjetësimit të lavdisë së tij.

Mentori kishte talent edhe në gdhendjen e skulpturave, sidomos në gdhendjen e tyre në dru. E nga ta dinte ai që në moshën më të bukur do të bëhej frymëzim për të tjerët, që do ta përjetësonin në skulptura, të cilat do i vendosnin në vendin ku gjaku i tij çeli si bozhure dhe në vendlindje, në Lupçin e Poshtëm, ku do të varrosej përfundimisht pas mbarimit të Luftës, më 23 korrik 1999. Vetëm dy muaj duheshin që të arrinte liria e Kosovës, të cilën ai e ëndërronte shumë. Por liria nuk vjen vetëm me ëndrra, ajo i ka rrënjët në gjak. E nga ato rrënjë lindi pema e madhe e lirisë, që e gëzon Kosova sot. Gjakut të tij iu bashkuan edhe sakrificat e 17 luftëtarëve të tjerë nga fisi i tij, disa prej të cilëve edhe u plagosën në beteja të ndryshme.

Babai i tij, Ismet Retkoceri, kur një gazetare i kërkoi të fliste për djalin e tij, u përgjigj. -Djali im nuk ishte i vetmi që ra për Kosovën. Si ai ranë edhe 2000 të tjerë. E unë nuk mund ta ndaj nga ata moshtarë të tij që dhanë jetën për liri. Por do të thoja që liria e Kosovës është liri edhe për Malin e Zi, edhe për Maqedoninë e Veriut. Është liri edhe për nënat serbe, sepse ato nuk do të lindin bij që t’u vriten duke luftuar kundër shqiptarëve.
Kurse vëllai i tij, Leutrim Retkoceri shkruan:

Kujtimi për Mentorin jeton çdo ditë edhe përmes brezave që po vijnë. Dielltori, djali im, mban me krenari pjesën më të çmuar të emrit të tij – “Tori” – një diell që ndriçon kujtimin dhe sakrificën e axhës së vet. E po ashtu, Arbi, djali i Agronit, mban një emër të madh, emrin e Arbërisë së Skënderbeut, idhullit të Mentorit dhe të gjithë shqiptarëve.
Heronjtë nuk lindin për veten e tyre, por për atdheun. Ata nuk largohen nga ne, por, shndërrohen në dritë për brezat që vijnë.
Me rastin e 20-vjetorit të rënies së Mentorit, një sheshi në Prishtinë, në lagjen “Dardania”, ku ai u rrit, iu dha emri “Mentor Retkoceri”. Edhe një rrugë mban emrin e tij. Me këtë rast u nderua edhe me titullin e lartë “Hero i Kosovës”. Mbi të gjitha, emri i tij rron në kujtesën dhe në zemrat e njerëzve.

3.
Pasi hëngrëm drekë në restorantin “Krojet”, dolëm jashtë e po shikoja përreth natyrën e bukur piktoreske të Prevallës, asaj zone turistike aq të preferuar, ku pyjet e lisave vazhdohen më tej me pyjet e pishës së zezë, aq të dobishme jo vetëm për ambientin, por edhe për shëndetin e njerëzve. Kjo zonë e Maleve të Sharrit, në lartësi gati 1800 metra, është shumë tërheqëse, ndaj këtu, si në dimër, ashtu edhe në verë vijnë turistë të shumtë. Po shikoja që, krahas hoteleve, shumë vila të mëdha e luksoze ishin ngritur në atë vend pas viteve të luftës. Nuk ishin vila që mund të ngriheshin me mundin, djersën e sakrificat e njerëzve të zakonshëm, që për vite e vite me radhë mezi arrijnë të ndërtojnë një shtëpi të thjeshtë, për të jetuar brenda me djersën e ballit. Thuajse pjesa më e madhe e tyre ishin vila politikanësh, ish-luftëtarësh të UÇK e njerëzve të afërt të tyre, që kanë siguruar fitime të majme në rrugë të padrejtë, në emër të atyre që lirisë i dhuruan gjakun, duke ëndërruar Kosovën e lirë e jo lukset e pamerituara.

Tek i shikoja më erdhën në mend fjalët aq të pastra e të sinqerta të Mentorit, heroit 21-vjeçar, kur në betimin e tij thoshte që, nëse biem dëshmorë, lule do të na sjellin brezat. Kurse ata që u pasuruan pas luftës, nuk mbillnin lule për të rënët, por vila për vete e për farefisin e tyre. Në mendje më erdhi një thënie e një francezi të shquar: “Revolucionet i organizojnë idealistët, i bëjnë heronjtë, ndërsa frutet e tyre i gëzojnë mashtruesit”.
Por emri i heronjve ngrihet madhështor mbi gjithçka. Sepse ata janë si yjet, që edhe pasi shuhen, vazhdojnë të na e dërgojnë dritën e tyre të dlirë nga qielli.

Marketing

Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!

Mos e humb verën – udhëto me Halimaj Reisen!

NISU – Çdo natë për Ulqin me Bashkimi Reisen

Freski e përditshme me çmim të zbritur – zgjidh aparatet e ujit Bruno!

Industria e mishit “Medina” në Prizren – traditë, cilësi dhe shije autentike të produkteve të mishit që nga viti 1991

Bruno & Brentoni Home me super oferta që nuk duhen humbur në Prizren!

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren

Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren

Më Shumë

Liria nis përgatitjet me synime të mëdha për sezonin e ri

Me shumë motivim dhe ambicie, Liria e Prizrenit ka filluar dje zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri 2025/26. Fillimi i fazës përgatitore po karakterizohet me...

Duda Balje: Besoj që presidentja ka pasur informacion për ndaljen e luftës – moskonstituimi është normalizuar

Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka folur para seancës së 46’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ajo foli edhe për deklaratat...

Lajmet e Fundit