11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Ejani të pështyjmë

(Shaká, skerco, apo hajgare… si të doni).

Mos pështyj mbi zjerm se nuk asht mirë.

                                                         Dukagjin.      

Thonë se para fjalës, njerëzimi ka përdorë gjestin për tu marr vesh. Edhe sot e kësaj dite gjestet vazhdojnë të përbëjnë një pjesë të mirë të mjeteve të komunikimit.

Nga Roma e lashtë është i famshëm gjesti i póliçes që vazhdon edhe sot e kësaj dite të përdoret, sigurisht jo më për vdekjen dhe jetën.

Kombe të ndryshme kanë gjeste të ndryshme dhe me kuptime të ndryshme, por disa prej tyre janë ndërkombëtarizuar. P.sh. Rrahja e duarve, duartrokitja, ka marr përmasa planetare dhe ka vetëm një kuptim që dihet nga të gjithë

Nuk do të merrem me kuptimin e gjesteve në popullata të ndryshme dhe me anën kuptimore të tyre, (semiotika merret hollësishëm me shenjat dhe kuptimin e tyre), por dua të theksoj se një prej gjesteve të ndërkombëtarizuara dhe me kuptimin më përbuzës dhe poshtërues është të “pështyrit”. Është gjesti i të fortëve apo i ”të fortëve”.

Në Kinë ende përdoret gjesti nga superiori për të aprovuar diçka. Ai pështynë diku rrotull në tokë dhe kjo tregon se ai, i forti, është dakord.

Nga ana vizuale vërtetë është i pështirë gjesti: Një spruco sekrecionesh të gojës që dalin me forcë në formë koni e të lagin në fytyrë.

S’ka ku të shkoj më zi!

Por shpesh sot për të poshtëruar, për të të nënshtruar, përdoret edhe folja “pështyj”.

P.Sh.  “E pështyva në surrat.” “E ka pështyrë mu në fytyrë.” Etj.

Pra gjesti është zëvendësuar me foljen, (“për edukate”), po në fakt folja ka të njëjtën vlerë me gjestin.

Është një gjest shumë i pështirë, dhe ata që e përdorin janë njerëz të pa edukate, inatçi të rëndomtë, të paplotësuar, fundërrina të dalë nga gjirizet, apo njerëz që duan të të venë për fund, shkurt – njerëz që nuk duhet të kesh të bësh me ta.

Kjo fraza e fundit është nga kreu e deri në fund një dokërr, nuk më intereson fare. As e fus në hesap. Nuk është për mua. Këto janë fjalë moralistesh të bezdisshëm. Unë bëhem “refraktarë”, si po i thonë fjalës në gjuhen këtyre tipave moralist.

… Prandaj, si birë i dej i racës që përfaqësoj kam nevojë të pështyj. Po pështyma nuk me del të lag nga koka në këmbë për bëmat e tyre shumë njerëz që i kanë pështyrë në shekuj e vazhdojnë, prandaj u bëj apel pështyrësve më të famshëm që kemi rreth e rrotull dhe që kanë dhënë prova në pështyrsi të më ndihmojnë ta mbarojmë me nderë këtë aksion kombëtarë, ndoshta edhe me ndihmën e ndonjë të huaji, pse jo(!), e ndërkombëtarizojmë çështjen.

Lista e atyre që duhen lagur më pështymë është tepër e gjatë, dhe u kërkoj të më falin ata që do të më ndihmojnë në gëlbagjosje po të harroj ndonjë.

Apo e kundërta, të më falin ndonjë prej atyre që ka nevojë të pështyhet që nuk e vura në listë.

Se ka edhe prej këtyre, hiq mos u çuditni!

Së pari njëfarësoj Teute që na paska qenë mbretëreshë apo ku di unë se ç’farë.

Hë, nuk donte të ishte vasale e Romës!

Donte të mbronte Atdheun e vet, tokën e varret e të parëve.

E kush, një morracake ilire! Mendoj se kjo e meriton e para.

Ptuh.

Kjo ishte sa për fillim. S’di a i mbrrinë pështyma e jonë deri atje. Është shumë larg. Kot të harxhohemi. Ndoshta duhet ardhur më afër.

Më afër, më afër… kush është më afër që kemi nevojë ta pështyjmë…

Ndoshta Gjergj Kastrioti.

Një kopuk, një këlysh i konvertuar në osmanli, një i pabesë, një bukëshkalë që tradhtoj zotin e tij… e për ç’farë? Që tu jepte liri bijve të Epirit, që të bëhej princ i Epirit, që ti bashkonte të gjithë principatat.

I bashkoj qeni të gjithë Arbrit, Albanët.

Në Lezhë.

Dhe të gjithë kuptuan më në fund se janë një komb.

Sigurisht ishte arrivist, as e çante kokën për njerëzit e fisit të tij.

Komshijt tanë mendojnë se ishte i tyre, kështu thonë. Shumë mirë, na e heqin këtë barrë, se barrë e kemi tash 600 vjet. Bile matjanet, aty ku thonë se kishte origjinën thonë se janë shqiptar, ha ha ha, ia fusin kot!

Mendjemadhi.

Desh të ishte si Leka i Madh.

E vuri ( thonë se ia vunë) shtesën e emrit Skënder, Lekë pra, Aleksandër, (Llesh me një fjalë.) me qenë se edhe nana e Lekës ishte nga fiset ilire të zonës së sotme të Vlorës, Olimbia, e shoqja e Filipit.

Po ai i madhi Aleksandër nuk e pranoj se ishte i biri i Olimbisë. Thoshte jam biri i gjarprit.

Ky i joni s’kishte nënë gjarpër.

Ha ha ha…

Bollën e shenjtë të shtëpisë që na mbron e kishim të gjithë, shtëpi për shtëpi. Sigurisht edhe ai e kishte në shtëpinë e tij. Pra njëfarësoj edhe ai ishte i gjarprit… po nuk e përmendi kurrë.

I vunë edhe një “beg” nga mbrapa dhe ishte në rregull.

Organizator medemek.

I vuri të vriten për njëzetepesë vjet gjithë njerëzit e fisit.

Ai thoshte për liri.

Demagogu.

Mbrojti Europën kristiane!

Hë! E pse mos ti linte Osmanet të rrinin këtu, pse mos tua hapte rrugën për në Europë… Bile tu printe. Eh si do të ishte Europa sot…

Boll hamamet që do të ndërtonin.

Meriton të jetë Hero Kombëtar, meriton ti bëhen monumente!?

Ptuh, ptuh, ptuh.

Këtë  meriton.

Aksioni i pështyrsisë do një studim të veçantë. Ky shkrimuc nuk arrin të plotësoj në mënyrë shkencore gjithshka. P.sh. Sasinë e gojëve dhe sasinë e pështymës për ç’do subjekt, sepse subjektet që do të lagen kanë përmasa të ndryshme, si nga thellësia, nga gjatësia, largësia, volumi, pesha, masa, renditja kronologjike. Etj. etj. Kështu që do ti rendis si të më vijnë.

Harrova të them se edhe ne pështyrsit duhet të organizohemi. Me votë demokratike duhet të zgjedhim një kryetar. Sipas meritave duhet të propozojmë një individ që ka dhënë prova të forta në këtë sektor. Nuk është ndonjë zor i madh për ta gjetur. Kemi këtu prej atyre që kanë volum pështyme, distancë hedhje, etj, etj. Kemi edhe përtej kufijve shtetërorë që janë e njëjta racë me ne pështyrsit e mëdhenj, bile ndonjë edhe na e kalon. Kjo ndoshta nga stërvitja që ka bërë për një kohë të gjatë në sportin e pështyrsisë.

Me që ne do të bëjmë një thirrje, jam i bindur se do të na ngjiten edhe amator që s’kanë asnjë lidhje me ne profesionistët, bile do të jenë ata që do të shtyhen për të dalë në rrallë të parë për të na treguar ne udhëheqësve profesionist se sa të vlefshëm janë, që nesër pasnesër mos ti harrojmë e ti vëmë në ndonjë presidium apo ti japim ndonjë dekoratë. (Mes nesh, me zë të ulët: Duke pështyrë fuqishëm figura që kanë bërë bëma të mëdha, edhe ne bëhemi protagonist, na del emri, bëhemi dikush. Nuk është shpikja e jonë, të tjerë para nesh e kanë eksperimentuar me sukses. Pse mos ta provojmë edhe ne? Ç’të keqe ka?)

Në pështyrzatë (neologjizëm i krijuar prej nesh sipas “Kryqëzatë”) do të na ngjiten, me saktë, do të na infiltrohen edhe persona që kanë kënaqësinë të jenë të përdorshëm.

Por do të ketë edhe nga ata që janë përdorur në mënyrë të dhunshme. Mbas shumë vitesh përdorimi, të mplakur, të rrudhur, të kërrusur, të depersonalizuar, do të na hyjnë mes radhëve duke rrëshqitur me një shprehje përulësie dhe do të na luten me pëshpërimë që ti pranojmë. Dhe ne sigurisht që do ti pranojmë. Tanimë atyre iu është bërë ves. Gjynah. Qen të rrahur.

Do të vinë edhe disa të pafytyrë dhe do të pyesin drejtë pa i lëvizur qerpiku: Sa është pagesa? Kurse e njëjta racë, por që e mban veten për personalitet, a për figure publike kombëtare a ndërkombëtare që kërkon të shitet (gjithmonë janë shitur edhe njerëzit njësoj si sendet) do ti bij larg e larg duke u rrotulluar se mos merr vesh nga ndonjë i njohur se sa është pazari. A ka diferenca në çmim në pare të thata, apo do të shpërblehen në natyre, me ndonjë post ku do të kenë mundësi ta nxjerrin vetë fitimin. Apo…

Ne preferojmë vullnetarët, të cilët nuk kanë munguar kurrë në të tilla iniciativa, por edhe ata që janë mësuar të shiten (dhe nuk janë pak) do ti pranojmë, se me ndihmën e ndonjë organizate që vepron brenda territorit, por që gojët e liga thonë se ka lidhje me jashtë, do të na  jepen disa fonde, kemi edhe biznesmen që do të na ndihmojnë dhe sigurisht një pjesë të mirë të këtyre fondeve do ta ndajmë mes nesh kryesoreve. Kjo është një “vjedhje” e pranuar në heshtje nga donatoret. Kështu që masa e pështyrsve do të jetë goxha e madhe dhe do të jetë nga të gjitha sferat e jetës, duke filluar nga familja, te shoqëria, nëpër kafenetë, në zyra, dhe sigurisht në masmedia dhe në studime shkencore dhe sidomos ato akademike. Se titullarët si p.sh.: Prof. Dok. I asociuar…etj,et, janë shumë të besueshëm pavarësisht a e kanë blerë titullin, ia kanë falur apo vërtetë e kanë merituar. S’duhen harruar edhe mjetet elektronike. You Tube, Hotmail, etj, ejt…

Do ti pranojmë të gjithë. Jemi shoqëri e hapur, demokratike dhe pa komplekse.

Atëherë vazhdojmë pështyrzatën.

O.K. vazhdojmë.

P.Sh. Palë Engjëllin nuk e kanë ngacmuar shumë. Se ishte edhe diplomat i atij bukëshkalit Gjergj Kastriotit… e shkruante latinisht e ku e di unë se ç’farë, e iu çart mendja të shkruaj në gjuhen e popullit si puna e atij Dante Aligerit që nuk shkroi latinisht po në gjuhen e vulgut Komedinë Hyjnore.

Kopjac ky Pali.

Shkroi shqip.

E kujt po i duhet shqipja!

Desh t’ia thotë shqip të pagëzuarit formulën, që ta merrte vesh.

Ai prishi traditën, theu rregullin, se Vatikani ka gjuhë zyrtare latinishten.

Guxim kishte ky Pali.

Ta pështyjmë, mos ta pështyjmë?!

Dilemë e madhe.

Ta mendojmë. Se nuk mbaron me një seancë e gjithë kjo nismë.

Pastaj vijnë katër “B” si po duan ti thonë: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi. Këta e meritojnë nga një spruc të lehtë.

Kaq.

Le që shkruan shqyp, se po i dhimbsej gjuha që po “bdarej e bastardohej”, shkruan vjersha, përkthyen, po njeri prej tyre desh të ngrejë popullin kundër Dovletit. Lanë punët e Zotit e deshën të merren me punët e shekullit.

Për popullin.

Të na heqin zgjedhën.

Ku kishim zgjedhë ne.

Ne ishim bërë një me Osmanet.

Hë! Na përçanë.

Ptyh, ptyh…ë

Ptyh.

Një mëdyshje të madhe kemi për Konitzen. Nga cili krah ta vëmë. Nga ana e ne pështyrësve apo ta pështyjmë fort si gjithë të tjerët. Se ai i kishte të dy anët: Ishte edhe pështyrës i fuqishëm po meriton edhe një pështyrje të mirë se me mendjen e ndritur që kishte kërkoi fort hisen e diellit për fisin e tij. E kërkoi kaq shumë sa ne mendojmë që ta vëmë përballë nesh që ta lagim. Pështyrja e tij ka filluar kohë përpara. Thonë se kur iu plotësua amaneti që eshtrat ti pushonin në tokën e tij, dikush nga tanët, sigurisht nuk mund të ishte tjetër, një natë të errët e pa hanë i dhunoj varrin.

E meritonte?!

Mëdyshje e madhe.

Po Gjergj Fishta nuk e meriton një spërkatje?

Sigurisht që po.

S’pushoj së shkruari. I provoi të gjitha: Poezi, dramë, politikë, arkitekturë, pikturë, shkencë: Njësoj mitet helene me ato ilire. E pastaj? Kujt po i duhen!

Ky është nder ata që meriton që të laget pa pushim me jargë, me vite, me shekuj. Do të lodhemi, por do të na falënderojnë brezat, atyre do t’ia lemë  trashëgim që të vazhdojnë iniciativën tonë në pafundësi.

Po ç’farë ti pështyjmë!?

Kemi. Kemi ç’i pështyjmë. I kanë mbetur diku ca eshtra nga falangat që nga rrëmuja e asaj nate të errët kur me ngut e me njëfarë lloj ankthi e ç’varrosen.

Të tjerat kanë përfunduar në lum,(!) së paku kështu pëshpëritet.

O sa shumë që janë ata që duhen pështyrë!

Duhen përpiluar lista, apo ndoshta duhen kërkuar listat se diku duhet të jenë. Në ndonjë bodrum arshive apo ku di unë se ku. Por duhet pasur kujdes se në ato lista duhet të kenë bërë falsifikime. Mund të kenë futur emra që s’duhen pështyrë, apo mund të kenë futur emra të atyre që kanë nevojë të pështyhen. Marifete me një fjalë. Siç po i thonë sot: disinformacion.

Nuk ia kalojmë dot paraardhësve.

Ata kishin marifete fantastike.

Të gjithë këta subjekte që i kemi vendosur për pështymje e kaluan gjithë jetën në përpjekje të stermundimëshme për të nxjerr fisin e racën e tyre në dritë. Bërtisnin e çirreshin me të madhe: Ooooheeej… lëshoma hisen e diellit.

Po cilin fis, cilën racë?!

Ç’punë kemi ne me ta?

Si?

Edhe ne pështyrësit jemi të një race me ta?

Flasim të njëjtën gjuhë?

Ashtu?

Këtë farë gjuhe!

E çë pastaj? Ç’rëndësi ka kjo? Kush po e çanë kokën.

Ne kryesia e zgjedhur me votë të fshehtë apo të hapur…

(Si ta donë ata. Kush janë ata? Kot pyesni, të gjithë e dinë, të gjithë i dini të gjitha, kot shtireni. Edhe ne shtiremi fort. Arti i të shtirurit është i vështirë, po ne jemi fis i talentuar dhe e kemi përvetësuar menjëherë, njësoj siç mësojmë njëqind e një marifete…),

… pra ne kryesia e zgjedhur me votë demokratike do të urdhërojmë që të gjithë ne pështyrësit pa dallim moshe, tradite, seksi, grade etj. etj. ku të kemi qëlluar në zyrë, në rrugë, në banjë, duke bërë seks, në udhëtim, në faltore… të ndalohemi, të ngremë kryet përpjete dhe të pështyjmë fort dhe të presim që gelbogjet të na bien në fytyrë shtat herë në ditë. Kush të dëshirojë mund të pështyjë edhe nëndë herë, apo sa të dojë.

Lista, kjo listë mund të ketë mangësi e të meta, prandaj u lutem kolegëve pështyrës të përpilojnë të tjera, se ne jemi gati të pështyjmë në ç’do kohë.

A, se mu kujtua.

Po Zotit Ibrahim… e… nuk do ja fusim?

Patjetër.

“Paqësori”…ha, ha, ha… Pamvarsiaku…

Me shumicë nga të gjithë krahët. Pështymë me një fjalë.

Cilët krah?

I dini ju, i dini, mos u shtirni…

Po prit, se ne dimë edhe të përqafojmë e të puthim. Do përqafojmë e do të puthim fort, shumë fort, si një herë e një kohë ata që na kanë pështyrë në vatër, e në zjarr qindra vjet e vazhdojnë.

Që sot vinë si miq, që na shajnë e na shajnë, e ne sipas traditës së hershme i përqafojmë e i puthim.

A thua vuajmë nga ndonjë sëmundje psikike kolektive, kombëtare?

Mos vuajmë nga sindroma e Stokholmit?

O Zot!

Deri kur do vazhdojmë të pështyjmë mbi zjarr, mbi dritë, mbi… mbi qiell…

Ki mëshire o Zot për ne!

Amen!

Më Shumë

Vetëm në muajin mars, diaspora i dërgoi 112 milionë euro në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka publikuar të dhënat e reja statistikore. Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare...

Mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

1 mijë e 863 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 16 aksidente me të...

Lajmet e Fundit