17.1 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025

Elita e papërgjegjshme politike e Rahovecit dje dhe sot

Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e parë)

Nëse në qendrat më të mëdha të Kosovës ka probleme të shumta, në qendrat e vogla problemet mund të shumëzohen me dy e me tre. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, shumë të rinj e të reja, njohës të fushave të ndryshme, kanë ikur nga provincat dhe kanë kërkuar fatin e tyre në qendrat më të mëdha të vendit. Zbrazje ka pësuar edhe komuna e Rahovecit. Njerëz me përvoja të ndryshme dhe që janë konsideruar më të kualifikuar, kanë gjetur angazhim në Prishtinë, Prizren, Gjakovë apo edhe në ndonjë qendër tjetër të vendit. Për pasojë, qeverisja lokale në Rahovec ka vuajtur për njohës të fushave të ndryshme, përjashto sektorin e bujqësisë. Madje, bartësit e qeverisjes lokale kanë pasur probleme serioze për ndërtimin e një strukture qeverisëse më të kualifikuar dhe më kompetente. Parë nga këndvështrimi historik, qeverisja lokale në Rahovec ka pasur njerëz pa kualifikim adekuat, njerëz me kualifikim të dyshimtë; falsifikatorë, mashtrues, abuzues, përfitues, servilë, dyfytyrësh, të pa aftë profesionalisht dhe njerëz me moral të dyshimtë. Mbase kjo nuk është dukuri vetëm në komunën e Rahovecit, por njerëzit punëtorë dhe krijues të kësaj komune nuk e kanë merituar të udhëhiqen nga të tillët.

E ndodhur në qendër të Kosovës, me një klimë të favorshme, tokë frytdhënëse, njerëz me tradita fisnike dhe me një pozitë shumë të volitshme gjeografike, Rahoveci ka mundur të ketë nivel më të lartë të mirëqenies, sikur të kishte pasur elitë më të përgjegjshme politike. Them politike për faktin se pothuajse krejt proceset tjera shoqërore kanë qenë të lidhura me politikën apo grupet politike, dhe jo vetëm në komunën e Rahovecit. Njerëzit e kanë parë angazhimin në politikë si mundësi afirmimi personal ose përfitimi personal e grupor. Ngarendja pas përfitimeve nga pushteti e ka mjegulluar gjykimin për të nesërmen më të mirë dhe ka nxitur një garë politike pa parime dhe të mbushur me konflikte, madje me konflikte edhe brenda vetë llojit.

Në skenën politike në Rahovec përplasen disa grupe politike, që jo gjithherë kanë pasur vizion dhe strategji të qartë për të ardhmen ekonomike e sociale të rajonit. Mungesa e njohësve për ndërtimin e strategjive dhe planeve të qëndrueshme zhvillimore, ka stimuluar debate shterp dhe pa përmbajtje. Për këtë flasin edhe raportet e organizatave monitoruese, që në të shumtën e rasteve bëjnë vërejtje për mungesën e fokusimit të debatit në problemet esenciale të qytetarëve. Raportet e auditorëve (Gjeneral dhe atij të Brendshëm) flasin për shkelje sistematike të ligjeve, rregulloreve dhe të vetë vendimeve komunale. Deri më tani asnjë masë ligjore nuk është ndërmarrë ndaj recidivistëve dhe abuzuesve të pushtetit dhe përgjegjësive zyrtare. Nëse dyshohet në vërtetësinë e këtyre pohimeve, atëherë këshillojmë shqyrtimin e këtyre raporteve që mund të gjenden në faqen zyrtare të Auditorit Gjeneral dhe Auditorit të Brendshëm, si dhe të organizatave monitoruese (KDI, Çohu, FOL, Jeta në Kosovë e të tjera).

Moto e politikanëve lokal kanë qenë premtimet pa mbulesë dhe mbledhja e votave përmes shantazheve, kërcënimeve apo joshjeve për investime, premtime për punësim, premtime për dhënie të subvencioneve dhe granteve qeveritare, si dhe forma të tjera të presionit ndaj qytetarëve. Këto forma kanë sjellë pasoja të rënda për vetë jetën e qytetarëve dhe thellim të varfërisë. Kësaj gjendje i kanë kontribuuar edhe politikanë të nivelit qendror, të cilët e kanë parë si mundësi të mirë përfitimin politik përmes këtyre formave të veprimit. Përgjegjësi për këtë gjendje në komunën e Rahovecit mbajnë grupet politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje!, Partia e Drejtësisë, Aleanca Kosova e Re, si dhe disa individë me ndikim, të cilët me veprimin ose mosveprimin e tyre kanë ndikuar në këtë gjendje të pashpresë.

Në këtë vështrim do të mundohem të përkufizoj përgjegjësitë e secilit grup politik, që në çfarëdo forme i ka kontribuuar kësaj gjendjeje.

Lidhja Demokratike e Kosovës si paraprijëse e fatkeqësisë (pjesa e dytë vijon nesër)

Më Shumë

Rritja e shpenzimeve përmbarimore dëmton financat e komunave në rajonin e Prizrenit

Komunat e Kosovës sipas një hulumtimi të Institutit GAP gjatë vitit 2024 janë përballur me rritje të lartë të shpenzimeve nga obligimet gjyqësore dhe...

Rriten shtesat për lehona

Qeveria në detyrë ka rritur shtesat për nënat lehona. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se do ta...

Lajmet e Fundit