24.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Esenini, poeti i lindur i dashurisë

Nga Preç Zogaj

Nga Moska ika se duhej ikur

Kush me polic e rregullon?

Për çdo skandal prej pijaniku

Arrest Sergej, marsh në rajon.

Këto vargje të poetit të madh rus të viteve njëzet të shekullit të kaluar, Sergej Esenin, i recitonim në rrethet letrare të viteve tetëdhjetë, herë si çlirim, herë si blasfemi ndaj zymtësisë dhe kufizimeve të jetës sonë. Me Besnik Mustafajn, Teodor Kekon, Ilirian Zhupën, Bujar Xhaferrin e ndonjë tjetër qëllonte të kthenim ndonjë gotë me paratë e honorarëve apo duke lënë peng në banakun e birrarisë ndonjë stilolaps a çfarë na gjendej me vete, që pranohej nga banakieri. Kur s’kishin më as para as gjëra për të lenë peng, të ardhur në qejf aq sa për t’i hapur valvulën rebelimit, po asnjëherë të dehur tamam, djalli e mori, ia fillonim me vargjet e poetëve më të dashur. Sergej Esenini i zbulohej i pari gjendjes sonë, humorit, lirizmit, mërzisë, dëshirës për t’ia mbathur s’dinim se ku. Me atë lirinë, çiltërsinë, spontanitetin dhe rebelizmin e tij të hijshëm, Esenini ishte idhulli i brezit tonë dhe kishte qenë edhe i brezit para nesh: ky poet që nuk ishte bërë kurrë me shumë sesa i ri, pasi kishte vrarë veten në moshën tridhjetëvjeçare.

Çuditërisht njeriu që dinte më shumë vargje nga Esenini në grupin tonë ishte dikush që nuk shkruante vetë poezi ose shkruante vetëm për qejfin e tij, dikush që nuk pinte dhe nuk tundohej në joshjet e jetës skandaloze, Remzi Lani.

Gjallë je ti nënokja ime

gjallë jam dhe unë ty të përshëndes

Paqja mbuloftë këtë mbrëmje

Izbën tënde gjer në mëngjes.

Poezinë e famshme “Letër nënës” të përkthyer mjeshtërisht nga disa përkthyes e poetë (Ne preferonim përkthimin e Kadaresë) e kisha mësuar përmendësh duke ia dëgjuar Remziut . Unë që mbahesha kampion i të mësuarit përmendësh të poetëve, kisha mësuar nga Lani edhe disa poezi dashurie të Eseninit, si “Shagane”, të përkthyer nga Dritëro Agolli, apo “Bukuroshe qe Tanusha”, lirika të tjera me vargje si këto: Ç’mi përdridhje buzët/ Nazemadhe moj/ Unë kam një tjetër/ Ty s’të dashuroj.

E donim Eseninin, donim t’i ngjanim, e recitonim po asnjëri prej nesh nuk kishte marrë guximin të priste venat, të bënte “bis” me vetëvrasjen e tij, edhe pse të gjithë e kishim menduar një gjë të tillë. Ndoshta vetëvrasja prej poeti kishte nevojë për më shumë dritë sesa kishte Shqipëria dhe për më shumë lavdi sesa kishim ne.

Rasti i Eseninit në letrat shqipe të kujton lëvizjen e kometave, të cilat dalin për disa kohë jashtë vështrimit dhe pastaj shfaqen përsëri me shkëlqimin e tyre të përjetësisë, që nuk është vetëm ai i vjetri, i mëparshmi, por është edhe i ri. Të tillë e ka shkëlqimin poezia e tij, poeti më i mësuar përmendësh mes poetëve modernë, siç thoshte Majakovski; një poet që nuk lexohet, por këndohet si bardët e vjetër, “një organ i lindur vetëm për poezi”, siç e ka quajtur Maksim Gorki; krijesa më origjinale, më natyrore, më e bukur dhe më e mirë e tokës ruse, siç ka thënë B. Pasternaku; “modeli i lirikës intime, një foshnje e pambrojtur që ra në greminë”, siç ka shkruar në vdekjen e tij të parakohshme, tragjike dhe me hije misteri, L. Trocki.

Sergej Esenini rikthehet e rikthehet në libraritë tona nga dekada në dekadë me vëllimin e tij ku përkthyesit herë janë të mirënjohurit, Jorgo Bllaci, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Vedat Kokona, Dritëro Agolli, Esat Mekuli, Dhori Qirjazi, herë alternohen me përkthyes më të rinj si Qazim Sheme apo Faslli Haliti, herë qëndrojnë të gjithë bashkë. duke sjellë në variacione të ndryshme përkthimi, poezi dhe poema nga më të njohurat e korpusit eseninin. Disa prej poezive më të njohura të poetit, si “Letër nënës”, “Shagane”, “Bir i qenit”, “Rusia sovjetike”, “Skandalisti” i gjejmë të përkthyer në dy, tre apo edhe katër variante.

Lirizmi i tij i kulluar, finesa e tij si këngëtar i dashurisë dhe natyrës, aftësia e tij e lindur për të përcjellë me vargje të thjeshta ndjesi dhe gjendje të ndërlikuara, fryma e tij e lirisë e shprehur herë si rebelim, herë si ikje dhe arratisje nga realiteti, nostaligjia për vendlindjen, nënën dhe natyrën, ku ka shpërthyer dhe ushqehet dendur bisku i talentit të tij, dhimbja konkrete dhe filozofike për të braktisurit, për të vuajturit, për zhgënjimin, për iluzionet, për hiçin – të gjitha këto cilësi plotësojnë imazhin e poetit si një krijesë e dëlirë e natyrës, që u nis me vrull qysh i ri fare për të kënduar siç fliste dhe për të folur siç këndonte. Ai, si rrallëkush, ishte fryma, fytyra, karma dhe materia e artit poetik. Është vështirë të gjendet një shembull i ngjashëm në poezi ku shkrepja providenciale e artit të jetë njësuar e shkrirë kaq fort me qenien dhe fatin e qenies-poet. Ndoshta në muzikë mund të jetë rasti i Mozartit. Eseninit, Mozartit të poezisë, i ra shorti të jetonte në vitet e triumfit të pushtetit të sovjetëve. U rrit mes kundërthëniesh dhe iluzionesh të mëdha, por nuk mund të ishte bir i asaj kohe, madje as thjeshtër i saj. Thirrja e artit e kërkonte në lartësi të tjera, që nuk ishin ato të kohës së tij.

Këtu filloi zhgënjimi i Eseninit me të ashtuquajturën “botë të re”, filloi rënia e tij në dëshpërim dhe depresion, të dhënët pas pijes dhe jetës prej bohemi, distancimi i tij estetik dhe shpirtëror nga mjedisi i helmuar i Rusisë. Poeti i ngazëlluar i dashurisë, rilindjes dhe berliozave përfundoi shumë herët në një spital psikiatrik, prej nga doli për të shkruar apo për t’u ofruar për aktin e fundit të jetës së tij të stuhishme, që do ta shënonte fatin e tij po aq sa vepra e tij poetike. Në një hotel të Leningradit të athershëm, më 27 dhjetor të vitit 1925 preu një venë dhe shkroi me gjakun e tij poezinë e lamtumirës. Të pasnesërmen vari veten në tubin e kaldajës. Më vonë janë ngritur dyshime për një vrasje nga shërbimi i fshehtë sovjetik. Gjithsesi, përtej misterit eventual, Esenini e kishte bërë zgjedhjen e tij duke shkruar se të vdesësh nuk është e re, por as të jetosh e re nuk është. Nuk ishte një predikim për të tjerët. Ishte një autoepitaf për një shpirt poetik të harxhuar në këngën e pastër të rinisë. Që nuk mund të vazhdonte më. Që nuk mund të plakej kurrë.

Më Shumë

Totaj viziton disa biznese të Prizrenit

Kryetari i komunës ë Prizrenit, Shaqir Totaj ditën e premte ka vizituar dhe ka parë nga afër të arriturat e disa prej bizneseve të...

Policia kryen bastisje në Prizren, gjenden substanca narkotike

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën (më 13.05.2024) në orën 18:00, ka kryer bastisje në një banesë në Prizren. Sipas policisë,...

Lajmet e Fundit