Arrestimi i shefit të sigurimit shtetëror kroat, Josip Perovic, mund të zbulojë përfshirjen e Kriminelit Arkan në këto vrasje.
Një ish-pjesëtar i sigurimit shtetëror jugosllav, i cili kohë më parë ka folur për “Blic”, emrin e Arkanit e kishte ndërlidhur me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës dhe të emigrantit kroat Stjepan Durekovic.
Ish-shefi i policisë sekrete të Jugosllavisë dhe Kroacisë Josip Perovic është liruar nga paraburgimi, por një gjykatë kroate ia ka konfiskuar dokumentacionin dhe ia ka ndaluar që të largohet nga vendlindja.
Avokati i tij, Ante Nobilo, ndërkaq, ka thënë se do t’i kundërvihet vendimit eventual për ekstradimin e Perovic në Gjermani, ku akuzohet për vrasjen e emigrantit kroat Stjepan Durekovic. Ndërkohë, Nobilo ka mbrojtur klientin e tij, duke thënë se shërbimet kroate nuk e kanë kryer këtë vrasje. Për këtë ai ka akuzuar Serbinë dhe Malin e Zi.
Avokati Bernd Von Hajnstel, i cili ka qenë gjykatës kryesor në procesin kundër Krunoslav Prates për vrasjen e Durekovic, është i bindur se Perkovic është pjesëmarrës në vrasje.
“Në fund të procesit kemi qenë të bindur se Perkovic ka qenë pjesëmarrës në vrasjen e Durekovic. Perkovic ka qenë ai që ka dhënë urdhrin dhe që i ka pasur të gjitha në dorë”, ka thënë ai për Deutsche Ëelle.
Ndërkohë mediat serbe shkruajnë se arrestimi i ish-shefit të UDB’së në Kroaci Josip Perovic mund të çojë drejt zbulimit se cili ishte roli i Zeljko Raznatovic-Arkan në likuidimin e kundërshtarëve të regjimit të Ish-Jugosllavisë.
Sipas “Blic”, askush në Serbi nuk ka dhënë përgjegjësi për vrasjet e emigrantëve serbë e as nuk është nisur ndonjë hetim. Por, tashmë dihet roli i kriminelëve serbë, siç është Arkan, i cili ka vrarë në emër të sigurimeve të armatës jugosllave (KOS) dhe UDB’së.
Shefi i dikurshëm i shërbimit shtetëror jugosllav Stane Dolanc, kishte thënë se “Arkan vlen më shumë se sa krejt shërbimi”.
Një ish-pjesëtar i Sigurimit Jugosllav, ka folur në kushte anonimiteti për Arkanin dhe përfshirjen e tij në likuidimin e shqiptarëve.
“Besimin që e kishte fituar në qarqet e udbashëve e ilustron detyra që e kishte marrë atëherë nga sigurimi shtetëror, që të neutralizojë një çerdhe të fuqishme të emigracionit në rrethinën e Shtudgartit. Dy javë është ushqyer me konserva dhe ka fjetur në kulm të ndërtesës ku është dashur të takohen tre terroristët. Ndërkohë që shërbimin e kishte njoftuar se në objekt ndodhen 15 shqiptarë dhe se ky është një rast i mirë”, ka thënë ky oficer.
Sipas këtij, ish-sigurimsi, Arkan e kishte përfunduar me sukses misionin. Siç, dihet më 1982, në afërsi të Heilbronnit të Gjermanisë Perëndimore, ishin vrarë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Dyshohet se vrasja është organizuar nga shteti jugosllav por dorasit nuk janë zbuluar kurrë. Ndërsa për atentatin e trefishtë tashmë ka shumë versione.
Rreth përfshirjes së Arkan në këto vrasje kishte folur edhe zëvendëspresidenti i INTERPOL’it Budimir Babovic, i cili ka thënë se është folur shumë që Arkan ka qenë ekzekutor i ngarkuar nga shërbimi shtetëror për eliminimin e kundërshtarëve të ish-regjimit.
“Ai (Arkan) edhe publikisht është lavdëruar dhe i ka treguar edhe revolet që ka marrë nga sigurimi shtetëror nga ish zyrtarët e lartë të shtetit”.
Arkan është vrarë në më 15 janar të vitit 2000 në një hotel në Beograd.