9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Festivali i Birrës dhe mentalitetin e hirrës!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Bashkia e Korçës dhe kryetrapi i Tiranës: Festivali i Birrës në Korçë duket se do të mbahet ashtu si ka vendosur kryetrapi i Tiranës ndërsa organizimin dhe zbatimin do ta bëjnë trapët apo trapushët e vegjël që mbijetojnë si Bashki e Korçës e që janë të lidhur me kërthizë me kryetrapin e Tiranës. Reagimi i shqiptarëve të Kosovës, për shkak të së kaluarës, jo artistike por politike të një çetniku të veshur me petkun e artistit, Goran Bregoviq ishte krejtësisht refuzues përjashtuar këtu rastet e nostalgjikëve jugosllavë apo të atyre, që në një mënyrë apo tjetër i kishin lidhur bishtin me Millosheviqin dhe pasardhësit e tij politikë. Kishte raste kur për shkak të mungesës të informatave kishte vlerësime të gabuara sikur që ishte përkrahja për Goran Bregoviqin, kriminelit artistik. Konsensusin kombëtar e prishi një këngëtar që tani është duke e kënduar “këngën e mjellmës” e që nënkupton vdekjen krijuese dhe artistike e që duket se për një pjesë të madhe të opinionit në Shqipëri është pikërisht e kundërta shkaku se e konsiderojnë si njërin ndër artistët kryesorë botërorë ndonëse deklarojnë se: “nuk e njohin as Goranin por do të shkojnë në koncert”. Madje, të tillët, të zhveshur nga ndjenja elementare e solidarizimit me familjet e viktimave në Kosovë dhe vet viktimat i shkruajnë: “të duam Goran..”, sikur që ky farë Bregoviqi t’i kishte kushtuar tërë jetën në përkrahje të viktimave dhe të drejtës për të jetuar i lirë dhe i barabartë. Vetëm sa nuk e kanë shpallur Hero të Kombit në kohën kur kryetarpi i Tiranës i pati dhënë Çelësinë e Qytetit të Tiranës në vend se t’i jepte Çelësinë e godinës 313 në rrugën “Mine Peza”, gjithashtu në Tiranë.

Kjo pjesë e opinionit shqiptar në Shqipëri nuk e ka fort se i hanë luli për Bregoviqin për të cilin deklarojnë se nuk e njohin sa e kanë qëllimin ta vazhdojnë disponimin, orientimin, qëndrimin dhe trajtimin racist ndaj shqiptarëve të Kosovës të cilin nuk e kanë fshehur asnjëherë, qoftë nga analistë të veshur më të linjta të kuqe e deri te kryetrapi i Tiranës. Elita intelektuale dhe politike e Shqipërisë gjithmonë i kanë trajtuar simotrat e tyre në Kosovë si më pak të vlefshëm dhe të cilët a priori duhet t’iu nënshtrohen, gjithmonë, pa kushte dhe pa kundërshtim.

Në anën tjetër po këto elita të Shqipërisë, intelektuale dhe politike, duke pasur kompleksin e inferioritetit ndaj Serbisë, u janë nënshtruar gjithmonë, pa kushte dhe pa asnjë kundërshtim edhe në rast se i kanë dëmtuar rëndë intereset e shqiptarëve në Kosovë dhe viset tjera ku jetojnë shqiptarët. Është rast i pashembullt dhe mungesë elementare e njerzillëkut, kombëtares dhe morales se si po sillet kryetrapi i Tiranës, trapushët e Bashkisë së Korçës dhe një pjesë e elitës intelektuale dhe menedermethënë e komunitetit artistik në Shqipëri për rastin e Festivalit të Birrës në Korçë duke injoruar kërkesën unanime të shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës për të mos lejuar kriminelin artistik, Goran Bregoviq të marrë pjesë në këtë festival.

Merreni me mend kur Bashkia e Korçës injoron refuzimin e pjesëmarrjse së të gjithë komunitetit artsistik nga Kosova dhe një pjesë të këtijë komunteti nga Shqipëria për t’i bërë vend një miku të një krimineli siç është Emir Kusturica dhe në të dënuari për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid siç ishte Radovam Karaxhiq ndryshe, që të dy përkrahës dhe glorifikues të kriminelit, Sllobodan Millosheviq .

Histori e gjatë e nënshtrimit dhe dorëzimit: Xhandarmeria e Ahmet Zogut që shitej si Mbret i Shqipërisë sikur që shitej edhe Mbreti i Rremë Shqepani i Vogël i Malit të Zi , ishte nën vartësi materiale dhe politike të Nikolla Pashiqit për faktin se xhandarët e Zogut paguheshin nga buxheti i Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene deri në kohën kur, po i njëjti Zog ra nën ndikimin e Italisë fashiste të Musolinit përkatësisht të kontit Galeaco Çano të cilët, në fund të fundit e shndërruan në refugjatë. Enver Hoxhës ia formuan Partinë Komuniste të Shqipërisë, serbomalazezët Milladin Popoviq dhe Dushan Mugosha pasi, duke i fyer dhe duke i sharë ua grisën para syve Marrëveshjen e Mukjes midis forcave nacionaliste

(kombëtare) dhe komunistëve shqiptarë (internacionalistët e Kominternës) pas së cilave Shqipëria ra nën ndikim të plotë të Titos dhe Rankoviqit, deri në kohën kur Shqipëria u rreshtua pas Stalinit dhe më vonë pas Kinës komuniste. Tradicionalisht, udhëheqësit shqiptarë gjithmonë janë rreshtuar keq politikisht duke rënë gjithmonë në vartësi të plotë ndaj të tjerëve.

Është interesant se përveç elitës intelektuale dhe politike të Shqipërisë, qëndrim vardisës dhe nënshtrues ka patur edhe shoqëria civile e cila, në të shumtën e rasteve, gjatë votimeve kanë votuar për propozimet e Serbisë dhe kundër Kosovës. Nuk e kam të qartë plotësisht këtë dalldisje të përcaktimit proserb dhe kundër shqiptarëve të Kosovës sepse në të shumtën e rasteve na quanin, jo shqiptarë, por kosovarë. Këtë ndasi të mbrapshtë e kanë instaluar mediat, çifti i Mustafa Nanos dhe mustafëve pa kurrizë, të ndikuar nga politika dhe nga grazhdi. Madje, kush ka lexuar media në Shqipëri lehtësisht ka vërejtur titujt si: “u arrestuan dy shqiptarë dhe një kosovar…” apo: “një kosovar nga Kosova shkeli me veturë një shqiptar nga Fushë Kruja …”,: “u kapën me 50 kg. narkotikë tre shqiptarë dhe katër kosovarë…” dhe shumë margaritarë që afirmojnë ndarjen e panatyrshme mids pjesëtarëve të të njëjtit popull..!

Kjo dukuri e deklarimeve jonormale nuk fillon me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjeve idioteske të disa sahanlëpirësve që ta shpikin kombin kosovar, joekzistues dhe kundër të gjitha ligjeve të natyrës, por shumë kohë më herët, që nga koha e Enver Hoxhës e që u trashëgua në mënyrë automatike nga të gjitha kastat sunduese në Shqipëri. Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, shqiptarët nga Kosova dhe viset tjera jashtë Shqipërisë londineze, kanë kontribuar shumë në rimëkëmbjen ekonomike dhe kombëtare të Shqipërisë. Sidomos në zhvillimin e turizmit.

Shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë pushimet i kanë bërë në Durrës ku, një kohë është dashur të notojnë nëpër kanalet me ujëra të zeza për të ardhur deri te uji i detit dhe kur në mënyrë të paskrupullt janë plaçkitur duke ua llogaritur lekët e reja si lekë të vjetra. Kur në vitin 2000 isha për pushime në Sarandë, ky qytet frymonte greqisht, mbishkrimet ishin në gjuhën greke sikur edhe muzika ishte kryesisht greke, opa, opa me buzuki etj. Prania e madhe e shqiptarëve e krijoi një frymë të re, jo vetëm në Sarandë. Shikuar realisht, shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë londineze mund të konsiderohen si aksionarë të zhvillimit të Shqipërisë dhe turizmit në Shqipëri.

Po si janë sjellur me neve, po këta shqiptarë? Në rastin e parë kur maqedonasit për shkak të problemit me Greqinë erdhën në Shqipëri si turistë, menjëherë filluan sjelljet sikur në Sarandën e vitit 2000, flitej maqedonisht, luhej muzika maqedonase dhe nëpërkëmbeshin turistët shqiptarë që jetojnë në Kosovë dhe viset tjera të banuara me shqiptarë. E njëjta lojë, tash në përmasa më të mëdha po luhet tash me turistët nga Serbia. Nuk e di se dikush të ketë shkruar një porosi në ndonjë veturë të shqiptarëve të Kosovës porosinë: “faleminderit që erdhët, ejani përsëri, me dashuri” sikur që ishte shkruar në veturën e një serbi të Serbisë. Madje, në një restorant, kur mora menynë për porosi, në pjesën ku ishte shkruar në gjuhën shqipe shkruante: “peçenje viçi..” në vend se të ishte pjekje viçi. Ky është vetëm fillimi, me pasoja do të përballemi më vonë.

Arsyetimi i trapushëve të Bashkisë së Korçës: Pas të gjitha kundërshtimeve, Bashkia e Korçës është më se e vendosur ta shtyjë para Festivalin e Birrës në Korçë duke e konsideruar si yll të Festivalit kriminelin artistik, Goran Bregoviq dhe duke iu vënë gjobë frekuentuesve të festivalit bileta 1000 lekë të reja.

Për ta forcuar këtë degradim, po kjo bashki e bënë publike edhe listën e pjesëmarrësve nga Shqipëria që i cilëson si musketjerë në vend se t’i cilësojë krejt dhe drejt si Kalorës të Apokalipsit njerëzorë, moral dhe kombëtar ndërsa për artin as që mund të flitet, së paku jo në këto rrethana.

Trapushët e Bashkisë së Korçës e bënë publike listen arsyetuese duke e cilësuar Korçën si djep të patriotizmës shqiptare, si qytet të kulturës shqiptare, si qytet të mësonjtores së parë në gjuhën shqipe, qytet i Rilindjes Kombëtare, si qytet shpirtëror të serenatës shqiptare, qytet evropian dhe botëror e që gjeografikisht është në Shqipëri, si qytet që respekton diversitetet kulturore, si qytet i tolerancës dhe cilësime të tjera e që janë cilësime me vend me të cilat plotësisht pajtohem. Po të mos ishte Goran Bregoviq nuk do të rrëzohej asnjë cilësim. Lejimi dhe promovimi i një krimineli artistik dhe të një çetniku i dhunon pikërisht të gjitha ato cilësime. I dhunon varret e patriotëve korçarë dhe shqiptarë si Themistokli Gërrmenji dhe Mihal Grameno, e dhunon diversitetin kulturor dhe njerëzor, dhunon serenatat e bukura korçare e sidomos e dhunon tekstin e Himnit të Flamurit, “Për Mëmëdhenë” duke e vënë përballë këngës

“Kallashnikov”. E dhunon tolerancën për faktin se Goran Bregoviq, kurrë dhe asnjëherë nuk i ka gjykuar krimet e luftës të bëra nga ushtria, policia dhe paramilitarët e Serbisë në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë.

I dhunon rilindësit e Shqipërisë duke afirmuar kryetrapushët dhe trapushët shqiptarë, intelektuale, të politikës, të mediave dhe të grazhdit. Bashkia e Korçës ka rënë në provim njerëzor, kombëtar dhe moral por kjo nuk duhet të ndikojë te ata që e duan Korçën me cilësimet, hiç këtu çetnikizmin e Goran Bregoviqit. Asnjë i burgosur politikë që është dënuar në ish-Jugosllavi, nuk ishte dënuar se nuk e ka dashur Shqipërinë por pse e kanë dashur, sigurisht më shumë se shumë shqiptarë në Shqipëri që, në emër të integrimeve euroatlantike me aq lehtësi heqin dorë nga kombi, feja, emri, mbiemri dhe shtetësia. Këta që nacionalizmin e konsiderojnë si diçka anakronike dhe të cilët internacionalizmin e dikurshëm proletarë, si përcaktim kombëtar dhe politikë e zëvendësojnë me të qenit kozmopolitanë ndonëse, thuaja në të gjitha pikat kufitare i kontrollojnë sikur të ishin leprozët e vetëm dhe të fundit në botë. Ne e duam Shqipërinë dhe do të shkojmë në Shqipëri.

Ne e duam Korçën dhe do të shkojmë në Korçë. Ne i duam serenatat korçare dhe muzikën e bukur shqiptare por se do të jemi të kujdesshëm nëse do t’ua mbushim xhepët me lekë musketjerëve, emra të njohur e që në rastin konkret e luajnë rolin e marionetave të Kryetrapit të Tiranës dhe trapushëve të Bashkisë së Korçës duke u bërë si zëra vajtues përcjellës të këngës “Kallashnikov” të çetnikut të Dasmave dhe Funeraleve, Goran Bregoviq, mik i çetnikut Emir Kusturica dhe kriminelt të luftës, Radovan Karaxhiq.

Për fund; ruaje Zot Shqipërinë nga vet shqiptarët, neoglobalistë të vetdeklaruar, nga nacionalistët shqiptarë të bindur dhe të gatshëm të shkrihen dhe ringriten, pikërisht për këtë Shqipëri që pamëshirshëm po shalohet nga Kalorësit e Apokalipsit e që po bëjnë përpjekje që, në vend të Doruntinës, në Korçë ta sjellin Cecën e Arkanit. Turp për kryetrapin e Tiranës, turp për trapushët e Bashkisë së Korçës dhe turp për musketjerët që, për një grusht lekësh të ndyra dhe të përgjakura, po mbajnë isonë, si në këngët polifonike për këngën e çetnikut Goran Bregoviq, “Kallashnikov”.

Më Shumë

Gjini lirohet nga detyra e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të Gjinekologjisë në Prizren

Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, ka liruar gjinekologun Sebajdin Gjini nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të...

Sot moti me vranësira dhe intervale me diell

Për sot parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa gjatë orëve të para të 24-orëshit pritet të ketë reshje shiu,...

Lajmet e Fundit