Profesori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Arben Fetoshi, thekson se, sa më shumë që po humbet kohë për formimin e institucioneve të reja, pasojat për shtetin po rriten dhe zhvlerësimi i politikës po merr përmasa shqetësuese.
“Klasa politike aktuale po komunikon sipas parimit ‘interesi personal mbi të gjitha’, ndërkaq në funksion të kësaj fatkeqësisht ishin edhe mediat, shumica prej tyre, e sidomos portalet, të cilat janë thjesht instrumente të agjitacionit. Prandaj jemi gjendur në këtë situatë amullie, në ‘kapsllëkun’ politik më banal të mundshëm i cili tregon edhe autorësinë ‘anonime’ të skenaristit apo skenaristëve. Jemi në një situatë tragjikomike ku nuk vlejnë analizat e logjikshme”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.
Analisti politik, pohon se, megjithatë, duke pasur parasysh ‘rrezikun’ që çdo ditë bëhet më i madh, gjendjen faktike me bllokun në njërën anë dhe aktgjykimin në anën tjetër, pozicionet e pandryshuara të palëve, sfidat serioze që e presin Kosovën dhe qëndrimet publike të faktorëve ndërkombëtar, është i bindur se brenda pak ditësh do të mbetet vetëm një skenar: Qeverisje me bazë të gjerë ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
“Kjo e fundit mund të mos pranojë të jetë pjesë e pushtetit për shkak të pamundësimit të Qeverisë Haradinaj, por kjo varet nga kalkulimi pragmatik i interesit të kësaj partie. Ky do të ishte edhe skenari që i duhet Kosovës aktualisht dhe i cili prodhon; stabilitet politik, kapërcim me sa më pak dhimbje të sfidave të rënda që kemi para dhe mundësi të korrigjimit të kursit qeverisës”, thekson profesor Fetoshi.
Më tej ai thotë se, parimisht nuk mund të përjashtohet edhe skenari për Qeverinë e LDK-së, por kjo do të bëhet e mundshme vetëm në qoftë se ridizajnohet marrëveshja e bllokut dhe tolerohet pozita e kryeparlamentarit që i takon PDK-së.
“Skenari i dytë siguron mbetjen në skenë edhe më tutje të liderëve të ‘ngërçit’, derisa i pari do të mund të sillte ndryshime interesante në pozitat shtetërore. Sidoqoftë, jam i sigurtë se për cilindo skenar kërkohet ndërhyrje direkte e bashkësisë ndërkombëtare. Pa aktivizimin e faktorit ndërkombëtar në Kosovë nuk mund të tejkalohet bllokada. Përndryshe, s’do të kishte asnjë kuptim zvarritja prej pesë muajsh”, thotë analisti politik, profesor Arben Fetoshi.