2.8 C
Prizren
E shtunë, 16 Nëntor, 2024

‘Fillimi i Ri’, fushatë mashtruese e PDK-së

Duke u nisur nga dita e parë e fillimit de fakto të fushatës elektorale të kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ndonëse akoma pa u shpallur zyrtarisht nga KQZ-ja, ajo tani ka marrë formë dhe duket një vazhdimësi e ish-projektit mashtrues “Misioni i Ri” nga mandati i kaluar. Analistët politikë dhe përfaqësues të partive konsiderojnë se kjo fushatë e riformuluar tani si ‘FILLIMI I RI’ nuk është asgjë tjetër veçse një tentativë dhe ofendim ndaj qytetarëve të Kosovës, ku si në çdo fushatë zgjedhore, edhe kësaj radhe, me fushata prej miliona eurosh të zhvatura nga qytetarët, përpiqen të ofendojnë inteligjencën qytetare, duke riprezantuar veten dhe partinë thuajse asnjëherë nuk e kanë pasur qeverinë, dhe se çdo gjë do të fillojë nga fillimi. Kjo konsiderohet si një tentativë për ta fshirë memorien e deridjeshme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Është një thirrje e analistëve dhe njohësve të pavarur të zhvillimeve politike në vend që qytetarët t’i thonë mjaft një loje të tillë teatrale, të mos tolerohet një ofendim që po i bëhet për t’i marrë edhe votat e më pastaj të vazhdohet përsëri të qeverisë krimi i organizuar, klani ‘Pronto’ që ua lag fytin Shkëlqim Devolli me vëllanë e vet, dhe jo vetëm, siç po ndodh që nga paslufta në Kosovën e kapur nga oligarkia kriminale.

Fyerje e inteligjencës

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, vlerëson se ‘Fillimi i Ri’ është fundi i një retorike boshe të zyrtarëve të lartë të PDK-së, e cila do të mbetët në fjalorin e tyre për këto ditë fushate. “Një tentativë e PDK-së për të fyer inteligjencën e qytetarëve të lodhur nga ky mjerim socio-ekonomik, nuk është serioze, e sinqertë e mbi të gjitha as e moralshme. Pragmatizmi politik që po e praktikon PDK-ja, në një shoqëri në tranzicion deri në një- farë mase lejohet, por jo deri aty se të manipulohet me ndjenjat e qytetarëve të lodhur nga kjo gjendje e rënd socio-ekonomike. Nuk ka dyshim se PDK-ja do të abuzojë me mekanizmat e pushtetit, që ka kapur që nga paslufta, dhe tash në kohë fushata i fut në funksion për t’iu kthyer në favore të partisë”, theksoi ai.

“Abuzimi me pushtetin është një lojë e ndytë që PDK-ja di të luajë mirë, duke përdorur njerëzit që ka instaluar nëpër institucionet kyçe të shtetit, por edhe bizneset, të cilat nga zero kanë bërë milionat, duke u pasuruar në mënyrë të jashtëligjshme e në kurriz të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Hidajet Ahmeti. Ai mendon se kjo strategji e shkollës Thaçiane e Veseliane parimin bazik e ka gjunjëzimin e partnerëve të koalicionit, dhunën psikologjike si mjet për të ruajtur e marrë dhe mbajtur pushtetin me atë pragmatizimin politik si mundësi për të notuar në ujëra të turbullta vetëm e vetëm për ta arritur qëllimin. “Makiavelizmi politik duke përdorur kriterin shtazarak është praktikë e PDK-së, e cila deri tani ju ka funksionuar në nivelin e kënaqshëm. Dy partitë politike, që u shkurorëzuan , tash nuk kanë çka të ofrojnë për qytetarët e Republikës së Kosovës përveç ripërsëritje të gënjeshtrave që jemi mësuar t’i dëgjojmë në kohë fushatash. LDK-ja duke u sjellë si viktimë nga e gjithë kjo e keqe, që është instaluar për këto tri vite, duke u sjellë sikur të mos kishte qenë udhëheqëse e ekzekutivit, por duhet kuptuar se gënjeshtrat e tyre kanë përfunduar dhe nuk duhet të vazhdojnë manipulimin me qytetarët e lodhur nga ky mjerim socio-ekonomik. Kurse PDKja do të vazhdojë me misione e fillime të reja, të cilat në esencë kanë përfunduar që moti, do të vazhdojë duke kritikuar ish-partnerin e koalicionit, LDK-në, në mungesë vizioni për ndërtimin e shtetit dhe anë- tarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, duke harruar se kanë bashkë qeverisur për tri vite së bashku, e shumë vite kanë udhëhequr me ekzekutivin”, tha Hidajet Ahmeti.

Shteti i kapur nga oligarkët

Analisti Skënder Mulliqi thotë se përkundër faktit që tani po duket i ri në skenën politike, Kadri Veseli gjithmonë ka qenë njeriu i dytë i PDK-së, afër Hashim Thaçit. Prandaj, edhe kjo fushatë e nisur që disa ditë e kryetarit Veseli nuk do të sjellë diçka në të mirë të qytetarëve. “Ai ka plotë fjalë të mira, sikurse kishte Hashim Thaçi dikur në fushata, ku kishte premtuar 200 mijë vende të punës e shumë çka tjetër, por nuk doli ashtu. Përkundër kësaj shteti degradoi aq shumë nga vjedhjet, plaçkitjet, zhvatjet dhe shumë kriminalitete, të cilat e keqësuan gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve . Afër 20 për qind po jetojnë skajshmërisht dobët, por edhe shumë të tjerë po jetojnë keq së shteti është kapur fort nga oligarkët politiko-financiar. Këta po të ishin pak të ndërgjegjshëm politikisht dhe moralisht do t’i bënin të gjitha mjetet e fushatave elektorale transparente. Kurrë deri më sot nuk e bënë një gjë të tillë, së të gjitha fushatat janë duke i bërë me paratë e popullit, jo sa u dedikohen partive politike. Po derdhen nëpër fushata shumë marramendëse parash edhe për blerje votash, që është ofendimi më i rëndë që po u behët qytetarëve”, ka thënë ai.

“Sigurisht se fushata e nisur e Kadri Veselit e quajtur ‘Fillimi i Ri’ është një bllamazh tjetër politik për t’i fshehur mirë të gjitha krimet paraprake politike dhe ato të karakterit ekonomik. Ti fshehësh në mënyrë perfide të gjitha ato të liga, të cilat i ndodhën Kosovës për 17 vite , e tash të fillosh nga e para thuajse nuk ka ndodhur asgjë, kjo është e patolerueshme për një shtet normal demokratik. Së pari të gjithë ata, të cilët keqpërdorën paranë publike dhe u pasuruan në mënyrë të paligjshme duhet të përgjigjen para organeve të drejtësisë, e tek atëherë të flasim për ndonjë ‘Fillim të Ri’. Të gjitha korporatat si ‘Devolli’ apo të tjerat dhe klanet e tipit ‘Pronto’ duhet të japin llogari për dëmet që ia kanë shkaktuar shtetit. Populli, të gjithë keqbërësit politikë dhe ekonomikë, të cilët nuk janë të paktë ishte dashur që me zgjedhjet e 11 qershorit t’i ndëshkojë me votën e lirë”, theksoi Skënder Mulliqi/kosova sot/

Më Shumë

Lajmet e Fundit