11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Filmi kosovar që do t’ia mësyjë Hollywood-it

Filmi kosovarHalil Budakova pati thënë se me filmin e tij të fundit do t’ia mësyjë Hollywoodit. Këtë e bëri në premierën e filmit “Haraçi”. Gazeta nuk ka arritur të mësojë nëse Budakova do të konkurojë apo jo, por me “Haraçin” ai përmbush një ndër kushtet, atë të shfaqjes në ndonjërën nga kinematë e Kosovës, kusht ky i parë në konkursin që hap derën për në ngjarjen më të madhe të kinematografisë në botë, atë të çmimeve Oskar.

Rreth një muaj pasi Qendra Kinematografike e Kosovës kishte marrë lajmin nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences, që ndanë çmimet OSCAR, se ajo ka të drejtë të propozojë një film për çmimin Oscar në kategorinë e filmit të huaj, është hapur konkursi për filmat që kanë të drejtë të aplikojnë.

Në aplikim kanë të drejtë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë të cilët janë shfaqur në kinematë e Kosovës për një javë mes datave 1tetor 2013 dhe 30 shtator 2014. Në mes këtyre datave në kinemanë Abc janë dhënë dy filma “Haraçi” dhe “Heroi”.

Filmi që plotëson kriteret e parapara do të zgjedhet nga komisioni që do të përbëhet nga shtatë anëtarë. “Pas datës 15 gusht bëhen të ditur emrat që do e përbëjnë komisionin i cili do të bëjë përzgjedhjen e filmit që mund të konkurojë për Oscar”, ka thënë për “Zërin” Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Nga Kinemaja Abc, në kryeqytet, Miradije Vllahiu menaxhere në këtë kinema ka bërë të ditur se mes datave që janë të caktuara për film Oscar, deri më tani janë vetëm dy të tillë, filma këta që kanë pasur premierën në kinemanë Abc.

“Është filmi ‘Haraçi’ i Halil Budakovës, që është dhënë nga 18 nëntori deri me 27 nëntor të 2013 dhe filmi ‘Heroi’ i regjisori Luan Kryeziu që është shfaqur mes datave 18 shkurt dhe 12 mars 2014”, shkruan në listën e siguruar nga gazeta prej kinemasë “Abc”. Në po këtë listë thuhet se “Haraçi” ka pasur 1522 bileta të shitura dhe nga janë siguruar 4566 euro, ndërsa ‘Heroi’ nga 1496 bileta të shitura ka fituar 4488 euro.

Luan Kryeziu, regjisori i filmit “Heroi” është shprehur se filmi “Heroi” është i vetmi i cili plotëson kushtet teknike dhe siç thotë regjisori, është dëshmi artistike për të na dhënë një shpresë që mund të jemi pjesë reale e ngjarjes më të madhe në botën e kinematografisë.

“E them këtë bazuar në faktin sepse teknikisht është i vetmi film i xhiruar në 35mm gjë e cila garanton kualitet super më të lartë dhe është i pari dhe i vetmi film kosovar i përzgjedhur nga një festival i kategorisë A siç është ‘World Montreal Film Festival’, ku filmi “Heroi” do të ketë tri paraqitje me 25,26 dhe 27 gusht”, ka thënë Kryeziu, derisa shton se përzgjedhja e një filmi kosovar nga festivale të kategorisë A është tejet e rallë. “Kosova nuk duhet ta humbë këtë mundësi të artë, përndryshe do të na bie të presim edhe dekada të tëra për të pasur mundësinë siç e kemi tani me filmin ‘Heroi’”, thotë Kryeziu.

Agim Sopi, regjisor, tek sa ka thënë se të drejtë konkurrimi kanë të gjithë filmat e prodhuar pas 1 tetorit te vitit të kaluar, është shprehur se filmi “Heroi” i Luan Kryeziut, është një film goxha serioz. Sipas tij, pjesmarrja e filmit në “Montreal World Film Festival” që është festival i kategorisë A në Kanada dhe që do të nisë me 21 gusht, bënë që “Heroi” ta kalojë menjëherë një fazë, nga katër sa janë para fazës së seleksionimit.

“Oscar në mes të tjerash duhet të ketë edhe filmin e mirë, dhe sa ne jemi të gatshëm si shtet? QKK-ja që është një institucion komplet i manipuluar, me shumë probleme dhe me vjedhje të fondeve, me klane. Thjesht, a kemi ne politika kulturore dhe sa jemi të gatshëm ta mbështesim një film në këtë garë është çështje tjetër, sepse momentin që ne e përcaktojmë një film për atë çmim automatikisht duhet t’i ndajmë edhe disa para për të, të paktën një milion euro për ta mbështetur fillimisht”, ka thënë Sopi.

Sa i takon kësaj, ndryshe mendon i pari i QKK-së. Arben Zharku thotë se institucionit që ai e drejton, prezantimi në Oscar “Nuk i kushton asgjë”, për të shtuar se “Nëse ndonjë film nominohet atëherë ata duhet të bëjnë kërkesë në QKK, nëse kanë nevojë për mjete. Ishalla ndodh të nominohet se për para pastaj nuk është hiç problem”, është shprehur Zharku.

Regjisori Agim Sopi, thotë se filmi duhet të jepet premierë në Amerikë para se të kandidohet për Oscar. Siç thotë ai, për premierë duhet të shkruajnë të paktën tri medie me rrejt nacional amerikan.

“Në momentin që paraqitet filmi duhet të kontraktohet edhe një agjenci në Amerikë për promovimin e filmit dhe agjencitë startojnë prej 200 mijë dollarë. Nëse nuk e kemi një fond paraprakisht për këtë punë nuk kemi gjasa për ta kaluar as rrethin e parë”, ka treguar Sopi. për të shtuar se pjesëmarrja në OSCAR është tepër serioze. “Për Kinematografinë tonë gati inekzistente, por ju dëshirojmë suksese, le të fillojë”, shton ai.

Premierën në muajin shtator e kanë paralajmëruar filmi i regjisorit Isa Qosja “Tri dritare dhe një varje”, i cili flet për femrat e dhunuara gjatë luftës së fundit.

Filmi që nominohet në kategorinë e Filmave më të mirë në gjuhët e huaja, ka një mori regullash të veçanta dhe të drejte për t’u zgjedhur për këtë kategori, pos që të jetë i prodhuar në shtetet jashtë SHBA-ve, ndër to: paraqitja, votimi, reklamat/kufizimet publicitare, e drejta per t’u zgjedhur në kategoritë tjera.

Data e fundit e propozimeve është caktuar 20 shtator 2014./Zëri/

Më Shumë

Latifi në Kavajë mbjell pemën e miqësisë në emër të Komunës së Rahovecit (FOTO)

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, njofton se me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, bashkë me kryetarët e komunave...

Vetura godet një këmbësor në Prizren – arrestohet shoferi

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në Prizren rreth orës 21:50. Policia ka njoftuar se me këtë rast ka arrestuar një...

Lajmet e Fundit