Juria e festivalit të filmit në Venecia e drejtuar nga regjizori i famshëm Bernardo Bertolucci shpalli fitues të çmimit “Luani i Artë”, filmin dokumentar italian “Sacro GRA” me regji të Gianfranco Rosi-t. Në qendër të filmit janë një galeri interesante banorësh të autostradës së famshme në formë unaze që i vjen përqark Romës. Filmi është frut i një pune trevjeçare mbushur me takime, filmime përgjatë 64 kilometrave të autostradës rrethore.
Çmimin “Luani i Argjendtë” e fitoi regjizori grek Alexandros Avranas për filmin “Miss Violence” në qendër të të cilit është historia e vetëvrasjes të një vajze 11 vjeçare. Ky film fitoi gjithashtu dhe çmimin special të jurisë. Çmimin e madh të jurisë, e fitoi filmi nga Tajvani “Stray Dogs” i regjizorit Tsai Ming-liang.
Çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë i morën përkatësisht Themis Panou për rolin e tij në filmin “Miss Violence” dhe Elena Cotta për filmin “A street in Palermo”.
Pritej që çmimin për aktoren më të mirë ta fitonte aktorja e mirënjohur Judi Dench për interpretimin e saj të suksesshëm në filmin “Philomena”. Ky film gjithsesi fitoi çmimin për skenarin më të mirë të shkruar nga Steve Coogan dhe Jeff Pope.
Tye Sheridan fitoi çmimin “Marcello Mastroianni” si aktori më i mirë në moshë të re për rolin e tij në filmin “Joe” në të cilin luan dhe Nicolas Cage. Për herë të parë në historinë e kinematografisë së Kosovës, përmes filmit “Ballkoni” të regjisores Lendita Zeqiraj, flamuri i Kosovës u valëvit në mesin e flamujve të tjerë në hyrje të Festivalit prestigjioz të filmit, në Venecia.