Fjalimet e Hasan Prishtinës në Parlamentin Osman gjatë kohës sa ishte deputet në Mexhlisin-/Parlamentin Turk në periudhën 1908-1912, aty shihet angazhimi i tij në mbrojtje te të drejtave të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane.
Përmes këtyre fjalimeve, për herë të parë, publiku i gjerë mund të shoh se Hasan Prishtina luftoi si luan për të drejtat e shqiptarëve.
Një politikan model prej deputeti që edhe sot e kësaj dite mund të merret shembull se si përfaqësohen të drejtat e elektoratit në parlament, ku shumë deputetë sot kanë rastin të mësojnë shumë nga retorika, dija dhe guximi i tij intelektual e personal.
Dokumentet se shpejti do t’i gjejmë edhe të botuara në një përmbledhje në disa vëllime librash që shumica po dalin tani për herë të parë në dritë. Këto aktivitete si edhe shumë të tjera po realizohen nga Fondacioni “Hasan Prishtina” në kuadër të 150-vjetorit të lindjes dhe 90-vjetorit të vdekjes së Hasan Prishtinës.
Fondacioni Hasan Prishtina, u themelua nga Mehmet Prishtina, ky fondacion është një organizim joqeveritar, jofitimprurës, i pavarur dhe është i përkushtuar në realizimin e disa qëllimeve siç janë: promovimi dhe ngritja e çështjeve te trashëgimisë kombëtare historike dhe kulturore, vetëdijesimi i opinionit të gjere me te kaluarën tonë të pasur te trashëgimisë kombëtare historike dhe kulturore etj.
Fjalimi i Hasan Prishtinës në Parlamentin Osman, lidhur me situatën politike dhe represionin e politikës xhonturke ndaj shqiptarëve:
Stamboll, më 07.dhjetor.1910
… Zoti Kryeministër ngjarjet në Shqipëri i shpjegoj si diçka që ishin si pasojë e injorancës së shqiptarëve dhe i nxitjes nga ana e disa krerëve.
Por mendoj se ai do ti kishte shërbyer më mirë së vërtetës në qoftë se si fajtore në lindjen e këtyre ngjarjeve të mos kishte bërë injorancën e shqiptareve, por metodat e këqija të administratës shtetërore. Sepse ne i qemë drejtuar atij [Kryeministrit] shumë kohë përpara së të ndodhnin këto ngjarje dhe i patëm thënë se në Shqipëri po vepronin me të gjithë forcën e tyre shtypja dhe dhuna.
Ligji mbi “bandat” dhe metodat e rrepta dhe jashtë çdo logjike të komisioneve të informacionit i kishte dëshpëruar në kulm shqiptarët. I patëm thëne së po të ishte së ai dyshonte në vërtitësin e thënieve tona, atëherë të dërgohet një komision hetimor i paanshëm. Ne nuk mundnim të mos e bënim një propozim të këtillë. Mirëpo mjerisht lutjet tona as që u morën parasysh. Madje, në atë kohë në Gjakovë u mbajt një miting në të cilin morën pjesë 20 mijë veta. Puna e parë që bënë ata [ ] kur hynë në Gjakovë, qe thyerja e vulës së komitetit “Bashkim e përparim”…
… nga ana tjetër [ ] ata thoshin … vuajtjet tona janë të shumta, duam të dërgohet një komision parlamentar!
Sikur të ishte dërguar një komision siç patëm propozuar ne, nuk do të ishte derdhur gjak i mijëra bashkatdhetarëve tanë, Nuk do të ishin rrafshuar për tokë me mijëra shtëpi dhe nuk do të kishin rënë në mjerim me mijëra njerëz.
– Unë ja hedh përgjegjësin materiale e morale zotit Kryeministër…
– Kryeministri: E pranoj me plot mburrje.
– Ruzhdi bej (Siri): Flisni mbi përgjegjësin materiale.
– Hasan Prishtina: Sikur të kishte ekzistuar përgjegjësia materiale në këtë shtet, besoj zoti Kryeministër do të kishte dalë me kohë në gjyq!
– Kryeministri: Dërgomëni!
– Hasan Prishtina: Në qoftë se një ditë do të vendoste në këtë vend një regjim me të vërtet me kushtetutë, ju do të dilni përpara gjykatës së lartë.
– Kryeministri: Po ju vallë kurë do të dilni, sepse përgjegjësia e juaj morale është më e madhe.
– Hasan Prishtina: Ne shkojmë në litarë, po të doni. Ju lutëm dëgjoni pastaj përgjigjuni.
Zotërinj e di se ngjarjet filluan më parë në Sanxhakun e Prishtinës. Po mos e pandehni këtë një sanxhak dokudo. Vetëm batalione të klasës së dytë ai jep 22, pa futur këtu, zotërinje, regjimentin e klasës së parë të redifëve. Po të dyshoni në këto që po u them, ja ku është Ministri i luftës Mahmud Shefqet Pasha. Tashti bëjeni hesap vetë se sa ushtarë behën. Vetëm sanxhaku i Prishtinës jep 30.000 ushtarë, ai i jep këtij shteti të dhjet, i jep bagëti… është po sanxhaku i Prishtinës ai që dha 1000 dëshmorë në luftën e famshme të Plevnes e cila zë sot një nga faqet me të lavdishme të historisë së kombit tonë. Nuk e di, politik apo krim është kjo që po u bëhet bashkatdhetarëve tanë, kundrejt të cilëve po ushtrohet dhuna më e egër.
Nuk dua të përmend këtu numrin e shqiptarëve të rrahur e të persekutuar, ashtu siç bëjnë koleget e mi grek e bullgarë, të cilët dhanë shifra për bashkëkombësit e rrahur e të persekutuar sepse numri i shqiptarëve të rrahur e të torturuar arrin në mijëra vetë. Vetëm duhet të theksoj se shqiptarët, që nga koha që janë quajtur të këtillë, nuk kanë hequr vuajtje si po heqin tani.
Zoti Kryeministër tha se gjatë operacioneve të mëdha ushtarake vetëm dhjetë veta u varen. Më mirë të ishin varur 1700 veta sesa u morë nëpër këmbë dinjiteti i mijëra shqiptareve. Ketë e them zotërinj, kure mendoj diçka tjetër.
Zoti Kryeministër është Kryetar i Këshillit të Ministrave, duhet t’u kushtoj vëmendje të veçantë çështjeve më të mprehta politike. … Nuk dua të zgjatëm më shumë këtu. Vetëm se Kryeministri tha më shumë mburrje se në Shqipëri janë bërë reforma, janë hapur shkolla, janë ndërtuar rrugë e ku ta di unë se çfarë të tjerash. Ndoshta ai këtu ka lajthitur me qëllim ose pa qëllim. Sidoqoftë, unë dua të provoj se ai është i gabuar.
Dëgjojmë të flitet se vrasjet në Shqipëri kane marrë fund…mirëpo që nga koha e operacioneve ushtarake dhe gjerë më sot janë bërë lartë nga 20 vrasje.
Zotërinj, edhe sikur të pranoj se vrasjet, siç tha [Kryeministri], janë kufizuar deri dikund, të jeni të sigurt se kjo më shumë se sa si pasojë e reformave ka ardhur nga fakti, se Shqiptarët që bijn në gjaqe i ruhen shumë njëri-tjetrit.
Unë jam gati të jap në çdo kohë jetën time për këtë atdhe. Prandaj e kam për detyrë që ti vë në dukje këto fakte nga kjo tribunë…
Zoti Kryeministër le t’i marrë si të dojë.
Unë nuk e bëj veten time që të më dënojë ndërgjegjja. Bota le të thotë çfarë të dojë. Nuk kam asnjë armiqësi vetjake kundër kabinetit.
Nuk kërkoj asnjë pozitë.. megjithatë mendoj se në qoftë se një Kabinet, cilido qoftë ky, qe vjen në fuqi, nuk heq dorë nga kjo politik dhune e terrori, dhe në qoftë se nuk pranon si vijë politike, atë të bërjes për vete të popullit dhe të krijimit të kënaqësisë së përgjithshme, atëherë ai nuk ndjek një vijë veprimi që përputhet me interesat e atdheut.
Meqenëse përpjekjet e mija janë përqendruar të gjitha në këtë fakt, e quaj si detyrë që ta përsëris vazhdimisht këtë.
Të vijmë të çështja e arsimit.
Zoti kryeministër tha se në Kosovë janë ndërtuar shkolla, është bërë kjo dhe ajo punë… Mirëpo unë nga Kosova po vij, zotërinj.
Përveç shndërrimit të Idadies që ndodhët në qendër të vilajetit në Lice dhe ndërtimit të një normaleje, tjetër gjë nuk pash. Vetëm në Prishtinë ishin ndërtuar dy shkolla me ndihmën e popullit. Edhe në Gjilan po ndërtohen disa shkolla jo aq si pasoje e zellit të nënprefektit sesa si pasojë e protestave të popullit. Madje mundë të sjell si dëshmitarë edhe një nga kolegët e mi të nderuar.
Në Ferizaj nënprefektit deshi të tregonte një heroizëm të jashtëzakonshëm. Shembi shkollat ekzistuese, sepse nuk paskëshin qenë higjenike. Zotëri dine se kurë do të ndërtohen të reja. A nuk është kështu Shaban Pasha ?
– Shaban Pasha : Po ashtu është.
– Hasan Prishtina: Mbaroj edhe kjo çështje zotërinj. Domethënë se Ministri i Arsimit nuk ka punuar aq sa të mund të lëvdoheshim se kemi pasur arritje në fushën e arsimit.
– Kryeministri: Mos keni merak, se do të ju përgjigjem.
– Hasan Prishtina: Ne sapo kemi ardhur nga që andej [ nga Kosova]. Në qoftë se janë ndërtuar [shkollat]
Mbasi kemi ikur në këtë nuk e di. Por të jemi të sigurt se edhe në ato shkolla që janë ndërtuar, mësimi nuk ka filluar qoftë edhe në njërën prej tyre.
Po vijmë të rrugët. Me përjashtim të riparimit të rrugës së Gjilanit dhe të ndërtimit të rrugës Pejë-Mitrovicë, tjetër gjë nuk është bërë.
Po ndërtohet edhe rruga e Prizrenit. Madje, kjo ju dha me sipërmarrje para katër vjetësh, djalit të deputetit të Prishtinës, zotit Jahja, i cili është gjithashtu kolegu ynë. Mirëpo kjo ka katër vjet dhe ajo nuk është ndërtuar. Domethënë dua të them se nuk është bërë ndonjë gjë e jashtëzakonshme në fushën e shërbimeve komunale.
Të marrim çështjen e regjistrimit të tokave. Ju lutëm, zotërinj, që ta ndiqni me vëmendje këtë çështje dhe të dhe të tregoheni të mëshirshëm. Dijeni se burimi kryesor i fatkeqësisë së sotme të Kosovës, është pikërisht praktika e regjistrimit të tokave. Sepse një copë tokë që bën 100 lira, vlerësohet me 1000 lira. Disa nga shqiptarët po thonë se qeveria po i përdor këto mjete për të na detyruar ne që të largohemi nga vendet tona. Mendoj se nuk është pa dobi që të kemi parasysh pasojat e rrezikshme të një praktike të tillë. (Duke ju drejtuar kryetarit të seancës). A mundë të vazhdoj më gjatë zotëri?
(Zëra: vazhdoni, vazhdoni)
Dua ti tërheq vëmendjen zotit Kryeministër edhe lidhur me një çështje tjetër.
Në deklaratën që lëshoj vitin e kaluar më duket se pati thënë se do të ndiqte politiken e drejtësisë dhe bujarisë. Për këtë janë dëshmitarë të gjithë anëtarët e Parlamentit. Të përdoren rrahje e tortura, veprime që janë krejt në kundërshtim me parimin e respektimit të të drejtave civile, të urdhërosh të mbyllen shkollat dhe shtypshkronjat shqiptare gjë që është krejt në kundërshtim me parimet e kushtetutës, të detyrosh të arratisen në Mal të Zi shumë shqiptarë mysliman e katolik të cilët në periudhën e vendosjes së regjimit konstitucional patën prit në gjokset e tyre plumbat e armiqve, gjithashtu të dënosh me internim përfaqësues të vendit, të cilët nuk kanë pasur tjetër faj përveç atij që kane qenë njerëz bujarë, kanë gëzuar simpatinë e popullit dhe kane menduar për lumturin e atdheut, për lavdin dhe forcimin e shtetit, dhe të besh që të rënkojnë në burgun e vuajtjeve jo me qindra, por më mijëra shqiptarë të pafajshëm, sikur të mos ishin këta pjesëtarë të shoqërisë njerëzore, a është kjo, zotërinj, politike e drejtësie dhe bujarie apo politik dhune, terrori dhe shtypjeje?
Besoj se ju shqetësova që të gjithëve, zotërinj. Po i bie shkurtë. Kolegë të nderuar! Ju ftoj që të mos keni besim te ky kabinet që po mbyll sytë përpara këtyre veprimeve të paligjshme e të përbindshme qe po ndodhin në vendin tonë dhe që, për këtë arsye, nuk është në gjendje të ndjekë një politik të jashtme e të brendshme që të përputhet me interesat kombëtare dhe t’ua besoni drejtimin e shtetit atyre që janë kompetentë. Gjithashtu mos harroni se vendi po rrokulliset me shpejtësi të rrufeshme në vorbullën e fatkeqësisë dhe se kjo ditë është një ditë provimi për përfaqësuesit e popullit.
AIH,A-IV-150,vëlkimi i parë,f.302-305